Revised Common Lectionary (Complementary)
10 Unë thoja: "Në kulmin e ditëve të mia do të shkoj në portat e Sheolit; jam privuar nga mbetja e viteve të mia".
11 Thoja: "Nuk do ta shoh më Zotin, po, Zotin, mbi dheun e të gjallëve, midis banorëve të botës të të vdekurve nuk do të shoh më asnjë njeri.
12 Banesa ime tokësore është shkulur dhe u çua larg meje, si një çadër barinjsh. E kam mbështjellur jetën time si një endës. Ai më këputi nga vegja; nga dita në natë do t’i japësh fund jetës sime.
13 E qetësova veten deri në mëngjes; si një luan, ai i thyen tërë kockat e mia; me kalimin nga dita në natë do t’i japësh fund jetës sime.
14 Krakëllija si një lejlek apo një dallëndyshe, rënkoja si një pëllumbeshë; sytë e mi ishin të lodhur, duke shikuar lart. O Zot, jam i shtypur; bëhu ti garanti im.
15 Çfarë të them? Ai më ka folur dhe ai vetë e ka bërë këtë gjë. Unë do të eci ngadalë gjatë tërë viteve të mia, në hidhërimin e shpirtit tim.
16 O Zot, me këto gjëra ne jetojmë, dhe në të gjitha këto gjëra qëndron jeta e frymës sime; prandaj më shëro dhe më kthe jetën!
17 Ja, është për paqen time që kam provuar hidhërim të madh; por në dashurinë tënde ke çliruar shpirtin tim nga gropa e korruptimit, sepse i ke hedhur prapa krahëve të tua të tëra mëkatet e mia.
18 Sepse Sheoli nuk mund të të lëvdojë, vdekja nuk mund të të kremtojë; ata që zbresin në gropë nuk mund të shpresojnë më në besnikërinë tënde.
19 I gjalli, i gjalli është ai që të lëvdon, siç po bëj unë sot; ati do t’u njoftojë bijve besnikërinë tënde.
20 Zoti do të më shpëtojë; dhe ne do të këndojmë kantikët e mi me vegla me tela tërë ditët e jetës sonë në shtëpinë e Zotit".
6 Jeriko ishte i mbyllur dhe i mbrojtur mirë nga frika e bijve të Izraelit; askush nuk dilte dhe askush nuk hynte në të.
2 Zoti i tha Jozueut: "Shiko, unë të kam dhënë në dorë Jerikon, mbretin e tij dhe luftëtarët e tij trima.
3 Ju të gjithë, luftëtarët, do të marshoni rreth qytetit, do të silleni një herë rreth tij. Kështu do të bëni gjashtë ditë me radhë.
4 Shtatë priftërinj do të çojnë përpara arkës shtatë bori prej briri të dashit; por ditën e shtatë do të silleni rreth qytetit shtatë herë dhe priftërinjtë do t’u bien borive.
5 Kur ata t’u bien pa pushim brirëve të dashit dhe ju të dëgjoni zërin e borisë, tërë populli do të bëjë një ulurimë të madhe; atëherë muret e qytetit do të shemben dhe populli do të ngjitet, gjithsekush drejt, përpara.
6 Kështu Jozueu, bir i Nunit, thirri priftërinjtë dhe u tha atyre: "Merrni arkën e besëlidhjes dhe shtatë priftërinj të mbajnë shtatë bori prej briri të dashit përpara arkës së Zotit".
7 Pastaj i tha popullit: "Shkoni përpara dhe marshoni rreth qytetit, njerëzit e armatosur të ecin përpara arkës së Zotit".
8 Kështu, kur Jozueu mbaroi së foluri popullit, shtatë priftërinjtë që mbanin shtatë bori prej briri të dashit përpara Zotit nisën të marshojnë dhe u ranë borive; dhe arka e besëlidhjes së Zotit i ndiqte nga pas.
9 Njerëzit e armatosur marshonin përpara priftërinjve që u binin borive, kurse praparoja vinte pas arkës; gjatë marshimit priftërinjtë u binin borive.
10 Jozueu kishte urdhëruar popullin, duke i thënë: "Mos bërtitni, të mos dëgjohet as zëri juaj dhe të mos dalë asnjë fjalë nga goja juaj, deri ditën kur do t’ju them: "Bërtisni!". Atëherë do të bërtisni".
11 Kështu arka e Zotit u soll rreth qytetit një herë; pastaj u kthyen në kamp dhe aty e kaluan natën.
12 Jozueu u ngrit herët në mëngjes, dhe priftërinjtë morën arkën e Zotit.
13 Shtatë priftërinjtë, që mbanin shtatë boritë prej briri të dashit përpara arkës së Zotit, shkonin përpara dhe u binin borive. Njerëzit e armatosur marshonin para tyre, kurse praparoja vinte mbas arkës së Zotit; gjatë marshimit priftërinjtë u binin borive.
14 Ditën e dytë marshuan vetëm një herë rreth qytetit dhe pastaj u kthyen në kamp. Kështu vepruan gjashtë ditë me radhë.
15 Por ditën e shtatë u ngritën herët, në agim, dhe marshuan rreth qytetit në të njëjtën mënyrë shtatë herë; vetëm atë ditë marshuan shtatë herë rreth qytetit.
16 Herën e shtatë, kur priftërinjtë u ranë borive, Jozueu i tha popullit: Bërtisni, sepse Zoti ju dha qytetin!!
17 Qyteti do të shfaroset, ai dhe çdo gjë që është në të. Vetëm prostituta Rehab do të shpëtojë, ajo dhe gjithë ata që janë bashkë me të në shtëpi, sepse ajo fshehu vëzhguesit që ne kishim dërguar.
18 Por ju kini shumë kujdes lidhur me atë që është caktuar të shfaroset, që të mos jeni ju vetë të mallkuar, duke marrë diçka që është caktuar të shfaroset, dhe ta bëni kështu kampin e Izraelit të mallkuar, duke tërhequr mbi të fatkeqësi.
19 Por i gjithë argjendi, ari dhe sendet prej bronzi dhe hekuri i shenjtërohen Zotit; do të hyjnë në thesarin e Zotit".
20 Populli, pra, bërtiti kur priftërinjtë u ranë borive; dhe ndodhi që, kur populli dëgjoi tingullin e borive, nxori një britmë të madhe dhe muret u rrëzuan duke u shëmbur. Populli u ngjit në qytet, secili drejt, përpara, dhe e shtiu në dorë atë.
21 Dhe shfarosën gjithçka ishte në qytet, duke vrarë me shpatë burra e gra, fëmijë dhe pleq e madje qe, dele dhe gomarë.
29 Me anë të besimit kaluan nëpër Detin e Kuq si të ishte tokë e thatë, ndërsa kur Egjiptasit u përpoqën ta bëjnë, u mbytën.
30 Me anë të besimit ranë muret e Jerihos, pasi u suallën rreth tyre shtatë ditë.
31 Me anë të besimit Rahabi, një prostitutë, nuk humbi bashkë me ata që nuk besuan, sepse kishte pritur paqësisht zbuluesit.
32 Dhe ç’të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Jedeonin, Barakun, Sansonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe për profetët,
33 të cilët, me anë të fesë nënshtruan mbretërira, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve,
34 fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja.
35 Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes; e të tjerët u torturuan, sepse nuk pranuan çlirimin, për të fituar një ringjallje më të mirë.
36 Dhe të tjerë hoqën përqeshje dhe goditje, madje edhe pranga dhe burgime.
37 U vranë me gurë, me sharrë, u prenë, u vranë nga shpata, u endën të mbuluar me lëkurë dhënsh e dhish, nevojtarë, të pikë-lluar, të keqtrajtuar
38 (bota nuk ishte e denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut.
39 E pra, të gjithë këta, ndonëse morën dëshmim të mirë me anë të besimit, nuk morën atë që u ishte premtuar,
40 sepse Perëndia kishte paraparë diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.
12 Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh,
2 duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.