Revised Common Lectionary (Complementary)
18 "Të dua, o Zot, forca ime.
2 Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.
3 Unë i kërkoj ndihmë Zotit, që është i denjë për t’u lëvduar, dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi.
4 Dhembje vdekjeje më kishin pushtuar dhe përrenj njerëzish të kobshëm më kishin tmerruar.
5 Ankthet e Sheolit më kishin rrethuar dhe leqet e vdekjes më rrinin përpara.
6 Në ankthin tim kërkova Zotin dhe i klitha Perëndisë tim; ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli i tij dhe zëri im arriti para tij, në veshët e tij.
7 Atëherë dheu u trondit dhe u drodh; edhe themelet e maleve luajtën dhe ranë, sepse ai ishte zemëruar shumë.
8 Një tym i dilte nga flegrat e tij dhe një zjarr shkatërrimtar dilte nga goja e tij; nga ai shpërthenin thëngjij.
9 Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij;
10 i kishte hipur një kerubini dhe fluturonte; fluturonte shpejt mbi krahët e erës.
11 Me terrin ai kishte bërë velin e tij dhe si shatorre rreth vetes kishte vënë errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.
12 Nga shkëlqimi që e paraprinte dilnin re të dendura, brësher dhe thëngjij.
13 Zoti gjëmoi në qiejtë dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij.
14 Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap.
15 Në qortimin tënd, o Zot, në shfryrjen e erës nga flegrat e tua, shtretërit e lumenjve u dukën dhe themelet e botës u zbuluan.
16 Ai nga lart shtriu dorën, më mori dhe më nxori jashtë ujërave të shumta.
17 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë.
18 Ata u vërsulën kundër meje ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti mbajti anën time,
19 dhe më nxori jashtë, larg; më çliroi sepse më do.
11 Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në muajin e dytë dhe në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, në atë ditë tërë burimet e humnerës së madhe shpërthyen dhe kataraktet e qiellit u hapën.
12 Dhe ra shi mbi tokë për dyzet ditë dhe dyzet net.
13 Po atë ditë hynë në arkë Noeu dhe bijtë e tij Semi, Kami dhe Jafeti, gruaja e Noeut si dhe tri gratë e bijve të tij me ta;
14 ata dhe të gjitha bishat simbas llojit, tërë bagëtia simbas llojit të saj, të gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokën simbas llojit të tyre, tërë zogjtë simbas llojit të tyre, tërë zogjtë e çfarëdo lloji.
15 Ata erdhën te Noeu në arkë, dy nga dy, prej çdo mishi që ka frymë jete;
16 hynë, mashkull e femër, nga çdo mish, ashtu si Perëndia e kishte porositur Noeun; pastaj Zoti i mbylli brenda.
17 Dhe përmbytja ra mbi tokë për dyzet ditë me radhë; dhe ujërat u rritën dhe e ngritën arkën lart mbi tokë.
18 Ujërat u shtuan dhe u rritën shumë mbi tokë, arka pluskonte mbi sipërfaqen e ujërave.
19 Dhe ujërat u shtuan me forcë të madhe mbi tokë; të gjitha malet e larta që ndodheshin nën tërë qiellin u mbuluan.
20 Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kubitë mbi to; dhe malet u mbuluan prej tyre.
21 Kështu u shuan të gjitha llojet e mishit që lëviznin mbi tokë: zogjtë, bagëtia, bishat, rrëshqanorët e çdo lloji që zvarriteshin mbi tokë dhe tërë njerëzit.
22 Vdiq çdo gjë që ishte mbi tokën e thatë dhe që kishte frymë jete në vrimat e hundës.
23 Dhe të gjitha gjallesat që ishin mbi faqen e dheut u shfarosën: duke filluar nga njeriu deri te bagëtia, te gjarpërinjtë dhe zogjtë e qiellit; ato u shfarosën nga toka dhe shpëtoi vetëm Noeu bashkë me ata që ishin me të në arkë.
24 Dhe ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë.
8 Pastaj Perëndisë iu kujtua Noeu, të gjitha gjallesat dhe tërë bagëtia që ishte me të në arkë; dhe Perëndia bëri që të fryjë një erë mbi tokë dhe ujërat e ulën lartësinë e tyre.
2 Burimet e humnerës dhe kataraktet e qiellit u mbyllën dhe shiu nga qielli pushoi.
3 Dhe ujërat vazhduan të tërhiqeshin nga toka; dhe mbas njëqind e pesëdhjetë ditësh ishin pakësuar.
4 Në muajin e shtatë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka u ndal në malet e Araratit.
5 Dhe ujërat vazhduan të pakësohen deri në muajin e dhjetë. Në muajin e dhjetë, ditën e parë të muajit, u dukën majat e maleve.
4 Sepse, në qoftë se Perëndia nuk i kurseu ëngjëjt që mëkatuan, por i hodhi në tartar të lidhur me pranga terri që të ruhen për gjyq;
5 dhe nuk kurseu botën e lashtë, por shpëtoi bashkë me shtatë të tjerë Noeun, predikues të drejtësisë, kur solli përmbytjen mbi botën e të pabesëve,
6 edhe dënoi me shkatërrim qytetet e Sodomës dhe të Gomorës, duke i bërë hi, dhe i bëri shëmbull për ata që në të ardhmen do të jetonin pabesisht,
7 dhe e liroi të drejtin Lot, që helmohej nga sjellja imorale e këtyre të çoroditurve
8 (sepse ky i drejtë banonte në mes tyre e mundonte për ditë shpirtin e tij të drejtë duke shikuar dhe duke dëgjuar veprat e tyre të poshtra),
9 Zoti di t’i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit dhe t’i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjyqit,
10 sidomos ata që shkojnë pas mishit në lakminë e fëlliqësisë dhe e përbuzin pushtetin. Ata janë të paturpshëm, arrogant dhe nuk druajnë të blasfemojnë dinjitetet;