Old/New Testament
129 Shumë më kanë shtypur që në rininë time, le ta thotë Izraeli:
2 "Shumë më kanë shtypur qysh prej rinisë sime, por nuk kanë mundur të më mposhtin.
3 Lëruesit kanë lëruar mbi kurrizin tim dhe kanë bërë aty brazda të gjata".
4 Zoti është i drejtë; ai i preu litarët e të pabesëve.
5 U turpërofshin të gjithë dhe kthefshin krahët ata që urrejnë Sionin!
6 U bëfshin si bari i çative, që thahet para se të rritet;
7 nuk ia mbush dorën korrësit, as krahët atyre që lidhin duajt;
8 dhe kalimtarët mos thënçin: "Bekimi i Zotit qoftë mbi ju; ne ju bekojmë në emër të Zotit".
130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.
2 O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.
3 Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?
4 Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.
5 Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.
6 Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.
7 O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.
8 Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.
131 O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.
2 E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënes së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.
3 O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.
11 Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit.
2 Dhe unë po ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat dhe i zbatoni porositë ashtu siç ua kam transmetuar.
3 Por dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia.
4 Çdo burrë, kur lutet ose profetizon kokëmbuluar, turpëron kryet e tij.
5 Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar.
6 Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t’ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet.
7 Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit,
8 sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri,
9 edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin.
10 Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të ketë një shenjë pushteti mbi kryet.
11 Gjithsesi në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin,
12 sepse sikurse gruaja vjen nga burri, ashtu edhe burri lind nëpërmjet gruas, dhe çdo gjë vjen nga Perëndia.
13 Gjykoni ndër veten tuaj. A i ka hije gruas t’i lutet Perëndisë pa u mbuluar?
14 Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, në qoftë se një burrë i mban flokët të gjata, kjo është çnderim për të?
15 Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjata, kjo është lavdi për të, sepse flokët i janë dhënë asaj për mbulesë.
16 Por në qoftë se ndokush mendon të kundërshtojë, ne s’kemi zakon të tillë, as kishat e Perëndisë.