Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
135 Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,
2 që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.
3 Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.
4 Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.
5 Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.
6 Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.
7 Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.
8 Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve,
9 dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij.
10 Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm:
11 Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit.
12 Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.
13 O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.
14 Sepse Zoti do t’i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij.
15 Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut;
16 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,
17 kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre.
18 Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.
19 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin.
20 Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin.
21 Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.
3 Mbreti Nebukadnetsar urdhëroi të ndërtohet një figurë prej ari, e lartë gjashtëdhjetë kubitë dhe e gjerë gjashtë kubitë, dhe e ngriti në fushën e Duras, në krahinën e Babilonisë.
2 Pastaj mbreti Nebukadnetsar dërgoi njerëz të mbledhin satrapët, prefektët, qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave, me qëllim që të vinin në përurimin e figurës që mbreti Nebukadnetsar kishte ngritur.
3 Atëherë satrapët, prefektët dhe qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave u mblodhën bashkë për përurimin e figurës që kishte ngritur mbreti Nebukadnetsar, dhe qëndruan në këmbë përpara figurës që Nebukadnetsari kishte ngritur.
4 Pastaj kasneci thirri me zë të lartë: "Juve, popuj, kombe dhe gjuhë, ju jepet urdhër që,
5 sapo të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle, të bini përmbys për të adhuruar figurën prej ari që ka ngritur mbreti Nebukadnetsar;
6 kushdo që nuk do të bjerë përmbys për të adhuruar, do të hidhet menjëherë në mes të një furre zjarri përvëlues".
7 Kështu, me të dëgjuar tërë popujt zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit dhe të çdo lloji vegle, tërë popujt, kombet dhe gjuhët ranë përmbys dhe adhuruan figurën e artë, që mbreti Nebukadnetsar kishte ngritur.
8 Për këtë arësye në atë çast, disa Kaldeas dolën dhe paditën Judejtë;
9 duke marrë fjalën, i thanë mbretit Nebukadnetsar: "O mbret, jetofsh për jetë!
10 Ti, o mbret, ke nxjerrë një dekret, në bazë të të cilit kushdo që ka dëgjuar zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle duhet të bjerë përmbys për të adhuruar figurën e artë;
11 dhe ai që nuk bie përmbys dhe nuk adhuron, duhet të hidhet në mes të një furre me zjarr përvëlues.
12 Por ka disa Judej që i ke vënë në krye të administrimit të punëve të krahinës së Babilonisë, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, që nuk kanë asnjë konsideratë për ty; nuk u shërbejnë perëndive të tua dhe nuk adhurojnë figurën e artë që ti ke ngritur".
13 Atëherë Nebukadnetsari, i zemëruar dhe i tërbuar, urdhëroi që të sillnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon; kështu këta njerëz u çuan para mbretit.
14 Nebukadnetsari u drejtoi atyre fjalën, duke thënë: "Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, a është e vërtetë që nuk u shërbeni perëndive të mia dhe nuk adhuroni figurën e artë që unë kam ngritur?
15 Tani, posa të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloj vegle, në rast se jeni gati të bini përmbys për të adhuruar figurën që unë kam bërë, mirë; por në rast se nuk do ta adhuroni, do t’ju hedhin menjëherë në mes të një furre të ndezur; dhe cila ështe ajo perëndi që do të mund t’ju çlirojë nga duart e mia?
16 Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego iu përgjigjën mbretit, duke thënë: "O Nebukadnetsar, ne nuk kemi nevojë të të japim përgjigje lidhur me këtë.
17 Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret.
18 Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur".
19 Atëherë Nebukadnetsari u mbush me inat dhe shprehja e fytyrës së tij ndryshoi ndaj Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos. Duke marrë përsëri fjalën, urdhëroi që furra të ngrohej shtatë herë më shumë se zakonisht.
20 Pastaj urdhëroi disa njerëz të fortë dhe trima të ushtrisë së tij të lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon dhe t’i hidhnin në furrën e zjarrit përvëlues.
21 Atëherë këta tre burra i lidhën dhe, me pantallonat e tyre, me tunikën e tyre dhe me gjitha mbulesën e tyre të kokës dhe i hodhën në mes të furrës me zjarr përvëlues.
22 Por me qenë se urdhëri i mbretit ishte i rreptë dhe furra ishte jashtëzakonisht e mbingrohur, flaka e zjarrit vrau njerëzit që kishin hedhur në të Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon.
23 Dhe këta tre burra, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, ranë të lidhur në mes të furrës me zjarr përvëlues.
24 Atëherë mbreti Nebukadnetsar, i habitur, u ngrit me nxitim dhe filloi t’u thotë këshilltarëve të tij: "Nuk i kemi hedhur tre burrat të lidhur në mes të zjarrit?". Ata u përgjigjën dhe i thanë mbretit: "Sigurisht, o mbret".
25 Ai foli përsëri: "Ja, unë po shoh katër burra të palidhur, që ecin në mes të zjarrit, pa pësuar asnjë dëm; dhe pamja e të katërtit i përngjan asaj të një biri të Perëndisë".
26 Pastaj Nebukadnetsari iu afrua grykës së furrës me zjarr përvëlues dhe filloi të thotë: "Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, shërbëtorë të Perëndisë Më të Lartë, dilni dhe ejani këtu". Atëherë Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego dolën nga mesi i zjarrit.
27 Pastaj satrapët, prefektët, qeveritarët dhe këshilltarët e mbretit u mblodhën për të vërejtur këta burra: zjarri nuk kishte patur asnjë fuqi mbi trupin e tyre, flokët e kokës së tyre nuk ishin djegur, mantelet e tyre nuk ishin dëmtuar dhe as era e zjarrit nuk ishte shtruar mbi ta.
28 Nebukadnetsari filloi të thotë: "Qoftë i bekuar Perëndia i Shadrakut, i Meshakut dhe i Abed-negos, që ka dërguar engjëllin e tij dhe ka çliruar shërbëtorët e tij, që kanë pasur besim tek ai; ata kanë shkelur urdhrin e mbretit dhe ia kanë ekspozuar trupin e tyre vdekjes, në vend që të shërbenin dhe të adhuronin tjetër perëndi përveç së tyres.
29 Prandaj unë dekretoj që kushdo, cilitdo populli, kombi o gjuhe që t’i përkasë, që do të flasë keq për Perëndinë e Shadrakut, të Meshakut dhe të Abed-negos, të pritet copë-copë dhe shtëpia e tij të katandiset në një vend plehrash, sepse nuk ka asnjë perëndi që mund të të shpëtojë në këtë mënyrë".
30 Atëherë mbreti bëri që Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego të kenë mbarësi në krahinën e Babilonisë.
3 Dhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në qoftë se i zbatojmë urdhërimet e tij.
4 Ai që thotë: “Unë e kam njohur atë,” dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të.
5 Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të.
6 Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai.
7 Vëllezër, nuk ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, që e kishit nga fillimi: urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat nga fillimi.
8 E megjithatë po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë në të dhe në ju, sepse errësira po shkon dhe tashmë po ndrit drita e vërtetë.
9 Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllanë e vet, është ende në errësirë.
10 Ai që e do vëllanë e vet qëndron në dritë dhe nuk ka asgjë në të që e bënë të bjerë.
11 Por ai që urren vëllanë e vet është në errësirë, ecën në errësirë dhe nuk di ku shkon, sepse errësira ia ka verbuar sytë.