Revised Common Lectionary (Complementary)
146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.
2 Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.
3 Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.
4 Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.
5 Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,
6 që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,
7 që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.
8 Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.
9 Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.
10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.
27 Ja, emri i Zotit vjen nga larg; zemërimi i tij është i zjarrtë dhe barra e tij e rëndë; buzët e tij janë plot indinjatë dhe gjuha e tij si një zjarr që të përpin;
28 fryma e tij është si një përrua që vërshon dhe që arrin deri në qafë për të shoshitur kombet me shoshën e shkatërrimit dhe për të vënë në nofullat e popujve një fre që t’i bëjë të përdalin.
29 Atëherë do t’ia merrni një këngë si natën kur kremtoni një festë; dhe do të keni gëzim në zemër, ashtu si ai që shkon me zërin e fyellit në malin e Zotit, në kështjellën e Izraelit.
30 Pastaj Zoti do të bëjë të dëgjohet zëri i tij madhështor dhe do të tregojë si godet me krahun e tij kur tërbohet zemërimi i tij, në flakën e një zjarri gllabërues, në mes shpërthimesh të furishme, uraganësh dhe breshëri gurësh.
31 Me qenë se Asiria do të goditet nga frika e zërit të Zotit, që do ta rrahë me shufër;
32 dhe çdo goditje që do të jepet me shkopin të cilin Zoti do të bëjë t’i bjerë mbi të, do të shoqërohet nga tingujt e dajreve dhe të qesteve. Ai do të luftojë kundër asaj duke tundur dorën në mënyrë kërcënuese.
33 Tofeti është përgatitur prej shumë kohe, ai është gati edhe për mbretin; ky e ka bërë të thellë dhe të gjerë; mbi turrën e druve për ta djegur ka zjarr dhe dru me shumicë; fryma e Zotit, si një rrymë squfuri, do ta ndezë.
2 Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra.
2 Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi ata që bëjnë gjëra të tilla.
3 Dhe mendon, vallë, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra që edhe ti i bën, t’i shpëtosh gjykimit të Perëndisë?
4 Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?
5 Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë,
6 që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij:
7 jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira;
8 ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim.
9 Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, Judeut më parë e pastaj Grekut;
10 por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, Judeut më parë e pastaj Grekut.
11 Sepse te Perëndia nuk ka anësi.