Old/New Testament
100 Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës!
2 I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.
3 Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.
4 Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij.
5 Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.
101 Unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde; do të këndoj lavdet e tua, o Zot.
2 Do të kujdesem të bëj një jetë të ndershme. Kur do të vish tek unë? Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime.
3 Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe; unë e urrej sjelljen e atyre që dënojnë; nuk do lejoj të bëhem si ata.
4 Zemra e çoroditur do të largohet nga unë; nuk dua t’ia di për të keqen.
5 Do të shfaros atë që shpif tinëz kundër të afërmit; nuk do të duroj njeriun hundëpërpjetë dhe zemërkrenar.
6 Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t’i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im.
7 Kush vepron me mashtrim, nuk ka për të banuar në shtëpinë time; kush thotë gënjeshtra nuk do të qëndrojë para syve të mi.
8 Çdo mëngjes do të asgjesoj gjithë të pabesët e vendit, për të çrrënjosur nga qyteti i Zotit të gjithë ata që kryejnë paudhësi.
102 O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty.
2 Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.
3 Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri.
4 Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim.
5 Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia.
6 I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara.
7 Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati.
8 Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.
9 Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi.
10 Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg.
11 Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.
12 Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi.
13 Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi.
14 Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.
15 Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote,
16 kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.
17 Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.
18 Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin,
19 sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun,
20 për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje;
21 me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij,
22 kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t’i shërbyer Zotit.
23 Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia.
24 Kam thënë: "O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi.
25 Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua;
26 ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe; ti do t’i ndërrosh si një rrobe dhe ata do të ndryshohen.
27 Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund.
28 Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim dhe pasardhësit e tyre do të jenë të qëndrueshëm para teje".
1 Pali, i thirrur apostull i Jezu Krishtit, me anë të vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Sosten,
2 kishës së Perëndisë që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të thirrur shenjtorë, bashkë me të gjithë ata që në çdo vend e thërrasin emrin e Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe tonit:
3 hir dhe paqe për ju nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
4 Përherë i falem nderit Perëndisë tim për ju, për hirin e Perëndisë, i cili ju është dhënë me anë të Jezu Krishtit,
5 sepse në atë ju u bëtë të pasur në të gjitha, në çdo fjalë dhe në çdo njohuri,
6 sikurse dëshmimi i Krishtit që u vërtetua ndër ju,
7 kaq sa nuk ju mungon asnjë dhunti, ndërsa prisni zbulesën e Zotit tonë Jezu Krishtit,
8 i cili edhe do t’ju vërtetojë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krishtit.
9 Besnik është Perëndia, nga i cili jeni thirrur në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë.
10 Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet.
11 Sepse më është treguar për ju, o vë-llezër, nga ata të shtëpisë së Kloes, se në mes jush ka grindje.
12 Dhe dua të them këtë, që secili nga ju thotë: “Unë jam i Palit,” “unë i Apolit,” “unë i Kefës” dhe “unë i Krishtit.”
13 Vallë i ndarë qenka Krishti? Mos Pali u kryqëzua për ju? Apo ju u pagëzuat në emër të Palit?
14 E falënderoj Perëndinë që nuk kam pagëzuar asnjë nga ju, me përjashtim të Krispit dhe të Gait,
15 që askush të mos thotë se e pagëzova në emrin tim.
16 Unë pagëzova edhe familjen e Stefanës; përveç tyre nuk di të kem pagëzuar ndonjë tjetër.
17 Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj ungjillin, jo me dituri fjale, që kryqi i Krishtit të mos dalë i kotë.
18 Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë.
19 Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve.”
20 Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote?
21 Sepse, duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit,
22 sepse Judenjtë kërkojnë një shenjë dhe Grekët kërkojnë dituri,
23 por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët,
24 kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe diturinë e Perëndisë;
25 sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit dhe dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit.
26 Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë,
27 por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët;
28 dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë,
29 që asnjë mish të mos mburret përpara tij.
30 Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim,
31 që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin.”