Revised Common Lectionary (Complementary)
37 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,
2 sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.
3 Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.
4 Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.
5 Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.
6 Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.
7 Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.
8 Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.
9 Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.
8 Kështu Rabshakehu u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë që rrethonte Libnahun, sepse kishte mësuar që ai qe nisur nga Lakishi.
9 Por ai mori lajme nga Tirhakahu, mbret i Etiopisë, të cilat thonin: "Ja, ai lëvizi për të luftuar kundër teje". Atëherë i dërgoi përsëri lajmëtarë Ezekias, duke i thënë:
10 "Do t’i flisni kështu Ezekias, mbretit të Judës, duke i thënë: "Mos e lër që Perëndia yt, tek i cili ke besim, të të mashtrojë duke thënë: Jeruzalemi nuk do të jepet në duart e mbretit të Asirisë.
11 Ja, ti ke dëgjuar atë që mbretërit e Asirisë u kanë bërë tërë vendeve, duke vendosur shkatërrimin e tyre. A do të shpëtoje ti vetëm?
12 A i kanë çliruar, vallë perënditë e kombeve ata që etërit e mi kanë shkatërruar: Gozanin, Haranin, Retsefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?
13 Ku janë mbreti i Hamathit, mbret i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?".
14 Ezekia e mori letrën nga duart e lajmëtarëve dhe e lexoi; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe e shtriu para Zotit.
15 Pastaj Ezekia filloi të lutet para Zotit duke thënë: "O Zot, Perëndia i Izraelit, që ulesh mbi kerubinët, ti je Perëndia, i vetmi, i të tëra mbretërive të tokës. Ti ke bërë qiejtë dhe tokën.
16 Vër veshin, o Zot, dhe dëgjo; hap sytë, o Zot, dhe shiko! Dëgjo fjalët e Senakeribit, që ka dërguar këtë njeri për të fyer Perëndinë e gjallë!
17 Éshtë e vërtetë, o Zot, që mbretërit e Asirisë kanë shkatërruar kombet dhe vendet e larta,
18 kanë hedhur në zjarr perënditë e tyre, sepse ato ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, dru dhe gur; prandaj i shkatërruan.
19 Por tani, o Zot, na shpëto, të lutem, nga duart e tij, me qëllim që tërë mbretëritë e tokës të dinë që ti vetëm, o Zot, je Perëndia".
20 Atëherë Isaia, bir i Amotsit, dërgoi t’i thotë Ezekias: "Kështu flet Zoti, Perëndi i Izraelit: "Dëgjova lutjen që ti me drejtove për Senakeribin, mbretin e Asirisë.
35 Atë natë ndodhi që engjëlli i Zotit doli dhe vrau në kampin e Asirëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë njerëz; kur njerëzit u ngritën në mëngjes, ja të gjithë ishin bërë kufoma.
36 Atëherë Senakeribi, mbret i Asirisë, ngriti çadrat, u nis e u kthye në shtëpi, dhe mbeti në Ninivë.
37 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po adhuronte në shtëpinë e perëndisë së tij Nisrok, bijtë e tij Adrameleku dhe Sharetseri e vranë me goditje të shpatës; pastaj u strehuan në vendin e Araratit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Esarhadoni.
12 “Dhe engjëllit të kishës në Pergam, shkruaji: Këto gjëra thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehë:
13 Unë i di veprat e tua dhe ku banon, atje ku është froni i Satanit; dhe ti mbahesh fort tek emri im dhe nuk e mohove besimin në mua, edhe në ato ditë kur Antipa, dëshmitari im, besnik, u vra midis jush, atje ku banon Satani.
14 Por kam disa gjëra kundër teje: sepse ke aty disa që mbajnë mësimin e Balaamit, i cili e mësoi Balakun t’u vërë një gurë pengese përpara bjive të Izraelit që të hanë flijime idhujsh dhe të kurvërojnë.
15 Kështu ti ke edhe disa që mbajnë mësimin e Nikolaitëve, të cilën gjë e urrej.
16 Pendohu, përndryshe do të vij së shpejti te ti dhe do të luftoj kundër tyre me shpatën e gojës sime.
17 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave: kujt fiton do t’i jap të hajë nga mana që është fshehur; dhe do t’i jap një gur të bardhë, dhe mbi gur është shkruar një emër i ri, të cilin s’e njeh askush, përveç atij që e merr.”
18 “Edhe engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: Këto gjëra thotë Biri i Perëndisë, ai që ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e tij janë të ngjashëm me bronz të shkëlqyeshëm.
19 Unë i njoh veprat e tua, dashurinë tënde, besimin tënd, shërbimin tënd, durimin tënd dhe di që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat.
20 Por kam disa gjëra kundër teje, sepse ti e lejon gruan Jezabel, që e quan veten profeteshë, të mësojë dhe t’i mashtrojë shërbëtorët e mi të kurvërojnë dhe të hanë gjëra të flijiuara idhujve.
21 Dhe i dhashë kohë që të pendohet për kurvërinë e saj, por ajo nuk u pendua.
22 Ja, unë e flakë atë në një shtrat vuajtjesh, dhe ata që kurvërojnë me të, në shtrëngim të madh, po nuk u penduan për veprat e tyre;
23 Dhe do t’i godas me vdekje bijtë e saj; dhe të gjitha kishat do të njohin se unë jam ai që heton mendjet dhe zemrat; dhe do t’i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave të veta.
24 Por juve dhe të tjerëve që janë në Tiatirë, që nuk kanë këtë doktrinë dhe nuk i kanë njohur thellësirat e Satanit, siç e quajnë ata, unë them: nuk do të vë barrë tjetër mbi ju;
25 por mbajeni fort atë që keni, derisa të vij.
26 Dhe kujt fiton dhe i ruan deri në fund veprat e mia, do t’i jap pushtet mbi kombet;
27 dhe ai do t’i qeverisë ata me një shufër hekuri dhe ata do të thyhen si enë argjile, sikurse mora edhe unë pushtet prej Atit tim;
28 dhe unë do t’i jap atij yllin e mëngjesit.
29 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave.”