Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.
2 Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.
3 Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;
4 por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.
5 Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.
11 "Duaje, pra, Zotin, Perëndinë tënd, dhe respekto gjithnjë rregullat e tij, statutet e tij, dekretet e tij dhe urdhërimet e tij.
2 Pranoni sot (sepse nuk u flas bijve tuaj që nuk e kanë njohur as e kanë parë disiplinën e Zotit, Perëndisë tuaj), madhështinë e tij, dorën e tij të fuqishme dhe krahun e shtrirë,
3 shenjat e tij dhe veprat e tij që ka bërë në Egjipt kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kundër vendit të tij,
4 atë që u bëri ushtrisë së Egjiptit, kuajve të saj dhe qerreve të saj, duke derdhur mbi të ujërat e Detit të Kuq ndërsa ata po ju ndiqnin, dhe si i shkatërroi Zoti për gjithnjë;
5 atë që bëri për ju në shkretëtirë, deri sa të arrinit në këtë vend;
6 dhe atë që u bëri Dathanit dhe Abiramit, bijve të Eliabit, birit të Rubenit; si e hapi gojën toka dhe i gëlltiti me gjithë familjet e tyre, me çadrat e tyre dhe me çdo gjë të gjallë që i pasonte, në mes të gjithë Izraelit.
7 Por sytë tuaja panë gjërat e mëdha që Zoti ka kryer.
8 Respektoni, pra, tërë urdhërimet që unë po ju jap sot, që të jeni të fortë dhe të mundni të pushtoni vendin që po bëheni gati të zotëroni,
9 dhe me qëllim t’i zgjatni ditët tuaja në vendin që Zoti u betua t’u japë etërve tuaj dhe pasardhësve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.
10 Mbasi vendi në të cilin jeni duke hyrë për ta pushtuar nuk është si vendi i Egjiptit prej të cilit keni dalë, ku mbillnit farën tuaj dhe pastaj e vaditnit me këmbën tuaj si një kopsht perimesh;
11 por vendi ku jeni duke hyrë për ta pushtuar është një vend me male dhe lugina, që thith ujin e shiut që vjen nga qielli;
12 një vend për të cilin Zoti, Perëndia yt, ka kujdes dhe mbi të cilin i janë drejtuar vazhdimisht sytë e Zotit, Perëndisë tënd, fillimi i vitit deri në mbarim të tij.
13 Por në rast se do t’i bindeni me kujdes urdhërimeve të mia që ju jap sot, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt,
14 do të ndodhë që unë do t’i jap vendit tuaj shiun në kohën e duhur, shiun e parë dhe shiun e fundit, që ti të mbledhësh grurin, verën dhe vajin tënd;
15 dhe do të bëj që të rritet edhe bari në fushat e tua për bagëtinë tënde, dhe ti do të hash dhe do të ngopesh.
16 Kini kujdes që zemra juaj të mos mashtrohet dhe të mos largoheni nga rruga e drejtë, duke shërbyer dhe u përulur para perëndive të tjera;
17 sepse në këtë rast do të ndizet zemërimi i Zotit dhe ai do të mbyllë qiejtë dhe nuk do të ketë më shi, toka nuk do të japë prodhimet e saj dhe ju do të vdisni shpejt në vendin e mirë që Zoti po ju jep.
13 Po të përgjërohem përpara Perëndisë që u jep jetë të gjitha gjërave dhe të Krishtit Jezus, i cili, duke dëshmuar përpara Ponc Pilatit, dhe një dëshmi të mirë besimi,
14 ta ruash këtë urdhërim pa njolla e te meta, derisa të shfaqet Zoti ynë Jezu Krisht,
15 që, në kohën e caktuar, do ta tregojë i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve,
16 ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen.