Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
11 Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Isaias dhe një filiz do të mbijë nga rrënjët e tij.
2 Fryma e Zotit do të pushojë mbi të; fryma e diturisë dhe e zgjuarësisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës të Zotit.
3 I dashuri i tij do të qëndrojë në frikën nga Zoti, nuk do të gjykojë nga pamja, nuk do të japë vendime sipas fjalëve që thuhen,
4 por do t’i gjykojë të varfërit me drejtësi dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të vendit. Do ta godasë vendin me shufrën e gojës së tij dhe me frymën e buzëve të tij do ta bëjë të vdesë të pabesin.
5 Drejtësia do të jetë brezi i ijëve të tij dhe besnikëria brezi i anëve të tij.
6 Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.
7 Lopa do të kullosë bashkë me arushen, të vegjëlit e tyre do të rrinë bashkë, dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau.
8 Foshnja e gjirit do të lozë mbi vrimën e gjarpërit dhe fëmija e zvjerdhur do të vërë dorën e tij në çerdhen e nëpërkës.
9 Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.
10 Atë ditë do të ndodhë që rrënja e Isaias do të ngrihet si një flamur për popujt; kombet do ta kërkojnë dhe vendi i prehjes së tij do të jetë i lavdishëm.
72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
2 dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.
3 Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.
4 Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.
5 Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.
6 Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.
7 Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.
18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.
19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.
4 Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.
5 Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni po ato mendime njeri me tjetrin, sipas Jezu Krishtit,
6 që me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme ta përlëvdoni Perëndinë, Atin e Perëndisë tonë Jezu Krisht.
7 Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë.
8 Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve,
9 dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar: “Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t’i këndoj lavdërime emrit tënd!.”
10 Dhe përsëri ai thotë: “Gëzohuni, o njerëz, me popullin e tij.”
11 Dhe përsëri: “Lavdëroni Zotin, të gjithë njerëzit; dhe le ta lëvdojnë të gjithë popujt.”
12 Dhe përsëri Isaia thotë: “Do të mbijë një filiz nga rrënja e Jeseut dhe ai që ngrihet për të sunduar njerëzit; kombet do të shpresojnë në të!.”
13 Dhe Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!
3 Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë,
2 dhe thoshte: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!”
3 Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: “Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij".”
4 Tani Gjoni vet kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër.
5 Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai,
6 dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.
7 Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t’u pagëzuar tek ai, u tha atyre: “Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t’i arratiseni zemërimit që po vjen?
8 Jepni pra fryte të denja të pendesës!
9 Dhe mos t’ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.
10 Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.
11 Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.
12 Ai mban në dorë terploten dhe do ta pastrojë plotësisht lëmin e tij; grurin e tij do ta mbledhë në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm.”