M’Cheyne Bible Reading Plan
15 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
2 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj: Kur do të hyni në vendin ku duhet të banoni dhe që unë ju jap,
3 do t’i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr, një olokaust apo një flijim për kryerjen e një kushti apo si ofertë vullnetare ose në festat tuaja të caktuara, për t’i bërë një erë të këndshme Zotit me një kafshë, të marrë nga kopeja e kafshëve të trasha a të imta,
4 ai që do të paraqesë ofertën e tij Zotit, do të ofrojë si blatim ushqimor një të dhjetën e efas majë mielli të përzier me një çerek hini vaji;
5 gjithashtu do t’i çosh një libacion prej një çerek hini verë së bashku me olokaustin ose flijimin, për çdo qengj.
6 Në qoftë se bëhet fjalë për një dash, do të çosh si blatim ushqimi dy të dhjeta efe majë mielli të përzier me një të tretë hini vaji,
7 dhe do të bësh një libacion vere prej një të trete hini si një ofertë me erë të këndshme për Zotin.
8 Por në rast se në vend të olokaustit ose të flijimit çon një dem të vogël, për kryerjen e një kushti apo të një flijimi falënderimi për Zotin,
9 së bashku me demin e vogël do të ofrohet, si blatim i ushqimit, majë mielli në një sasi tre të dhjeta të efas i përzier me gjysmë hini vaji;
10 dhe do të çosh si libacion gjysmë hini verë; është një flijim që bëhet me zjarr, me një erë të këndshme për Zotin.
11 Kështu do të veprohet për çdo dem të vogël, për çdo dash, për çdo qengj ose kec, simbas numrit që përgatitni.
12 Do të veproni kështu për çdo kafshë që do të sillni.
13 Të gjithë ata që kanë lindur në vend do veprojnë kështu, kur do t’i ofrojnë një flijim me zjarr, me erë të këndshme Zotit.
14 Dhe në se një i huaj që banon me ju ose kushdo tjetër që të ndodhet me ju në brezat e ardhshëm, dëshiron të ofrojë një flijim të bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin, do të veprojë si ju.
15 Do të ketë një statut të vetëm për gjithë asamblenë, për ju dhe për të huajin që banon midis jush; do të jetë një statut i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj; ashtu siç jeni ju, ashtu do të jetë edhe i huaji përpara Zotit.
16 Do të jetë po ai ligj dhe po ai dekret për ju dhe për të huajin që banon me ju".
17 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
18 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të arrini në vendin ku po ju çoj unë,
19 dhe do të hani bukën e vendit, do t’i paraqisni Zotit një ofertë të lartë.
20 Nga prodhimi i parë i brumit tuaj do të paraqisni një kulaç si ofertë e lartë; do ta paraqisni si një ofertë e lartë e lëmit.
21 Nga prodhimi i parë i brumit tuaj do t’i jepni Zotit një ofertë të lartë për gjithë brezat tuaj.
22 Në qoftë se keni kryer një mëkat nga padituria dhe nuk keni respektuar të gjitha këto urdhërime që Zoti i ka dhënë Moisiut,
23 të gjitha ato që Zoti ka urdhëruar me anë të Moisiut, nga dita që Zoti ju ka dhënë urdhra dhe më vonë për të gjitha brezat tuaj,
24 në qoftë se mëkati është kryer nga padituria, pa u marrë vesh nga asambleja, gjithë asambleja do të ofrojë një dem të vogël si olokaust me erë të këndshme për Zotin së bashku me blatimin e tij të ushqimit dhe libacionin e tij simbas asaj që është dekretuar, si dhe një kec si flijim për mëkatin.
25 Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për të gjithë asamblenë e bijve të Izraelit dhe ky mëkat do t’u falet, sepse është një mëkat i kryer nga padituria, dhe ata kanë sjellë ofertën e tyre, një flijim i bërë me zjarr për Zotin, dhe flijimi i tyre për mëkatin, për mëkatin e tyre nga padituria përpara Zotit.
26 Do t’i falet tërë asamblesë së bijve të Izraelit dhe të huajit që banon midis tyre, sepse tërë populli e kreu këtë mëkat nga padituria.
27 Në qoftë se është një person i vetëm që kryen mëkatin nga padituria, ai të ofrojë një dhi motake si flijim për mëkatin.
28 Dhe prifti do të bëjë shlyerjen përpara Zotit për personin që ka mëkatuar nga padituria, kur e ka bërë pa njohjen e duhur; prifti do të bëjë shlyerjen për të dhe mëkati do t’i falet.
29 Si për ata që kanë lindur në vend midis bijve të Izraelit ose për një të huaj që banon midis jush, do të keni një ligj të vetëm për atë që mëkaton nga padituria.
30 Por ai që kryen një mëkat me qëllim, qoftë i lindur në vend apo i huaj, fyen Zotin; ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij.
31 Sepse ka përçmuar fjalën e Zotit dhe ka dhunuar urdhërimet e tij; ky njeri duhet të shfaroset, do të mbajë barrën e paudhësisë së tij".
32 Ndërsa bijtë e Izraelit ishin në shkretëtirë, gjetën një njeri që mblidhte dru ditën e shtunë.
33 Ata që e gjetën duke mbledhur dru, e çuan te Moisiu, tek Aaroni dhe para tërë asamblesë.
34 Dhe e futën në burg, sepse nuk ishte përcaktuar akoma se ç’duhet t’i bënin.
35 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ky njeri duhet të vritet; e tërë asambleja do ta vrasë me gurë jashtë kampit".
36 Kështu tërë asambleja e çoi jashtë kampit dhe e vrau me gurë; dhe ai vdiq, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Qëllimi i thekëve në rrobat
37 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
38 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre që të bëjnë brez pas brezi thekë në cepat e rrobave të tyre dhe të vënë në çdo cep një kordon në ngjyrë manushaqeje.
39 Do të jetë një thek të cilin do ta shikoni për të kujtuar të gjitha urdhërimet e Zotit dhe për t’i zbatuar, dhe jo për të ndjekur zemrën tuaj dhe sytë tuaja që ju çojnë në kurvërim.
40 Kështu do të kujtoni të gjitha urdhërimet e mia dhe do t’i zbatoni në praktikë, dhe do të jeni të shenjtë për Perëndinë tuaj.
41 Unë jam Zoti, Perëndia juaj që ju nxori nga vendi i Egjiptit për të qenë Perëndia juaj. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".
51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.
5 Dua të këndoj për të dashurin tim një kantik të mikut tim lidhur me vreshtin e tij. I dashuri im kishte një vresht mbi një kodrinë shumë pjellore.
2 E rrethoi me një gardh, hoqi gurët, mbolli hardhi të cilësisë më të mirë, ndërtoi në mes një kullë dhe bëri një trokull. Ai priste që të prodhonte rrush të mirë, kurse prodhoi rrush të egër.
3 Kështu, pra, o banorë të Jeruzalemit dhe njerëz të Judës, gjykoni midis meje dhe vreshtit tim.
4 Çfarë mund t’i kisha bërë vreshtit tim që nuk ia kam bërë? Pse, ndërsa unë prisja të më jepte rrush të mirë, ajo më dha rrush të egër?
5 Por tani do t’ju njoftoj atë që gatitem të bëj me vreshtin tim: do ta heq gardhin dhe do ta përpihet krejt, do të shemb murin e tij dhe atë do ta shkelin.
6 Do ta katandis në një shkretëtirë: as nuk do ta krasit as nuk do ta punoj me shatë, por do të mbijnë ferra dhe gjemba; dhe do të urdhëroj retë që të mos bjerë shi, fare.
7 Vreshti i Zotit të ushtrive është shtëpia e Izraelit, dhe njerëzit e Judës janë mbëltesa e kënaqësisë së tij. Ai priste ndershmëri, dhe ja, gjakderdhje, priste drejtësi dhe ja, britma ankthi.
8 Mjerë ata që i shtojnë shtëpisë një shtëpi tjetër, që bashkojnë një arë me një arë tjetër, deri sa të mos ketë më vend, dhe kështu të mbeten të vetmuar për të banuar në mes të vendit.
9 Në veshët e mi Zoti i ushtrive është betuar: "Në të vërtetë shumë shtëpi do të shkretohen, shtëpi të bukura dhe të mëdha do të mbeten pa banorë".
10 Sepse dhjetë jugerë vresht do të prodhojnë vetëm një bato dhe një homer fare do të prodhojë vetëm një efa.
11 Mjerë ata që ngrihen herët në mëngjes për t’u turrur pas pijeve dehëse dhe vonohen deri në mbrëmje sa të flakërohen nga vera!
12 Në banketet e tyre ka qeste, harpa, dajre, fyell dhe verë, por ata nuk i kushtojnë kujdes veprës së Zotit dhe nuk marrin parasysh atë që ai ka bërë me duart e tij.
13 Prandaj populli im shkon në robëri për mungesë njohurie, fisnikëria e tij vdes nga uria dhe turma e tij do të digjet nga etja.
14 Prandaj Sheoli ka zmadhuar gojën e tij dhe e ka hapur gojën e tij jashtë mase, dhe në të do të zbresin lavdia e tij, turma e tij, zhurma e tij dhe ai që feston në të.
15 Njeriu i zakonshëm do të përulet, njeriu i rëndësishëm do të ulet dhe sytë e krenarëve do të përulen.
16 Por Zoti i ushtrive do të jetë lartësuar në gjyq, dhe Perëndia i shenjtë do të tregohet i shenjtë në drejtësi.
17 Atëherë qengjat do të kullosin si në kullotat e tyre dhe të huajtë do të përpijnë arat e shkretuara të të pasurve.
18 Mjerë ata që tërheqin padrejtësinë me litarët e falsitetit dhe mëkatin si me litarët e qerres,
19 dhe thonë: "Le ta bëjë shpejt, le ta kryejë veprën e tij, që të mund ta shohim. Le të afrohet dhe të kryhet plani i të Shenjtit të Izraelit që të mund ta shohim".
20 Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi!
21 Mjerë ata që janë të urtë në sytë e tyre dhe të zgjuar para vetvetes!
22 Mjerë kampionëve në pirjen e verës dhe të shkathtëve në përzierjen e pijeve dehëse,
23 që e nxjerrin të pafajshëm njeriun e keq për një dhuratë dhe ia mohojnë të drejtit të drejtën e tij!
24 Prandaj, ashtu si një gjuhë zjarri përpin kallamishtet dhe flaka konsumon kashtën, kështu rrënja e tyre do të hiqet si një kalbësirë dhe lulja e tyre do të hiqet si të ishte pluhur, sepse kanë hedhur poshtë ligjin e Zotit të ushtrive dhe kanë përçmuar fjalën e të Shenjtit të Izraelit.
25 Për këtë zemërimi i Zotit është ndezur kundër popullit të tij; ai ka shtrirë dorën e vet kundër tij dhe e ka goditur; kështu malet u drodhën dhe kufomat e tyre rrinë si mbeturina në mes të rrugëve; megjithëkëtë zemërimi i tij nuk është qetësuar dhe dora e tij rri e shtrirë.
26 Ai do të ngrerë një flamur për kombet e largëta dhe do t’u fërshëllejë nga skajet e tokës; dhe ja, ato do të vijnë shpejt dhe menjëherë.
27 Asnjë prej tyre nuk do të jetë i lodhur ose do të lëkundet, asnjë nuk ka për të dremitur ose për të fjetur; brezi i ijëve të tyre nuk do të zgjidhet, nuk do të këputet gjalma e këpucëve të tyre.
28 Shigjetat e tyre janë me majë dhe tërë harqet e tyre janë të nderura; thundrat e kuajve të tyre do të duken si gurë dhe rrotat e qerreve të tyre si një shakullimë.
29 Vrumbullima e tyre do të jetë si ajo e një luani: do të vrumbullojnë si luanë të vegjël, po, do të vrumbullojnë, do ta zënë gjahun dhe do ta çojnë në një vend të sigurt dhe askush nuk do t’ua heqë.
30 Atë ditë do të ulërijnë kundër Judës ashtu si ulërin deti; po të shikosh vendin, ja errësira dhe ankthi, dhe drita do të errësohet nga retë.
12 Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh,
2 duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.
3 Kujtoni, pra, atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj.
4 Ju akoma nuk keni qëndruar deri në gjak, duke luftuar kundër mëkatit,
5 dhe keni harruar këshillën që ju drejtohet juve porsi bijve: “Biri im, mos e përçmo qortimin e Perëndisë dhe mos e humb zemrën kur ai të qorton,
6 sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen.”
7 Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t’ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korigjon i ati?
8 Por, po të mbeteni të pandrequr, ku të gjithë u bënë pjestarë, atëherë jeni kopila dhe jo bij.
9 Pastaj etërit tanë sipas mishit i patëm për të na ndrequr dhe i nderonim ata; a nuk do t’i nënshtrohemi edhe më tepër Atit të shpirtrave, për të jetuar?
10 Sepse ata na ndreqën për pak ditë, ashtu siç u dukej më mirë, kurse ai na ndreq për të mirën tonë që të bëhemi pjestarë të shenjtërisë së tij.
11 Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij.
12 Prandaj forconi duart e kapitura dhe gjunjët e këputur,
13 dhe bëni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që ajo e cila çalon të mos ndrydhet, por më tepër të shërohet.
14 Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë,
15 duke u kujdesur fort që askush të mos mbetet pa hirin e Perëndisë dhe se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe t’ju turbullojë dhe me anë të saj të ndoten shumë njerëz;
16 se mos ndodhet ndonjë kurvar ose profan, si Esau, i cili për një gjellë shiti të drejtën e tij të parëbirnisë.
17 Sepse e dini se, më pas, kur ai deshi të trashëgojë bekimin, iu refuzua, ndonëse e kërkoi me lot, sepse nuk gjeti vend pendimi.
18 Sepse ju nuk iu afruat malit që mund të kapet me dorë dhe që digjet me zjarr, as errësirës, as territ, as stuhisë,
19 as zërit të borisë, as zërit të fjalëve, të cilin ata që e dëgjuan u lutën që atyre të mos u drejtohej më asnjë fjalë,
20 sepse nuk mund të duronin urdhërin: “Në se edhe një shtazë e prek malin, të vritet me gurë ose me shigjeta”;
21 dhe aq e llahtarshme ishte pamja, sa Moisiu tha: “Unë jam i frikësuar dhe po dridhem i tëri.”
22 Por ju iu afruat malit Sion dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, që është Jeruzalemi qiellor, edhe morisë së engjëjve,
23 kuvendit universal dhe kishës të të parëlindurve që janë shkruar në qiej, Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, shpirtërave të të drejtëve që u bënë të përsosur,
24 dhe Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re, dhe gjakut të spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit.
25 Shikoni se mos refuzoni atë që flet, sepse në qoftë se nuk shpëtuan ata që refuzuan të dëgjojnë atë që fliste si orakull mbi dhe, aq më pak do të shpëtojmë ne, po të mos refuzojmë të dëgjojmë atë që flet prej qiellit,
26 zëri i të cilit e drodhi atëherë dheun, por tashti bëri këtë premtim, duke thënë: “Unë edhe një herë do të tund jo vetëm dheun, por edhe qiellin.”
27 Dhe kjo fjalë "edhe një herë" tregon ndryshueshmërinë e gjërave, që tunden, si të bëra me dorë, që të mbeten ato që nuk tunden.
28 Prandaj, duke marrë mbretërinë të patundur, le ta ruajmë këtë hir me anë të të cilit i shërbejmë Perëndisë në një mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e me frikë,
29 sepse Perëndia ynë është një zjarr që konsumon.