Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
21 O Zot, mbreti do të gëzohet me forcën tënde dhe do të ngazëllojë për shpëtimin tënd!
2 Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij dhe nuk hodhe poshtë kërkesën e buzëve të tij. (Sela)
3 Sepse ti i dole para me bekime begatie, i vure mbi kokë një kurorë prej ari shumë të kulluar.
4 Ai të kishte kërkuar jetë dhe ti i dhe ditë të gjata në përjetësi.
5 E madhe është lavdia e tij për shpëtimin tënd; ti i dhe madhështi dhe lavdi,
6 sepse ti e bën shumë të bekuar përjetë, e mbush me gëzim në praninë tënde.
7 Duke qenë se mbreti ka besim te Zoti dhe në mirësinë e Shumë të Lartit, ai nuk do të hiqet kurrë.
8 Dora jote do të arrijë tërë armiqtë e tu, dora jote e djathtë do të veprojë kundër atyre që të urrejnë.
9 Ti do t’i bësh si një furrë të zjarrtë kur do të dukesh i zemëruar; në zemërimin e tij Zoti do t’i hedhë në humnerë dhe zjarri do t’i përpijë.
10 Ti do të zhdukësh frytin e tyre nga toka dhe pasardhësit e tyre midis bijve të njerëzve,
11 sepse kanë kurdisur të keqen kundër teje dhe kanë përgatitur plane të këqija, por nuk do t’ia dalin.
12 Sepse ti do të bësh që ata të kthejnë kurrizin dhe do të drejtosh shigjetat e harkut tënd kundër fytyrës së tyre.
13 Çohu, o Zot, me forcën tënde; ne do të këndojmë dhe do të kremtojmë lëvdimet e fuqisë sate.
14 "Mos u frikëso, o krimb i Jakobit, o njerëz të Izraelit! Unë të ndihmoj," thotë Zoti; "Shpëtimtari yt është i Shenjti i Izraelit.
15 Ja, unë të bëj një shirëse të re me dhëmbë të mprehura; ti do të shish malet dhe do t’i katandisësh në pluhur, dhe do t’i bësh kodrat si byk.
16 Ti do t’i frysh, era do t’i çojë larg dhe shakullima do t’i shpërndajë; por ti do të gëzohesh te Zoti dhe do të përlëvdohesh tek i Shenjti i Izraelit.
17 Të mjerët dhe të varfërit kërkojnë ujë, por mungon; gjuha e tyre u është tharë nga etja; unë, Zoti do t’ua plotësoj dëshirën; unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t’i braktis.
18 Do të bëj që të dalin lumenj mbi kodrat e zhveshura dhe burime në mes të luginave; do ta bëjë shkretëtirën një liqen uji dhe tokën e thatë burim ujërash.
19 Do të mbjell në shkretëtirë kedrin, akacien, mërsinën dhe ullirin, do të mbjellë në Arabah qiparisin, vidhin dhe bredhin,
20 me qëllim që ta shohin, ta dinë, ta konsiderojnë dhe ta kuptojnë të gjithë tok se dora e Zotit e ka bërë këtë gjë dhe i Shenjti i Izraelit e ka krijuar.
14 Dhe, sa për ju, o vëllezër, më është mbushur mendja për ju, se edhe ju jeni plot mirësi, plot me çdo njohuri, të zotë të këshilloni njëri-tjetrin.
15 Por unë ju shkrova në një farë shkalle më me guxim që t’ju kujtoj për hirin që m’u dha prej Perëndisë,
16 që të jem shërbëtor i Jezu Krishtit pranë johebrenjve, duke punuar në shërbesën e shenjtëruar të ungjillit të Perëndisë, që oferta e johebrenjve të jetë e pëlqyer, dhe e shenjtëruar nga Fryma e Shenjtë.
17 Kam, pra, me se të mburrem në Jezu Krishtin për punët që kanë të bëjnë me Perëndinë.
18 Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t’i sjell në dëgjes johebrenjtë me fjalë dhe me vepër,
19 me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit,
20 duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetërit.
21 Por, sikurse është shkruar: “Ata, ndër të cilët nuk u qe shpallur, do të shohin, dhe ata që nuk kishin dëgjuar për të, do të kuptojnë.”