Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
80 Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rrin mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde.
2 Rizgjoje fuqinë tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh.
3 O Perëndi, na përtëri fuqitë, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe ne do të shpëtojmë.
4 O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar kundër lutjes së popullit tënd?
5 Ti u ke dhënë për të ngrënë bukë të njomur me lot, dhe u ke dhënë për të pirë lot me shumicë.
6 Ti na ke bërë objekt mosmarëveshjeje për fqinjët tanë, dhe armiqtë tanë qeshin njeri me tjetrin.
7 O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.
8 Ti çove jashtë Egjiptit një hardhi; i dëbove kombet dhe e mbolle.
9 Ti e pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe e mbushi dheun.
10 Malet u mbuluan nga hija e saj dhe kedrat e Perëndisë me degët e saj.
11 I zgjati degët e saj deri në det dhe llastarët deri te lumi.
12 Pse i prishe gjerdhet e saj dhe kështu tërë kalimtarët kanë mundësi të korrin frytet e saj?
13 Derri i egër i pyllit e shkreton dhe egërsirat e fushës kullotin aty.
14 O Perëndi i ushtrive, të lutemi kthehu; shiko nga qielli, vështro dhe vizito këtë vresht
15 dhe drurët që mbolli e djathta jote dhe filizin që e ke forcuar për ty.
16 Ajo u dogj nga zjarri dhe është prerë; ata vdesin para kërcënimit të fytyrës sate.
17 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty.
18 Kështu ne nuk do të largohemi më prej teje. Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd.
19 O Zot, Perëndia i ushtrive, na përtëri; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe do të shpëtojmë.
9 Çohuni, o gra që jetoni në bollëk, dhe dëgjoni zërin tim; o bija pa mend, ia vini veshin fjalës sime!
10 Brenda një viti dhe disa ditëve ju do të dridheni, o gra pa mend, sepse vjelja e rrushit do të shkojë keq dhe korrje nuk do të ketë.
11 Fërgëlloni, o gra që jetoni në bollëk, dridhuni o ju gra pa mend. Hiqni veshjet tuaja, zhvishuni dhe vini një grethore në ijët,
12 duke i rënë gjoksit nëpër arat e mira dhe nëpër vreshtat prodhimtare.
13 Mbi tokën e popullit tim do të rriten gjemba dhe ferra; po, mbi të gjitha shtëpitë e gëzimit të qytetit të qejfeve.
14 Sepse pallati do të braktiset, qyteti i zhurmshëm do të shkretohet, Ofeli dhe kulla do të bëhen për gjithnjë shpella gëzimi për gomarët e egër dhe kullotë për kopetë.
15 deri sa mbi ne të përhapet Fryma nga lart, shkretëtira të bëhet pemishte dhe pemishtja të konsiderohet si një pyll.
16 Atëherë i drejti do të banojë në shkretëtirë dhe drejtësia do të banojë në pemishte.
17 Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë.
18 Populli im do të banojë në një vend paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende të qeta pushimi,
19 edhe sikur të binte breshër mbi pyllin dhe qyteti të ulej shumë.
20 Lum ju që mbillni në breg të të gjithë ujërave dhe që lini të shkojë e lirë këmba e kaut dhe e gomarit.
17 Kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite.
18 Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.