Revised Common Lectionary (Complementary)
15 O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?
2 Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër,
3 që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij, dhe nuk shpif të afërmin e tij.
4 Në sytë e tij përçmohet njeriu pa vlerë, por ai ndërton ata që kanë frikë nga Zoti; edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet;
5 nuk i jep paratë e tij me kamatë dhe nuk pranon dhurata kundër të pafajshmit. Ai që bën këto gjëra nuk do të hiqet kurrë.
8 Dhe Moisiu nxitoi të përkulet deri në tokë, dhe adhuroi.
9 Pastaj tha: "O Perëndi, në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, eja në mes nesh, sepse ky është një popull me qafë të fortë; na fal padrejtësinë tonë dhe mëkatin tonë, dhe na merr si trashëgiminë tënde".
10 Zoti u përgjigj: "Ja, unë po bëj një besëlidhje: Do të bëj para gjithë popullit mrekulli, që nuk janë bërë kurrë mbi të gjithë dheun dhe në asnjë komb tjetër; dhe tërë populli në mes të të cilit ndodhesh do të shohë veprën e Zotit, sepse është e tmerrshme ajo që do të bëj me ty.
11 Kqyr atë që po të urdhëroj sot: Ja unë do t’i dëboj para teje Amorejtë, Kananejtë, Hitejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë.
12 Ruhu se bën ndonjë aleancë me banorët e vendit në të cilin ke për të vajtur, me qëllim që të mos jetë një grackë për ty;
13 por rrëzo altarët e tyre, copëto shtyllat e tyre të shenjta dhe rrëzo shëmbëlltyrat e tyre,
14 (sepse nuk do t’i përulesh një perëndi tjetër, sepse Zoti, emri i të cilit është "Xhelozi," është një Perëndi xheloz).
15 Mos bëj asnjë aleancë me banorët e vendit sepse, kur ata kurvërohen te idhujt e tyre dhe ofrojnë fli idhujve të tyre, ndokush prej tyre të fton dhe ti ha nga flitë e tyre,
16 dhe merr nga bijat e tyre për bijtë e tu, dhe vajzat e tyre të kurvërohen te idhujt e tyre dhe t’i shtyjnë bijtë e tu të kurvërohen te idhujt e tyre.
17 Nuk do të bësh idhull me metal të shkrirë.
18 Do të kremtosh festën e të ndormeve. Shtatë ditë me radhë do të hash bukë pa maja, ashtu siç të kam urdhëruar në kohën e caktuar, në muajin e Abibit, sepse në muajin e Abibit ti ke dalë nga Egjipti.
19 Kushdo që çel barkun është imi; është imja çdo pjellë e parë mashkull të të gjithë bagëtisë sate, qoftë e trashë ose e imët.
20 Do të shpengosh me një qengj pjellën e parë mashkull të gomarit; po të jetë se nuk do ta shpengosh, do t’i thyesh qafën. Do të shpengosh edhe çdo të parëlindur të bijve të tu. Asnjeri nuk do të paraqitet para meje duarbosh.
21 Do të punosh gjashtë ditë; por ditën e shtatë do të pushosh: do të pushosh edhe në kohën e lërimit dhe të korrjes.
22 Do të kremtosh festën e javëve, domethënë, të prodhimit të parë të korrjes së grurit dhe festën e të vjelave në fund të vitit.
23 Tri herë në vit do të paraqitet çdo mashkull i juaj para Perëndisë, Zotit, Perëndisë të Izraelit.
24 Sepse unë do të dëboj kombe para teje dhe do të zgjeroj kufijtë e tu, dhe askush nuk do të dëshirojë vendin tënd, kur do të ngjitesh tri herë në vit, për të dalë përpara Zotit, Perëndisë tënd.
25 Nuk do të ofrosh me bukë të mbrujtur gjakun e viktimës së flijuar për mua; flia e festës së Pashkës nuk do të lihet deri në mëngjes.
26 Do të çosh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, prodhimet e para të fryteve të tokës sate. Nuk do ta gatuash kecin në qumështin e nënës së tij".
27 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shkruaji këto fjalë, sepse mbi bazën e këtyre fjalëve kam përfunduar një aleancë me ty dhe me Izraelin".
28 Kështu Moisiu mbeti aty me Zotin dyzet ditë dhe dyzet net; nuk hëngri bukë as piu ujë. Dhe Zoti shkroi mbi pllakat fjalët e besëlidhjes, dhjetë urdhërimet.
28 Pastaj nga Kajafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën.
29 Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: “Ç’padi sillni kundër këtij njeriu?.”
30 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar.”
31 Atëherë Pilati u tha atyre: “Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj” Por Judenjtë i thanë: “Neve nuk na lejohet të vrasim njeri.”
32 Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç’vdekje duhej të vdiste.