Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
46 Dhe Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin,
47 dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim,
48 sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume,
49 sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij!
50 Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë.
51 Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre;
52 i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit;
53 i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit.
54 Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij,
55 ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë.”
17 Sytë e tu do të sodisin bukurinë e mbretit tënd, do të shohin një vend që ndodhet shumë larg.
18 Zemra jote do të bjerë në mendime të thella mbi tmerret e kaluara: "Ku është shkruesi? Ku është ai që peshon? Ku është ai që numëron kullat?".
19 Ti nuk do ta shikosh më atë popull mizor, atë popull me një të folur të errët dhe të pakuptueshme, që belbëzon një gjuhë që askush nuk e kupton.
20 Sodit Sionin, qytetin e madhështive tona! Sytë e tu do të shohin Jeruzalemin, vendbanim i qetë, çadër që nuk do të lëvizet më nga vendi, hunjtë e së cilës nuk do të shkulen dhe asnjë nga litarët e saj nuk do të hiqet.
21 Por aty Zoti në madhështinë e tij do të jetë për ne një vend lumenjsh dhe rrjedhash të gjera uji, ku nuk arrin asnjë anije me lopata dhe nuk kalon asnjë anije e fuqishme.
22 Me qenë se Zoti është gjykatësi ynë, Zoti është ligjvënësi ynë, Zoti është mbreti ynë; ai do të na shpëtojë.
6 Dhe më tha: “Këto fjalë janë besnike dhe të vërteta; dhe Zoti, Perëndi i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti.
7 Ja, unë vij shpejt; lum ai që i ruan fjalët e profecisë së këtij libri.”
18 Unë i deklaroj kujtdo që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri, se nëse ndokush do t’i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër.
19 Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t’i heqë pjesën e tij nga libri i jetës nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër.
20 Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: “Po, unë vij shpejt. Amen.” Po, eja, Zoti Jezus.