Revised Common Lectionary (Complementary)
24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.
25 Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;
26 e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t’u tallur në të.
27 Të gjithë presin që ti t’u japësh ushqimin në kohën e duhur.
28 Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.
29 Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.
30 Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.
31 Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij;
32 ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym.
33 Unë do t’i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t’i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem.
34 Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.
35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.
11 Por tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë.
2 Dhe ndodhi që, ndërsa po zhvendoseshin në drejtim të jugut, ata gjetën një fushë në vendin e Shinarit dhe u vendosën atje.
3 Dhe i thanë njëri tjetrit: "O burra, të bëjmë tulla dhe t’i pjekim me zjarr!". Dhe përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum në vend të llaçit.
4 Dhe thanë: "O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t’i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut".
5 Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar.
6 Dhe Zoti tha: "Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t’i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë.
7 O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit".
8 Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin.
9 Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut.
12 Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëtit trup, megjithse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti.
13 Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frym të vetëm në të njëjtin trup, qofshin Hebrenjtë apo Grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë e kemi jemi uijtur në të njëjtin Frymë.
14 Sepse edhe trupi nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë.
15 Sikur të thoshte këmba: “Mbasi nuk jam dorë, unë nuk jam pjesë e trupit,” mos për këtë nuk është pjesë e trupit?
16 Dhe sikur veshi të thoshte: “Mbasi nuk jam sy, unë nuk jam pjesë e trupit,” mos për këtë nuk është pjesë e trupit?
17 Po të ishte gjithë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte gjithë dëgjim, ku do të ishte të nuhaturit?
18 Por Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur.
19 Po të ishin të gjitha gjymtyrët një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?
20 Kështu, pra, janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm.
21 Dhe syri nuk mund t’i thotë dorës: “Unë nuk kam nevojë për ty”; dhe po ashtu koka nuk mund t’u thotë këmbëve: “Unë nuk kam nevojë për ju.”
22 Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat;
23 dhe ato që ne i konsiderojmë më pak të nderuara, pikërisht ata rrethojmë me më shumë nderim; dhe të pahijshmet tona kanë më tepër hijë.
24 Por gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke i dhënë më tepër nder asaj pjese që e kishte mangut,
25 që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën.
26 Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.
27 Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç.