Revised Common Lectionary (Complementary)
106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?
3 Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.
4 Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,
5 me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.
6 Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.
13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.
14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.
15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.
16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,
17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.
18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.
19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,
20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.
21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,
22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.
23 Prandaj ai foli t’i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t’i shkatërronte.
47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.
48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.
9 Vetëm kini kujdes për veten tuaj dhe tregohuni të zellshëm për shpirtin tuaj, në mënyrë që të mos harroni gjërat që sytë tuaj kanë parë dhe këto të mos largohen nga zemra juaj për të gjitha ditët e jetës suaj. Por ua mësoni bijve tuaj dhe bijve të bijve tuaj,
10 veçanërisht për ditën gjatë së cilës jeni paraqitur para Zotit, Perëndisë tuaj në Horeb, kur Zoti më tha: "Më mblidh popullin dhe ai të dëgjojë fjalët e mia, që të mësojnë të më kenë frikë gjatë të gjitha ditëve që do të jetojnë mbi tokë dhe t’ua mësojnë bijve të tyre".
11 Atëherë ju u afruat dhe u ndalët në këmbët e malit; dhe mali digjej nga flakët që ngriheshin në mes të qiellit, dhe ishte rrethuar nga terrina, nga re dhe nga një errësirë e dëndur.
12 Dhe Zoti ju foli nga mesi i zjarrit; ju dëgjuat tingëllimin e fjalëve, por nuk patë asnjë figurë; dëgjuat vetëm një zë.
13 Kështu ai ju shpalli besëlidhjen e tij, që ju porositi të respektoni, domethënë të dhjetë urdhërimet; dhe i shkroi mbi dy pllaka prej guri.
14 Dhe mua, në atë kohë, Zoti më urdhëroi t’ju mësoj statutet dhe dekretet, që t’i zbatoni në vendin ku jeni duke hyrë për t’u bërë zotër të tij.
6 Duke ua propozuar këto gjëra vëllezërve, ti do të jesh një shërbyes i mirë i Jezu Krishtit, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë, që ke kuptuar plotësisht.
7 Shmangu pra nga përrallat profane dhe të të vjetërve, edhe ushtrohu në perëndishmëri,
8 sepse ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.
9 Kjo fjalë është e sigurt dhe e denjë për t’u pranuar në çdo mënyrë.
10 Për këtë, në fakt, ne po mundohemi dhe na shajnë, sepse kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve.
11 Urdhëro këto gjëra dhe mëso këto gjëra.
12 Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi.
13 Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë.
14 Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty, e cila të është dhënë me anë profecie, me vënien e duarve nga ana e pleqësisë.
15 Kujdesu për këto gjëra dhe kushtoju atyre tërësisht, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë.
16 Ruaje veten tënde dhe mësimin, qëndro në këto gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.