Revised Common Lectionary (Complementary)
67 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)
2 me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.
3 Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.
4 Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t’i gjykosh drejt popujt dhe do t’i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)
5 Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.
6 Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.
7 Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.
15 Shiko nga qielli dhe shiko nga banesa jote e shenjtë dhe e lavdishme. Ku është zelli yt dhe fuqia jote? Drithërima e të përbrendëshmeve të tua dhe dhembshuritë e tua të thella ndaj meje mos vallë janë shtypur?
16 Sepse ti je ati ynë, megjithëse Abrahami nuk na njihte dhe Izraeli nuk e di se ekzistojmë. Ti, o Zot, je ati ynë, Çliruesi ynë, emri yt vazhdon ngaherë.
17 O Zot, pse na bën që të endemi larg rrugëve të tua dhe pse fortëson zemrën tonë që të mos ketë frikë nga ti? Për hir të shërbëtorëve të tu, kthehu në fiset e trashëgimisë sate.
18 Brenda një kohe të shkurtër populli yt i shenjtë ka shtënë në dorë vendin; armiqtë tanë kanë shkelur shenjtëroren tënde.
19 Ne u bëmë si ata mbi të cilët nuk ke qeverisur kurrë, mbi të cilët emri yt nuk ishte thirrur kurrë.
19 Por në atë kohë erdhën disa Judenj nga Antiokia dhe nga Ikoni; ata, mbasi ia mbushën mendjen turmës, e gjuajtën me gurë Palin dhe, duke menduar se kishte vdekur, e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit.
20 Por, kur dishepujt u mblodhën rreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet; dhe të nesërmen u nis me Barnabën për në Derbë.
21 Dhe, mbasi ungjillëzuan atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listra, në Ikon dhe në Antioki,
22 duke fuqizuar shpirtërat e dishepujve dhe duke i këshilluar që të ngulmojnë në besim, dhe duke thënë se me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.
23 Dhe mbasi caktuan për ta pleqtë në çdo kishë, u lutën dhe agjëruan, i lanë në dorën e Zotit, në të cilin kishin besuar.
24 Dhe, mbasi e përshkuan Pisidinë, ardhën në Panfili.
25 Dhe, mbasi e shpallën fjalën në Pergë, zbritën në Atali.
26 Pastaj që andej lundruan për në Antioki, prej nga ishin rekomanduar në hir të Perëndisë për veprën që posa kishin kryer.
27 Si arritën atje, mblodhën kishën dhe treguan ç’gjëra të mëdha kishte kryer Perëndia me anë të tyre dhe si u kishte hapur johebrenjve derën e besimit.
28 Dhe qëndruan atje me dishepujt mjaft kohë.