Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 115

115 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.

Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".

Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.

Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.

kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,

kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.

Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.

O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.

13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.

14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.

15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.

17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.

18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.

Esdra 9:5-15

Në blatimin e mbrëmjes u ngrita nga agjerimi, me rrobat dhe mantelin të grisur; pastaj rashë në gjunjë dhe shtriva duart nga Zoti, Perëndia im,

dhe thashë: "O Perëndia im, unë jam i pështjelluar dhe më vjen turp të ngre fytyrën time ndaj teje, o Perëndia im, sepse paudhësitë tona janë shumëzuar deri mbi kokën tonë, dhe faji ynë ka arritur deri në qiell.

Nga ditët e etërve tanë deri në ditën e sotme kemi qenë shumë fajtorë, dhe për shkak të paudhësive tona ne, mbretërit tanë dhe priftërinjtë tanë u lamë në duart e mbretërve të kombeve të huaja, nën kanosjen e shpatës, të internimit, të plaçkitjes dhe të turpit, ashtu si po ndodh tani.

Por tani Zoti, Perëndia ynë, na ka dhënë hir për një çast të shkurtër, duke na lënë një mbetje dhe duke na dhënë një strehë në vendin e tij të shenjtë, dhe kështu Perëndia ynë i ka ndriçuar sytë tanë dhe na ka dhënë një rizgjim të vogël në skllavërinë tonë.

Në të vërtetë ne ishim skllevër, megjithatë Perëndia ynë nuk na braktisi në skllavërinë tonë, por na siguroi mirëdashjen e mbretërve të Persisë, duke na rizgjuar për të ngritur përsëri shtëpinë e Perëndisë tonë, duke restauruar rrënojat e saj dhe për të na dhënë një mur mbrojtjeje në Judë dhe Jeruzalem.

10 Por tani, o Perëndia ynë, çfarë do të themi pas kësaj? Sepse i kemi braktisur urdhërimet e tua,

11 që na kishe urdhëruar me anë të shërbëtorëve të tu, profetëve, duke thënë: "Vendi në të cilin po hyni për ta shtënë në dorë është një vend i papastër për shkak të papastërtisë së popujve të këtyre vendeve, për shkak të gjërave të neveritshme me të cilat e kanë mbushur fund e krye me ndotjet e tyre.

12 Prandaj tani mos u jepni bijat tuaja bijve të tyre dhe mos merrni bijat e tyre për bijtë tuaj; mos kërkoni kurrë begatinë e tyre, as mirëqënien e tyre, sepse kështu do të bëheni të fortë, do të hani prodhimet më të mira të vendit dhe do t’ua lini atë në trashëgimi bijve tuaj përjetë".

13 Por mbas gjithë asaj që na ra mbi krye për shkak të veprimeve tona të këqija dhe të fajeve tona të mëdha, duke qenë se ti, o Perëndia ynë, na dënove më pak nga sa e meritonin fajet tona dhe na le një pikë si kjo,

14 a do të kthehemi përsëri të shkelim urdhërimet e tua dhe të bashkohemi me martesë me popujt që kryejnë këto gjëra të neveritshme? A nuk do të zemëroheshe kundër nesh deri sa të shkatërroje pa lënë asnjë të mbetur ose të shpëtuar?

15 O Zot, Perëndia i Izraelit, ti je i drejtë, prandaj ne kemi mbetur sot, një mbetje njerëzish që kanë shpëtuar. Ja ku jemi para teje me fajin tonë, megjithëse për shkak të tij asnjë nuk mund të qëndrojë para teje!".

Gjoni 16:16-24

16 Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati.”

17 Atëherë disa nga dishepujt e tij thoshnin midis tyre: “Ç’është kjo që po na thotë: "Pas pak nuk do të më shihni më," dhe: "e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni" dhe: "Sepse unë po shkoj te Ati"?.”

18 Thoshnin pra: “Ç’është kjo "Pas pak," për të cilën flet? Ne s’dimë ç’don të thotë.”

19 Jezusi, pra, e kuptoi se ata donin ta pyesnin dhe u tha atyre: “Ju po pyesni njeri tjetrin pse thashë: "Pas pak nuk do të më shihni më," dhe: "E përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni"?

20 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim.

21 Gruaja, kur lind, ka dhembje, sepse i erdhi ora; por, sapo e ka lindur fëmijën, nuk kujton më ankthin prej gëzimit që lindi një qenie njerëzore në botë.

22 Kështu edhe ju tani jeni në dhembje, por unë do t’ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t’ua heqë gëzimin tuaj.

23 Atë ditë ju nuk do të më bëni më asnjë pyetje. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’jua japë.

24 Deri tani ju s’keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.