Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 18:1-19

18 "Të dua, o Zot, forca ime.

Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.

Unë i kërkoj ndihmë Zotit, që është i denjë për t’u lëvduar, dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi.

Dhembje vdekjeje më kishin pushtuar dhe përrenj njerëzish të kobshëm më kishin tmerruar.

Ankthet e Sheolit më kishin rrethuar dhe leqet e vdekjes më rrinin përpara.

Në ankthin tim kërkova Zotin dhe i klitha Perëndisë tim; ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli i tij dhe zëri im arriti para tij, në veshët e tij.

Atëherë dheu u trondit dhe u drodh; edhe themelet e maleve luajtën dhe ranë, sepse ai ishte zemëruar shumë.

Një tym i dilte nga flegrat e tij dhe një zjarr shkatërrimtar dilte nga goja e tij; nga ai shpërthenin thëngjij.

Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij;

10 i kishte hipur një kerubini dhe fluturonte; fluturonte shpejt mbi krahët e erës.

11 Me terrin ai kishte bërë velin e tij dhe si shatorre rreth vetes kishte vënë errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.

12 Nga shkëlqimi që e paraprinte dilnin re të dendura, brësher dhe thëngjij.

13 Zoti gjëmoi në qiejtë dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij.

14 Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap.

15 Në qortimin tënd, o Zot, në shfryrjen e erës nga flegrat e tua, shtretërit e lumenjve u dukën dhe themelet e botës u zbuluan.

16 Ai nga lart shtriu dorën, më mori dhe më nxori jashtë ujërave të shumta.

17 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë.

18 Ata u vërsulën kundër meje ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti mbajti anën time,

19 dhe më nxori jashtë, larg; më çliroi sepse më do.

Jobi 36:24-33

24 Kujtohu të lartësosh veprat e tij, që njerëzit i kanë kënduar;

25 tërë njerëzit i admirojnë, vdekatari mund t’i soditë nga larg.

26 Po, Perëndia është i madh, por ne nuk e njohim, dhe numri i viteve të tij është i panjohshëm.

27 Ai tërheq atje lart pikat e ujit në formë avulli, i cili dëndësohet pastaj në shi,

28 që retë zbrazin dhe lëshojnë mbi njeriun në sasi të madhe.

29 Kush mund të kuptojë shtjellimin e reve, shungullimën që shpërthen në çadrën e tij?

30 Ja, ai përhap rreth vetes dritën e tij dhe mbulon thellësitë e detit.

31 Me anë të tyre dënon popujt dhe jep ushqime me shumicë.

32 Mbulon duart me rrufetë dhe i urdhëron ato të godasin shenjën.

33 Bubullima flet për të, edhe bagëtia e ndjen furtunën që po vjen.

Jobi 37:14-24

14 Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë!

15 A e di ti si i drejton Perëndia dhe si bën të shkëlqejë shkrepëtima e reve të tij?

16 A e di ti si rrinë pezull retë në ajër, mrekullitë e atij që i di të gjitha?

17 A e di ti përse rrobat e tua janë të ngrohta, kur toka pushon për shkak të erës së jugut?

18 Vallë a e ke shtrirë ti bashkë me të kupën qiellore, duke e bërë të fortë si një pasqyrë prej metali të shkrirë?

19 Na mëso se çfarë duhet t’i themi, sepse ne nuk mund të përgatisim shkakun tonë për errësirën.

20 A mund t’i thuhet vallë se unë dua të flas? Në rast se një njeri duhet të fliste, do të shkatërrohej me siguri.

21 Edhe tani askush nuk mund ta shikojë diellin me ngulm kur shkëlqen në qiell, mbas kalimit të erës që e ka bërë pa re.

22 Koha e bukur vjen nga veriu, por rreth Perëndisë kemi një madhështi të hatashme.

23 Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë. Ai është i madhërishëm për nga fuqia, nga ndershmëria dhe nga drejtësia; ai nuk shtyp asnjeri.

24 Prandaj njerëzit e kanë frikë; por ai nuk e përfill atë që e quan veten të ditur".

Mateu 8:23-27

23 Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.

24 Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.

25 Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: “O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!”

26 Por ai u tha atyre: “Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?.” Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.

27 Atëherë njërëzit u mrekulluan dhe thoshnin: “Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?.”