Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 4

Kur thërras, përgjigjmu, o Perëndi i drejtësisë sime; kur isha në fatkeqësi, ti më ke ndihmuar; ki mëshirë për mua dhe plotësoje lutjen time.

Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet rëndë lavdia ime? Deri kur do të jepeni pas kotësisë dhe do të shkoni pas gënjeshtrës? (Sela)

Por dijeni se Zoti ka zgjedhur një që është i shenjtë; Zoti do të më plotësojë dëshirën kur do t’i thërras atij.

Zemërohuni dhe mos mëkatoni; në shtratin tuaj mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje. (Sela)

Ofroni flijime drejtësie dhe kini besim te Zoti.

Shumë thonë: "Kush do të na tregojë të mirën?". O Zot, bëj që të shkëlqejë drita e fytyrës sate mbi ne.

Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë.

Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.

Danieli 10:2-19

Në atë kohë, unë, Danieli, mbajta zi për tri javë të plota.

Nuk hëngra ushqime të zgjedhura, nuk futa në gojën time as mish as verë dhe nuk u vajosa aspak, deri sa kaluan tri javë të plota.

Ditën e njëzetekatërt të muajit të parë, ndërsa isha në bregun e lumit të madh, që është Tigri,

ngrita sytë dhe shikova, dhe ja, një njeri i veshur me rroba liri, me një brez të artë të Ufazit.

Trupi i tij ishte i ngjashëm me topazin, fytyra e tij kishte pamjen e rrufesë, sytë e tij ishin si pishtarë flakërues, krahët e tij dhe këmbët e tij dukeshin si prej bronzi të llustruar dhe tingulli i fjalëve të tij ishte si zhurma e një turme.

Vetëm unë, Danieli, pashë vegimin, kurse njerëzit që ishin me mua nuk e panë vegimin, por një tmerr i madh ra mbi ta dhe ata ia mbathën që të fshihen.

Kështu mbeta vetëm të vërej këtë vegim të madh. Nuk më mbeti kurrfarë force; çehrja e bukur ndryshoi në të zbehtë dhe forcat e mia u ligështuan.

Megjithatë dëgjova zërin e fjalëve të tij; por, duke dëgjuar zërin e fjalëve të tij, rashë në një gjumë të thellë me fytyrë për tokë.

10 Por ja, një dorë më preku dhe bëri që unë të rri duke u dridhur i tëri mbi gjunjët dhe mbi pëllëmbët e duarve.

11 Pastaj më tha: "Daniel, njeri shumë i dashur, kupto fjalët që po të them dhe çohu më këmbë, sepse tani më kanë dërguar te ti". Kur më tha këtë fjalë, unë u çova më këmbë duke u dridhur i tëri.

12 Atëherë ai më tha: "Mos ki frikë, Daniel, sepse që ditën e parë që vendose në zemrën tënde të kuptoje dhe të përuleshe para Perëndisë tënd, fjalët e tua u dëgjuan dhe unë erdha si përgjigje e fjalëve të tua.

13 Por princi i mbretërisë së Persisë më kundërshtoi njëzetenjë ditë; por ja, Mikaeli, një nga princat e parë, më erdhi në ndihmë, sepse kisha mbetur atje me mbretin e Persisë.

14 Dhe tani kam ardhur të të bëj të kuptosh atë që do t’i ndodhë popullit tënd në mbarim të ditëve; sepse vegimi ka të bëjë me një kohë të ardhme".

15 Ndërsa më fliste në këtë mënyrë, ula fytyrën për tokë dhe mbylla gojën.

16 Dhe ja, dikush që i ngjante një biri njeriu më preku buzët. Atëherë hapa gojën, fola dhe i thashë atij që më rrint përpara: "Imzot, për këtë vegim më kanë zënë spazmat dhe fuqitë m’u ligështuan.

17 Dhe si mund të fliste një shërbëtor i tillë i zotit tim me një imzot të tillë, sepse tani fuqitë më kanë braktisur dhe më mungon madje edhe frymëmarrja?".

18 Atëherë ai që i ngjante një njeriu më preku përsëri dhe më dha fuqi,

19 dhe tha: "O njeri që të duan shumë, mos ki frikë, paqja është me ty; mblidh forcat e tua, po, mblidh forcat e tua". Mbasi më foli, unë fitova forcë dhe i thashë: "Le të flasë zoti im, sepse ti më ke dhënë forcë".

1 Gjonit 2:26-28

26 Ju shkrova këto gjëra për ata që kërkojnë t’ju gënjejnë.

27 Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t’ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi.

28 Edhe tani, djema, qëndroni në të që, kur të shfaqet ai, ne të mund të kemi besim, dhe në ardhjen e tij të mos turpërohemi para Tij.