Revised Common Lectionary (Complementary)
8 O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)
9 Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.
10 Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.
11 Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.
12 O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!
13 Atëherë Danielin e sollën në prani të mbretit; mbreti i foli Danielit dhe i tha: "A je ti Danieli, një nga të mërguarit e Judës, që mbreti, ati im, solli nga Juda?
14 Kam dëgjuar të thonë për ty që fryma e perëndive është te ti, dhe se te ti gjenden dritë, mënçuri dhe një dituri e jashtëzakonshme.
15 Tani kanë sjellë pranë meje njerëz të ditur dhe astrologë me qëllim që të lexojnë këtë shkrim dhe të më bëjnë të njohur interpretimin e tij; por ata nuk kanë qenë të zotë të më jepnin interpretimin e çështjes.
16 Kam dëgjuar ndërkaq të thuhet se ti je në gjendje të japësh interpretimin dhe të zgjidhësh çështje të ndërlikuara. Tani në rast se je i zoti të lexosh këtë shkrim dhe të më bësh të njohur interpretimin e tij, ti do të vishesh me rroba të purpurta, do të mbash një gjerdan ari në qafë dhe do të jesh i treti në qeverisjen e mbretërisë".
17 Atëherë Danieli u përgjigj dhe tha para mbretit: "Mbaji, pra, dhuratat e tua dhe jepi një tjetri shpërblimet e tua; megjithatë unë do t’ia lexoj shkrimin mbretit dhe do t’i bëj të njohur interpretimin.
18 O mbret, Perëndia Shumë i Lartë i kishte dhënë Nebukadnetsarit, atit tënd, mbretëri, madhështi, lavdi dhe madhëri.
19 Për madhështinë që i kishte dhënë, tërë popujt, tërë kombet dhe gjuhët dridheshin dhe kishin frikë para atij; ai vriste kë të donte dhe linte të gjallë kë të donte, ngrinte kë të donte dhe ulte kë të donte.
20 Po, kur zemra e tij u ngrit dhe fryma e tij u ngurtësua deri në arrogancë, ai u rrëzua nga froni mbretëror dhe iu hoq lavdia e tij.
21 Pastaj u dëbua nga bijtë e njerëzve, zemra e tij u bë e ngjashme me atë të kafshëve të tij dhe banesa e tij me atë të gomarëve të egër; i dhanë bar për të ngrënë si qetë dhe trupi i tij u lag nga vesa e qiellit, deri sa pranoi që Perëndia Shumë i Lartë sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe mbi të vendos atë që do.
22 Por ti Belshatsar, biri i tij, megjithëse e dije gjithë këtë, nuk e ke përulur zemrën tënde;
23 përkundrazi je ngritur kundër Zotit të qiellit, urdhërove të të sjellin përpara vazot e tempullit të tij, dhe me to keni pirë verë ti dhe të mëdhenjtë e tu, bashkëshortet e tua dhe konkubinat e tua. Përveç kësaj ke lëvduar perënditë prej argjendi, prej ari, prej bronzi, prej druri e guri, që nuk shohin, nuk dëgjojnë dhe nuk kuptojnë, dhe nuk ke përlëvduar Perëndinë, në dorën e të cilit është fryma jote jetësore dhe të cilës i përkasin tërë rrugët e tua.
24 Prandaj nga prania e tij u dërgua pjesa e asaj dore, që ka shkruar shkrimin.
25 Ky është shkrimi që u vizatua: MENE, MENE, TEKEL UFARSIN.
26 Ky është interpretimi i çdo fjale: MENE: Zoti ka bërë llogarinë e mbretërisë sate dhe i ka dhënë fund.
27 TEKEL: ti u peshove në peshoret dhe u gjet që të mungonte diçka.
28 PERES: mbretëria jote u nda dhe iu dha Medasve dhe Persianëve".
29 Atëherë, me urdhër të Belshatsarit, Danieli u vesh me të purpurta, i vunë në qafë një gjerdan ari dhe shpallën që ai do të ishte i treti në qeverimin e mbretërisë.
30 Po atë natë Belshatsari, mbreti i Kaldeasve, u vra;
31 dhe Dari, Medasi, mori mbretërinë në moshën gjashtëdhjetë e dy vjeç.
28 “Ç’mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: Bir, shko sot të punosh në vreshtin timm";
29 por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi.
30 Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj," por nuk shkoi.
31 Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?.” Ata i thanë: “I pari.” Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve.
32 Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t’i besuar.”