Revised Common Lectionary (Complementary)
20 Zoti të dhënte përgjigje ditën e fatkeqësisë; emri i Perëndisë të Jakobit të mbroftë me siguri lart.
2 Të dërgoftë ndihmë nga shenjtërorja dhe të dhëntë përkrahje nga Sioni;
3 Mos i harroftë të gjitha ofertat e tua dhe pranoftë olokaustin tënd. (Sela)
4 Të dhëntë atë që zemra jote dëshëron dhe plotësoftë të gjitha planet e tua.
5 Ne do të këndojmë tërë gaz në çlirimin tënd dhe do të lartojmë flamuret tona në emër të Perëndisë tonë. Zoti i plotësoftë të gjitha kërkesat e tua.
6 Tani e di që Zoti shpëton të vajosurin e tij; do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë.
7 Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë.
8 Ata u përkulën dhe ranë; por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë.
9 Shpëtomë, o Zot; mbreti le të na përgjigjet ditën në të cilën do të këlthasim.
15 Por ditën në të cilën tabernakulli u ngrit, reja mbuloi tabernakullin, perden e dëshmisë; dhe që nga mbrëmja deri në mëngjes reja mbi tabernakullin kishte marrë një pamje zjarri.
16 Kështu ndodhte gjithnjë: reja e mbulonte tabernakullin gjatë ditës dhe natën kishte pamjen e një zjarri.
17 Sa herë që reja ngrihej mbi çadrën, bijtë e Izraelit niseshin për rrugë pas kësaj; dhe aty ku ndalej reja, aty bijtë e Izraelit vendosnin kampin e tyre.
18 Me urdhër të Zotit bijtë e Izraelit nisnin ecjen e tyre dhe me urdhër të tij fushonin; rrinin në kampin e tyre aq kohë sa qëndronte reja mbi tabernakull.
19 Kur reja qëndronte për shumë ditë mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit respektonin urdhrin e Zotit dhe nuk lëviznin.
20 Por në rast se reja ndalej vetëm pak ditë mbi tabernakullin, me urdhër të Zotit ata qëndronin në kampin e tyre dhe me urdhër të Zotit niseshin për rrugë.
21 Në rast se reja ndalej vetëm nga mbrëmja deri në mëngjes, kur ajo ngrihej në mëngjes, ata niseshin për rrugë; si ditën ashtu dhe natën, kur reja ngrihej, ata viheshin në lëvizje.
22 Në qoftë se reja qëndronte e palëvizshme mbi tabernakullin dy ditë, një muaj apo një vit, bijtë e Izraelit qëndronin në kampin e tyre dhe nuk lëviznin; por kur ajo ngrihej, ata nisnin udhëtimin.
23 Me urdhër të Zotit fushonin dhe me urdhër të tij viheshin në lëvizje; respektonin urdhrin e Zotit, simbas asaj që ai kishte urdhëruar me anë të Moisiut.
4 Pas këtyre gjërave, pashë dhe ja, një derë u hap në qiell dhe zëri i parë që kisha dëgjuar të fliste me mua si bori, tha: “Ngjitu këtu dhe do të të tregoj gjërat që duhet të ndodhin pas këtyre gjërave.”
2 Dhe menjëherë erdha në frymë; dhe ja, një fron ishte në qiell dhe mbi fron rrinte një i ulur.
3 Dhe ai që ishte ulur nga pamja i ngjante një guri diaspri dhe sardi; dhe rreth fronit ishte një ylber që i ngjante smeraldit.
4 Dhe rreth e qark fronit ishin njëzet e katër frone, dhe mbi frone pashë ndenjur njëzet e katër pleq të veshur me petka të bardha; dhe mbi kryet e tyre kishin kurora:
5 dhe nga froni shpërthenin vetëtima, bubullima dhe zëra; dhe përpara fronit ishin shtatë llamba të ndezura, që janë të shtatë Frymërat e Perëndisë.
6 Dhe përpara fronit ishte si një det i qelqtë që i ngjante kristalit, dhe në mes të fronit dhe përreth fronit katër kafshë, që ishin plot me sy përpara dhe prapa.
7 Qenia e parë e gjallë ishte e ngjashme me një luan, edhe qenia e dytë e gjallë e ngjashme me një viç, edhe qenia e tretë e gjallë kishte fytyrë si të njeriut, edhe e katërta ishte e ngjashme me një shqiponjë në fluturim.
8 Edhe të katër qeniet e gjalla kishin secila nga gjashtë krahë përqark, edhe përbrenda ishin plot me sy; dhe nuk pushojnë kurrë, as ditë as natë, duke thënë: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi, që ishte, që është dhe që do të vijë!.”