Revised Common Lectionary (Complementary)
61 O Perëndi, dëgjo britmën time; dëgjo me vëmendje lutjen time.
2 Nga skaji i tokës unë të bërtas ty, ndërsa zemra ime po shkrihet; më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë,
3 sepse ti ke qenë një strehë për mua dhe një kështjellë e fortifikuar para armikut.
4 Unë do të banoj në çadrën tënde për gjithnjë, do të kërkoj strehë në hijen e krahëve të tu. (Sela)
5 Sepse ti, o Perëndi, ke plotësuar kërkesat e mia, më ke dhënë trashëgiminë e atyre që kanë frikë nga emri yt.
6 Ti do t’i shtosh ditë të tjera jetës së mbretit; vitet e tij vazhdofshin për shumë breza.
7 Ai do të qëndrojë për gjithnjë në prani të Perëndisë; jepi urdhër mirësisë dhe së vërtetës ta ruajnë.
8 Kështu do t’i këndoj përjetë lavde emrit tënd dhe do t’i plotësoj zotimet e mia ditë për ditë.
19 Profeti i tha: "Shko i qetë!". Kështu u nda prej tij dhe bëri një copë rrugë të mirë.
20 Por Gehazi, shërbëtori i Eliseut, njeriut të Perëndisë, tha me veten e tij: "Ja, zoti im është sjellë tepër mirë me Naamanin, me këtë Sirian, duke mos pranuar nga dora e tij atë që ai kishte sjellë; siç është e vërtetë që Zoti rron, do ta ndjekë nga pas dhe do të marr diçka prej tij".
21 Kështu Gehazi ndoqi Naamanin; kur Naamani pa që ai vraponte prapa tij, u hodh nga qerrja për t’i dalë përballë dhe i tha: "A shkon çdo gjë mirë?".
22 Ai u përgjigj: "Çdo gjë mirë. Zoti im më dërgon të të them: "Ja, pikërisht tani kanë ardhur tek unë nga krahina malore e Efraimit dy të rinj nga dishepujt e profetëve; të lutem, jepu atyre një talent argjendi dhe dy palë rroba"".
23 Atëherë Naamani tha: "Të lutem, prano dy talenta!," dhe insistoi me të. Pastaj lidhi dy talenta prej argjendi, në dy thasët me dy palë rroba dhe ua dorëzoi dy prej shërbëtorëve të tij, që i bartën para tij.
24 Kur arriti në kodër, mori thasët nga duart e tyre, i rivendosi në shtëpi; pastaj i ktheu prapa njerëzit, që ikën.
25 Pastaj shkoi të paraqitet përpara zotit të tij, Eliseu i tha: "Ku ke vajtur, Gehazi?". Ai u përgjigj: "Shërbëtori yt nuk ka vajtur asgjëkundi".
26 Por Eliseu i tha: "Fryma ime, vallë a nuk të ka ndjekur, kur ai njeri u kthye prapa nga qerrja e tij që të të dalë përpara? Vallë, tani është çasti për të marrë para, për të marrë rroba, ullishte dhe vreshta, dele dhe lopë, skllevër dhe skllave?
27 Prandaj lebra e Naamanit do të të ngjitet ty dhe pasardhësve të tu përjetë". Kështu Gehazi doli nga prania e Eliseut lebroz i tëri, i bardhë si bora.
10 Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij.
11 Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit,
12 sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.
13 Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë.
14 Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë,
15 dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes,
16 mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.
17 Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,
18 duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët,
19 dhe edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas lirësisht për ta bërë të njohur misterin e ungjillit,
20 për të cilin jam i dërguari në pranga, që të mund të shpall lirësisht, siç e kam për detyrë.