Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
135 Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,
2 që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.
3 Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.
4 Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.
5 Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.
6 Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.
7 Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.
8 Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve,
9 dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij.
10 Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm:
11 Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit.
12 Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.
13 O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.
14 Sepse Zoti do t’i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij.
15 Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut;
16 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,
17 kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre.
18 Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.
19 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin.
20 Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin.
21 Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.
26 Atë ditë do të këndohet kjo këngë në vendin e Judës: "Ne kemi një qytet të fortë; Perëndia ka vënë shpëtimin për mure dhe për bastione.
2 Hapni portat dhe le të hyjë kombi i drejtë, që ruan besnikërinë".
3 Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti.
4 Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm.
5 Ai ka përulur ata që rrinin lart, ka ulur qytetin e lartë, e ka ulur deri në tokë, e ka hedhur në pluhur;
6 këmbët e shkelin, pikërisht këmbët e të varfërit dhe hapat e mjeranëve.
7 Rruga e të drejtit është e drejtë; o Perëndi i drejtë, ti sheshon shtegun e të drejtit.
8 Po, në rrugën e gjykimeve të tua, o Zot, ne të kemi pritur. Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd.
9 Me shpirtin tim të dëshiroj natën, po, me frymën që është brenda meje të kërkoj në mëngjes herët; sepse kur shfaqen gjykimet e tua mbi tokë, banorët e botës mësojnë drejtësinë.
10 Në rast se falet i pabesi, ai nuk do ta mësojë drejtësinë; ai do të veprojë në mënyrë të çoroditur në vendin e ndershmërisë dhe nuk do të mund të shikojë madhështinë e Zotit.
11 O Zot, dora jote është ngritur, por ata nuk e shohin. Por ata do ta shohin zellin tënd për popullin tënd dhe do të mbeten të hutuar; po, zjarri i armiqve të tu do t’i përpijë.
12 O Zot, ti do të vendosësh paqen për ne, sepse ti kryen për ne çdo vepër tonën.
13 O Zot, Perëndia ynë, zotër të tjerë, veç teje, na kanë sunduar; por vetëm për ty të mbajmë mend emrin.
14 Të vdekurit nuk do të rijetojnë më, ata që shkuan nuk do të vijnë më; prandaj ti i ke ndëshkuar, ke shkatërruar dhe ke zhdukur çdo kujtim të tyre.
15 Ti e ke rritur kombin, o Zot, e ke rritur kombin, je përlëvduar; i ke zgjeruar tërë kufijtë e vendit.
18 Pastaj iu paraqitën disa saducenj, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën duke thënë:
19 “Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vdes vëllai i dikujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t’i lindur pasardhës vëllait të tij.
20 Tani ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.
21 E mori, pra, i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë; po kështu i treti.
22 Që të shtatë e morën për grua dhe vdiqën pa lënë fëmijë. E fundit, pas të gjithëve, vdiq edhe gruaja.
23 Në ringjallje, pra, kur të ringjallen, gruaja e kujt do të jetë ajo? Sepse që të shtatë e patën grua.”
24 Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: “A nuk është pikërisht për këtë që jeni në gabim, sepse nuk i njihni as shkrimet as pushtetin e Perëndisë?
25 Sepse kur njerëzit do të ringjallen së vdekuri, as do të martohen as do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell.
26 Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut se si foli Perëndia nga ferrishta duke thënë: "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit"?
27 Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por Perëndia i të gjallëve. Ju, pra, po gaboni shumë.”