Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Numrat 30

30 Pastaj Moisiu u foli prijësve të fiseve të bijve të Izraelit, duke u thënë: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar:

"Kur dikush lidh një kusht me Zotin ose lidh një detyrim duke u betuar, nuk do ta shkelë fjalën e tij, por do të bëjë gjithçka ka dalë nga goja e tij.

Kur një femër lidh një kusht me Zotin dhe lidh një detyrim ndërsa është ende në shtëpinë e të atit, gjatë rinisë së saj,

në qoftë se i ati, duke mësuar kushtin e saj dhe detyrimin me të cilën është lidhur, nuk thotë asgjë lidhur me këtë, tërë kushtet e saj do të jenë të vlefshme dhe do të mbeten të vlefshme tërë detyrimet me të cilat është lidhur.

Por në qoftë se i ati, ditën që e mëson, i kundërvihet asaj, të gjitha kushtet e saj dhe të gjitha detyrimet me të cilat është lidhur, nuk do të jenë të vlefshme; dhe Zoti do ta falë, sepse i ati iu kundërvu.

Por në qoftë se ajo martohet ndërsa është e lidhur me kushte ose ka një detyrim të lidhur në mënyrë të paarsyeshme me buzët e saja,

dhe në qoftë se bashkëshorti i saj e di dhe ditën që e merr vesh nuk thotë asgjë lidhur me të, kushtet e saj do të mbeten të vlefshme njëlloj si detyrimet me të cilat ajo është lidhur.

Por në qoftë se bashkëshorti i saj, ditën që e mëson, i kundërvihet, ai do të anulojë kushtin që ajo ka lidhur dhe detyrimin që ka marrë në mënyrë të paarsyeshme me buzët e saj; dhe Zoti do ta falë.

Por kushti i një gruaje të ve ose e një gruaje të ndarë, cilido qoftë detyrimi me të cilin është lidhur, do të mbetet i vlefshëm

10 Në qoftë se ajo lidh një kusht në shtëpinë e bashkëshortit të saj, ose merr përsipër një detyrim me betim,

11 dhe i shoqi e ka marrë vesh, në qoftë se i shoqi nuk thotë asgjë lidhur me këtë dhe nuk i kundërvihet, të gjitha kushtet e saj do të mbeten të vlefshme ashtu si edhe detyrimet që ka marrë përsipër.

12 Por në qoftë se i shoqi i anulon ditën që i ka marrë vesh të gjitha ato që kanë dalë nga buzët e saj, qofshin kushte apo detyrime me të cilat është lidhur; këto nuk do të jenë të vlefshme, bashkëshorti i saj i ka anuluar dhe Zoti do ta falë.

13 Bashkëshorti mund të konfirmojë dhe të anulojë çfarëdo kushti dhe çfarëdo betimi që lidh gruan e tij, që synon ta mundojë personin e saj.

14 Por në qoftë se bashkëshorti, çdo ditë që kalon, nuk thotë asgjë lidhur me këtë, ai konfirmon në këtë mënyrë tërë kushtet dhe detyrimet me të cilat ajo është lidhur; i konfirmon sepse nuk ka thënë asgjë lidhur me to ditën që i ka marrë vesh.

15 Por në qoftë se i anulon mbasi i ka marrë vesh, do të mbajë peshën e mëkatit të bashkëshortes së tij"".

16 Këto janë statutet që Zoti i ka dhënë me porosi Moisiut lidhur me marrëdhëniet, midis bashkëshortit dhe bashkëshortes, midis atit dhe bijës, kur ajo është akoma vajzë në shtëpinë e atit të saj.

Psalmet 74

74 O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate?

Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar.

Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore.

Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj.

Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli.

Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij.

I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë.

Kanë thënë në zemër të tyre: "T’i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.

Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur.

10 Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë?

11 Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji.

12 Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë.

13 Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat.

14 Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës.

15 Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm.

16 Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin.

17 Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin.

18 Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd.

19 Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu.

20 Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune.

21 Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd.

22 Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën.

23 Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.

Isaia 22

22 Profecia kundër Luginës së Vegimit. Çfarë ke ti tani që ke hipur e tëra mbi çatitë,

ti që je plot me britma, qytet zhurmëmadh, qytet dëfrimesh? Të vrarët e tu nuk janë vrarë nga shpata as kanë vdekur në betejë.

Tërë krerët e tu kanë ikur bashkë, janë zënë robër pa hark; tërë ata që u gjetën te ti u zunë robër, megjithëse kishin ikur larg.

Prandaj them: "Largoni shikimin nga unë; unë do të qaj me hidhërim. Mos kërkoni të më ngushëlloni për dëshpërimin e bijës së popullit tim".

Sepse është një ditë lemerie, shkatërrimi dhe ngurimi nga ana e ZOTIT, të Zotit të ushtrive; në Luginën e Vegimeve muret janë shembur dhe britma për ndihmë arrin deri në mal.

Elami ka marrë kukurën me qerre njerëzish dhe kalorësish. Kiri ka zbuluar mburojën.

Do të ndodhë që luginat e tua më të mira do të jenë plot me qerre dhe kalorësit do të zënë pozicion para portave të tua.

Pastaj ai hoqi mbrojtjen e Judës dhe po atë ditë ti e hodhe shikimin mbi arsenalin e pallatit të Pyllit.

Keni parë gjithashtu sa të shumta ishin të çarat në muret e qytetit të Davidit, dhe keni mbledhur ujërat e hauzit të poshtëm.

10 Keni numëruar shtëpitë e Jeruzalemit dhe keni shembur shtëpi për të fortifikuar muret.

11 Përveç kësaj keni ndërtuar një rezervuar midis dy mureve për ujërat e hauzit të vjetër, por nuk keni parë se kush e ka bërë këtë, as nuk keni marrë parasysh kush e ka menduar këtë prej një kohe të gjatë.

12 Atë ditë Zoti, Zoti i ushtrive, ju thirri që të qani, të mbani zi, të rruani kokën dhe të mbështilleni me thasë.

13 Po përkundrazi ja, gëzim dhe hare, priten qe dhe theren dele, hahet mish dhe pihet verë. "Të hamë dhe të pimë, se nesër do të vdesim!".

14 Por Zoti i ushtrive u ka thënë veshëve të mi: "Ky mëkati juaj nuk do të shlyhet deri sa ju të vdisni," thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

15 Kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: "Shko pra te ky administrator, te Shebna, kryekujdestar, dhe i thuaj:

16 "Çfarë zotëron ti këtu dhe cilin ke këtu, që ke bërë të të gërmojnë këtu një varr, ashtu si ai që gërmon për vete një vendvarrim lart dhe pret në shkëmb një varr?".

17 Ja, Zoti po të flak me dhunë, o njeri i fuqishëm, dhe do të të kapë mirë.

18 Do të të rrukullisë mirë e mirë dhe do të të hedhë si një top në një vend të gjerë. Aty do të vdesësh dhe do të mbarojnë qerret e tua krenare, o turp i shtëpisë së zotit tënd.

19 Do të të dëbojë nga zyra jote dhe do të tërhiqesh poshtë nga posti yt!

20 Atë ditë do të ndodhë që të thëras shërbëtorin tim Eliakim, birin e Hilkiahut;

21 do ta vesh me tunikën tënde, do t’i vë brezin tënd dhe do ta kaloj pushtetin tënd në duart e tij, dhe ai do të jetë një atë për banorët e Jeruzalemit dhe për shtëpinë e Judës.

22 Do të vë mbi supin e tij çelësin e shtëpisë së Davidit; kështu ai do të hapë dhe askush nuk do të mund ta mbyllë, do ta mbyllë dhe askush nuk do ta mund ta hapë.

23 Do ta ngul si një gozhdë në një vend të sigurt, dhe ai do të bëhet një fron lavdie për shtëpinë e atit të tij.

24 Nga ai do të varet tërë lavdia e shtëpisë së atit të tij, trashëgimtarët dhe degët anësorë, të gjitha enët edhe ato më të vogla, që nga kupat e e deri te shtambët e çdo lloji.

25 "Atë ditë, thotë Zoti i ushtrive, gozhda e ngulur në vend të sigurt do të hiqet, do të shkulet poshtë dhe do të bjerë; dhe gjithë pesha që mbante do të shkatërrohet, sepse Zoti ka folur".

2 Pjetrit 3

Shumë të dashurit, kjo është e dyta letër që po ju shkruaj; në të cilat po e mbaj zgjuar mendjen tuaj të kthjellët duke iu drejtuar kujtesës suaj,

që të mbani mend fjalët që u thanë më parë nga profetët e shenjtë dhe nga urdhërimi i vetë Zotit dhe Shpëtimtarit të transmetuar nga ne apostujt.

Së pari duhet të dini këtë, se në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta,

dhe do të thonë: “Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit.”

Sepse ata me dashje harruan se nëpërmjet fjalës së Perëndisë qiejt vinin në eksistencë shumë kohë më parë, dhe se toka doli nga uji dhe u sajua nëpërmjet ujit,

për shkak të të cilit bota e atëhershme u mbulua nga uji dhe humbi,

ndërsa qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë.

Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë.

Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.

10 Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt.

11 Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme,

12 duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen?

13 Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe toka të re, në të cilët banon drejtësia.

14 Prandaj, shumë të dashur, duke i pritur këto gjëra, përpiquni të jeni përpara tij të papërlyer dhe të paqortueshëm, në paqe.

15 Dhe kini parasysh se durimi i Zotit tonë është në shërbim të shpëtimit, sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha;

16 Ashtu bën ai në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra. Në to ka disa gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrëmbërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera, për përhumbjen e tyre.

17 Ju pra, shumë të dashur, duke i ditur këto gjëra, ruajuni se mos ligështoheni në qëndresën tuaj, të tërhequr nga gabimi i të pabesëve.

18 Por rrituni, në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë. Amen.