Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 126-128

126 Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.

Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".

Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.

Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.

Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.

Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.

127 Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit; në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruanë rojet.

Éshtë e kotë që ju të çoheni herët dhe të shkoni vonë për të pushuar dhe për të ngrënë bukën e nxjerrë me punë të rëndë, sepse ai u jep pushim atyre që do.

Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim.

Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë.

Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot! Ata nuk do të ngatërrohen kur të diskutojnë me armiqtë e tyre te porta.

128 Lum kushdo që ka frikë nga Zoti dhe që ecën në rrugët tij.

Atëherë ti do të hash me mundin e duarve të tua, do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë.

Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate, bijtë e tu si drurë ulliri rreth tryezës sate!

Ja, kështu do të bekohet njeriu që ka frikë nga Zoti.

Zoti të bekoftë nga Sioni dhe ti pafsh begatinë e Jeruzalemit tërë ditët e jetës sate.

Po, pafsh bijtë e bijve të tu. Paqja qoftë mbi Izraelin.

1 e Korintasve 10:19-33

19 Çfarë them, pra? Se idhulli është diçka? Apo se ajo që u është flijuar idhujve është diçka?

20 Jo, por them se gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë; tani unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët.

21 Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve; ju nuk mund të merrni pjesë në tryezën e Zotit dhe në tryezën e demonëve.

22 A duam ne të provokojmë Zotin deri në xhelozi? A jemi ne më të fortë se ai?

23 Gjithçka më lejohet, por jo gjithçka është dobishme; gjithçka më lejohet, por jo çdo gjë ndërton.

24 Askush të mos kërkojë interesin e vet, por atë të tjetrit.

25 Hani çdo gjë që shitet te kasapi, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes,

26 sepse “toka është e Zotit dhe gjithçka që ajo përmban.”

27 Dhe në qoftë se ndonjë jobesimtar ju fton dhe ju doni të shkoni, hani çdo gjë që t’u vihet përpara, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes.

28 Por në qoftë se dikush ju thotë: “Kjo është nga flijim idhujsh,” mos hani, për atë që ju paralajmëroi dhe për shkak të ndërgjegjes, sepse “toka është e Zotit dhe gjithçka që ajo përmban.”

29 Dhe them ndërgjegje, por jo tënden, por të tjetrit. Sepse përse të gjykohet liria ime nga ndërgjegja e një tjetri?

30 Në qoftë se unë marr pjesë me falenderim, pse të shahem për atë gjë, për të cilin falenderoj?

31 Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.

32 Mos u bëni shkak skandali as për Judenj, as për Grekë, as për kishën e Perëndisë;

33 sikurse edhe unë vetë përpiqem t’u pëlqej të gjithëve në çdo gjë, nuk kërkoj përfitimin tim, por të të shumtëve, që të shpëtohen.