Revised Common Lectionary (Complementary)
115 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.
2 Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".
3 Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.
4 Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.
5 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,
6 kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,
7 kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.
8 Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.
9 O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.
13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.
14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.
15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.
16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.
17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.
18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.
5 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
6 "Merr Levitët ndër bijtë e Izraelit dhe pastroji.
7 Do të veprosh kështu për t’i pastruar: do të spërkatësh ujë mbi ta për t’i pastruar; pastaj do të heqin një brisk mbi tërë trupin e tyre, do të lajnë rrobat e tyre dhe do të pastrohen.
8 Pastaj do të marrin një dem të vogël me blatimin e ushqimit prej majë mielli të përzier me vaj ndërsa ti do të marrësh një dem tjetër si flijim për mëkatin.
9 Do t’i afrosh Levitët përpara çadrës së mbledhjes dhe do të thërrasësh tërë asamblenë e bijve të Izraelit.
10 Kështu do t’i afrosh Levitët përpara Zotit dhe bijtë e Izraelit do të vënë duart e tyre mbi Levitët;
11 pastaj Aaroni do t’i paraqesë Levitët si ofertë të tundur para Zotit nga ana e bijve të Izraelit, me qëllim që të kryejnë shërbimin e Zotit.
12 Pastaj Levitët do të vënë duart e tyre mbi kokën e demave të vegjël, dhe ti do të ofrosh njërin prej tyre si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust për Zotin, për të bërë shlyerjen për Levitët.
13 Do t’i mbash më këmbë Levitët përpara Aaronit dhe para bijve të tij dhe do t’i paraqitësh si një ofertë të tundur për Zotin.
14 Kështu do t’i ndash Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit dhe Levitët do të jenë të mitë.
15 Pas kësaj Levitët do të hyjnë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimin; kështu ti do t’i pastrosh dhe do t’i paraqitësh si një ofertë të tundur,
16 sepse më janë dhënë plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit; unë i mora për vete, në vend të të gjithë atyre që çelin barkun e nënës, në vend të të parëlindurve të të gjithë bijve të Izraelit.
17 Sepse të gjithë të parëlindurit e bijve të Izraelit, si të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, më takojnë mua; i shenjtërova për vete ditën që godita tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit.
18 Mora Levitët në vend të të gjithë të parëlindurve të bijve të Izraelit.
19 Dhe i dhurova Aaronit dhe bijve të tij Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit me qëllim që të kryejnë shërbimin e bijve të Izraelit në çadrën e mbledhjes dhe që të bëjnë shlyerjen për bijtë e Izraelit, që të mos ndodhë asnjë fatkeqësi midis bijve të Izraelit kur i afrohen shenjtërores".
20 Kështu vepruan Moisiu, Aaroni dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit me Levitët; bijtë e Izraelit u bënë Levitëve të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta.
21 Dhe Levitët u pastruan dhe i lanë rrobat e tyre; pastaj Aaroni i paraqiti si një ofertë të tundur përpara Zotit dhe bëri shlyerjen për ta, për t’i pastruar.
22 Pas kësaj Levitët hynë në çadrën e mbledhjes për të bërë shërbimin e tyre në prani të Aaronit dhe të bijve të tij. Ata u bënë Levitëve atë që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta.
1 Pali, shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, sipas besimit të të zgjedhurve të Perëndisë dhe njohjes të së vërtetës që është sipas perëndishmërisë,
2 në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave,
3 dhe që në kohë të caktuara e shfaqi fjalën e tij me anë të predikimit që m’u besua me urdhër të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,
4 Titit, birit të vërtetë në besimin e përbashkët: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë, Atit, dhe prej Zotit Jezu Krisht, Shpëtimtarit tonë.
5 Për këtë arsye të lashë në Kretë, që ti të ndreqësh mirë çështjet që janë për t’u bërë dhe që, në çdo qytet, të caktosh pleq, ashtu siç të porosita;
6 secili prej tyre të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje të vetme, të ketë fëmijë besimtarë, që të mos përfliten për jetë të shthurur dhe për pandëgjesë.
7 Sepse peshkopi, si administrues i shtëpisë së Perëndisë duhet të jetë i paqortueshëm, jo arrogant, jo zemërak, jo i dhënë pas verës, jo i dhunshëm, jo njeri që lakmon fitim të turpshëm,
8 por mikpritës, mirëdashës, i urtë, i drejtë, i shenjtë, i përmbajtur,
9 që mban fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjëndje me doktrinën e shëndoshë të këshillojë dhe bindë ata që kundërshtojnë.