Revised Common Lectionary (Complementary)
57 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, ki mëshirë për mua, sepse shpirti im gjen strehë te ti; gjej strehë në hijen e krahëve të tu deri sa të kalojnë fatkeqësitë.
2 Unë do t’i thërras Perëndisë, Shumë të Lartit, Perëndisë që kryen çdo gjë për mua.
3 Ai do të dërgojë nga qielli për të më shpëtuar, ai qorton ashpër atë që dëshiron të më përpijë. (Sela) Perëndia do të dërgoj mirësinë e tij dhe të vërtetën e tij.
4 Shpirti im është si në mes të luanëve; banoj midis njerëzve që vjellin zjarr, midis njerëzve dhëmbët e të cilëve janë shtiza dhe shigjeta, dhe gjuha e tyre është një shpatë e mprehur mirë.
5 U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; shkëlqeftë lavdia jote mbi të gjithë tokën.
6 Ata kanë shtrirë një rrjetë mbi hapat e mia; unë jam i tëri i kërrusur; kanë hapur një gropë para meje, por ata vetë ranë brenda. (Sela)
7 Zemra ime është e prirur mirë, o Perëndi, zemra ime është e prirur mirë; unë do të këndoj dhe do të lëvdoj.
8 Rizgjohu, fryma ime; rizgjohuni, psaltir dhe qeste; unë do të rizgjoj agimin.
9 Do të të kremtoj midis popujve, o Zot, do të këndoj lavdet e tua midis kombeve,
10 sepse e madhe deri në qiell është mirësia jote, dhe e vërteta jote arrin deri në retë.
11 U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; lavdia jote shkëlqeftë mbi të gjithë tokën.
2 Në Maon jetonte një njeri pronat e të cilit ndodheshin në Karmel; ky njeri ishte shumë i pasur; kishte tre mijë dele dhe një mijë dhi, dhe ndodhej në Karmel për të qethur delet e tij.
3 Ky njeri quhej Nabal dhe gruaja e tij Abigail; ajo ishte një grua me gjykim të shëndoshë dhe e hijshme, por burri i saj ishte i ashpër dhe i keq në veprimet e tij; ai rridhte nga Kalebi.
4 Kur Davidi mësoi në shkretëtirë që Nabali ishte duke qethur delet e tij,
5 dërgoi dhjetë të rinj; Davidi u tha të rinjve: "Ngjituni në Karmel, shkoni tek Nabali dhe pyeteni nga ana ime në se është mirë,
6 dhe i thoni kështu: "Shëndet! Paqe ty, paqe shtëpisë sate dhe paqe çdo gjëje që të përket!
7 Mësova që te ti ndodhen qethësit; kur barinjtë e tu ndodheshin te ne, nuk u kemi bërë asnjë të keqe, dhe nuk u ka munguar gjë gjatë kohës që kanë qenë në Karmel.
8 Pyet shërbëtorët e tu dhe do të ta thonë. Paçin hirin tënd këta të rinj, sepse kemi ardhur në një ditë gëzimi; jepu, të lutem, shërbëtorëve të tu dhe birit tënd David ç’të kesh mundësi"".
9 Kështu të rinjtë e Davidit shkuan dhe i njoftuan Nabalit tërë këto fjalë në emër të Davidit, pastaj pritën.
10 Por Nabali iu përgjegj shërbëtorëve të Davidit, duke thënë: "Kush është Davidi dhe kush është biri i Isait? Sot ka shumë shërbëtorë që largohen nga zotërinjtë e tyre.
11 Do të marr, pra, bukën time, ujin tim dhe mishin e kafshëve që kam vrarë për qethësit e mi, për t’ua dhënë njerëzve që unë nuk di se nga vijnë?".
12 Kështu të rinjtë e Davidit morën përsëri rrugën e tyre, u kthyen dhe shkuan të njoftojnë tërë këto fjalë.
13 Atëherë Davidi u tha njerëzve të tij: "Secili do të ngjesh shpatën". Kështu secili ngjeshi shpatën e tij dhe Davidi ngjeshi të vetën; rreth katërqind veta shkuan pas Davidit dhe dyqind mbetën me plaçkat.
14 Por një nga shërbëtorët e lajmëroi Abigailin, gruan e Nabalit, duke thënë: "Ja, Davidi ka dërguar lajmëtarë nga shkretëtira për të përshëndetur zotin tonë, por ai i ka fyer.
15 Mirëpo këta njerëz janë sjellë shumë mirë me ne, nuk na kanë bërë asnjë të keqe dhe nuk ka munguar asgjë në kohën që kemi bredhur bashkë me ta nëpër fusha.
16 Ata kanë qenë për ne një mur mbrojtjeje natën e ditën për gjithë kohën që kemi kullotur bashkë me ta kopenë tonë.
17 Dije dhe shiko atë që duhet të bësh, sepse ka për t’i ngjarë ndonjë fatkeqësi zotit tonë dhe tërë shtëpisë së tij; ai është një njeri aq i keq, sa nuk mund t’i flasësh".
18 Atëherë Abigaili mori me nxitim dyqind bukë, dy calikë verë, pesë dele të gatuara, pesë masa gruri të pjekur, njëqind vile rrush të thatë dhe dyqind bukë fiku dhe i ngarkoi mbi gomarë.
19 Pastaj u tha shërbëtorëve të saj: "Shkoni para meje, unë do t’ju ndjek". Por nuk i tha asgjë Nabalit, burrit të saj.
20 Ndërsa ajo po zbriste hipur mbi gomar nëpër një shteg të fshehur nga mali, Davidi dhe njerëzit e tij zbrisnin në drejtim të saj, dhe ajo i ndeshi ata.
21 Davidi kishte thënë: "Kam ruajtur më kot tërë ato që ai njeri kishte në shkretëtirë. Nuk i ka dalë mangut kurrë asgjë nga tërë ato që kishte, por ai ma ktheu të mirën me të keqe.
22 Kështu ua bëftë Perëndia armiqve të Davidit, madje edhe më keq, në rast se nga të gjitha ato që ai zotëron kam për të lënë të gjallë një mashkull të vetëm deri në mëngjes".
6 A guxon ndonjë nga ju, kur ka ndonjë çështje kundër një tjetri, të gjykohet përpara të padrejtëve dhe jo përpara shenjtorëve?
2 A nuk e dini ju se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe nëse bota do të gjykohet nga ju, a thua nuk jeni të zotët të gjykoni gjërat më të vogla?
3 A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj? Dhe aq më tepër mund të gjykojmë gjërat e kësaj jete!
4 Pra, në qoftë se keni për të gjykuar çështje të kësaj jete, vini gjykatës ata që çmohen më pak në kishë.
5 Këtë e them për turpin tuaj. Kështu midis jush nuk paska asnjë të urtë, i cili të jetë i zoti të gjykojë në mes të vëllezërve të tij?
6 Por një vëlla hyn në gjyq me të vë-llanë, dhe kjo përpara të pabesëve.
7 Gjithsesi është një e keqe që të keni gjyqe njëri me tjetrin. Pse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet padrejtësi? Pse nuk lejoni më mirë që të mashtroheni?
8 Po, përkundrazi, ju bëni padrejtësi dhe mashtroni, dhe këto ua bëni vëllezërve.
9 A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët,
10 as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
11 Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.