Old/New Testament
87 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.
2 Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit.
3 Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)
4 Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".
5 Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm".
6 Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka lindur atje". (Sela)
7 Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti".
88 O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje.
2 Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time,
3 sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol.
4 Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë.
5 Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote.
6 Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat.
7 Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela)
8 Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal.
9 Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia.
10 A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela)
11 A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit?
12 A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës?
13 Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes.
14 Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde?
15 Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur.
16 Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar,
17 më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur.
18 Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira.
13 Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.
2 Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhërit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin.
3 Sepse eprorët s’ke pse t’i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai,
4 sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen.
5 Prandaj është e nevojshme t’i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes.
6 Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi.
7 I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtje atij që është për t’u druajtur, nderimin atij që është për nderim.
8 Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç se ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin.
9 Sepse urdhërimet: “Mos shkel kurorë, mos vraj, mos vidh, mos thua dëshmi të rreme, mos lakmo,” dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!.”
10 Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit.
11 Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam.
12 Nata u thye dhe dita u afrua; le të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës.
13 Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë.
14 Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t’ia kënaqni lakmitë.