Revised Common Lectionary (Complementary)
9 Atje hyri në një shpellë dhe aty kaloi natën. Dhe ja, fjala e Zotit iu drejtua dhe i tha: "Ç’bën këtu Elia?".
10 Ai u përgjigj: "Më nxiti një zili e madhe për Zotin, Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit e kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët e tu dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata kërkojnë të më vrasin".
11 Perëndia i tha: "Dil dhe ndalu mbi malin përpara Zotit". Dhe ja, po kalonte Zoti. Një erë e fortë dhe e furishme çante malet dhe thyente shkëmbinjtë përpara Zotit, por Zoti nuk ishte në erë. Mbas erës ra një tërmet, por Zoti nuk ishte në tërmet.
12 Mbas tërmetit ra një zjarr, por Zoti nuk ishte në zjarr. Mbas zjarrit u dëgjua një zë, si një shushuritje e ëmbël.
13 Sa e dëgjoi këtë, Elia e mbuloi fytyrën me mantelin, doli dhe u ndal në hyrje të shpellës; dhe ja, një zë i tha: Ç’bën aty Elia?".
14 Ai u përgjigj: "U nxita nga një zili e madhe për Zotin, për Perëndinë e ushtrive, sepse bijtë e Izraelit kanë braktisur besëlidhjen tënde, kanë prishur altarët dhe kanë vrarë me shpatë profetët e tu. Kam mbetur vetëm unë dhe ata përpiqen të më vrasin".
15 Zoti i tha: "Shko, merr përsëri rrugën e kthimit deri në shkretëtirën e Damaskut; kur të arrish aty, do ta vajosësh Hazaelin mbret të Sirisë.
16 Do të vajosësh gjithashtu Jehun, birin e Nimshit, mbret të Izraelit; do të vajosësh pastaj Eliseun, birin e Shafatit nga Abel-Melohahu, si profet në vendin tënd.
17 Kështu që ai që do të shpëtojë nga shpata e Hazaelit, do të vritet nga Jehu; dhe ai që do të shpëtojë nga shpata e Jehut, do të vritet nga Eliseu.
18 Por kam lënë në Izrael një tepricë prej shtatë mijë njerëzish; të gjithë nuk janë gjunjëzuar përpara Baalit dhe nuk e kanë puthur me buzët e tyre".
8 Una kam për të dëgjuar atë që Perëndia, Zoti, ka për të thënë; me siguri ai do t’i flasë për paqe popullit të tij dhe shenjtorëve të tij, por nuk do të lejojë që ata të jetojnë përsëri si njerëz pa mend.
9 Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij, sepse lavdia e tij mund të banojë në vendin tonë.
10 Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën.
11 E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli.
12 Po, Zoti do të japë atë që është e mirë, dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj.
13 Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij.
5 Sepse Moisiu kështu e përshkruan drejtësinë që vjen nga ligji: “Njeriu që bën këto gjëra, do të rrojë me anë të tyre.”
6 Por drejtësia që vjen nga besimi thotë kështu: “Mos thuaj në zemrën tënde: “Kush do të ngjitet në qiell?.” Kjo do të thotë që të zbresë Krishti.
7 Ose: “Kush do të zbresë në humnerë?.” Kjo do të thotë që të sjellë lart Krishtin prej së vdekurish.
8 Po ç’thotë, pra? “Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde.” Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë;
9 sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh.
10 Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim,
11 sepse Shkrimi thotë: “Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet.”
12 Sepse nuk ka dallim në mes Judeut dhe Grekut, sepse një i vetëm është Perëndia i të gjithëve, i pasur ndaj të gjithë atyre që e thërrasin.
13 Në fakt: “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.”
14 Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?
15 Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!.”
22 Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t’i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t’i lëshojë turmat.
23 Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t’u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare.
24 Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.
25 Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.
26 Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: “Éshtë një fantazmë!.” Dhe filluan të bërtasin nga frika;
27 por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: “Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!.”
28 Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: “Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra.”
29 Ai tha: “Eja!.” Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.
30 Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: “O Zot, shpëtomë!.”
31 Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: “O njeri besimpak, pse dyshove?.”
32 Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.
33 Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: “Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!.”