Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Numrat 9

Zoti i foli akoma Moisiut, në shkretëtirën e Sinait, muajin e parë të vitit të dytë që kur kishin dalë nga vendi i Egjiptit, duke i thënë:

"Bijtë e Izraelit do ta festojnë Pashkën në kohën e caktuar.

Do ta kremtoni në kohën e caktuar, ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, në të ngrysur; do ta kremtoni simbas të gjitha statuteve dhe dekreteve të saj".

Kështu Moisiu u foli bijve të Izraelit me qëllim që të kremtonin Pashkën

ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë në të ngrysur, në shkretëtirën e Sinait; bijtë e Izraelit vepruan simbas urdhrave të dhëna Moisiut nga Zoti.

Por kishte disa njerëz që ishin të papastër sepse kishin prekur trupin e vdekur të një personi dhe nuk mund ta kremtonin Pashkën atë ditë. Por këta njerëz u paraqitën po atë ditë përpara Moisiut dhe Aaronit,

dhe i thanë Moisiut: "Ne jemi të papastër sepse kemi prekur trupin e vdekur të një personi; pse vallë na pengohet të paraqesim ofertën e Zotit në kohën e duhur, në mes të bijve të Izraelit?".

Moisiu iu përgjegj atyre: "Prisni që të dëgjoj çfarë do të urdhërojë Zoti lidhur me ju".

Dhe Zoti i foli Moisiut, duke thënë:

10 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Në rast se dikush nga ju ose nga trashëgimtarët tuaj është i papastër për shkak të një trupi të vdekur, apo gjendet larg në udhëtim, do ta kremtojë njëlloj Pashkën për nder Zotit.

11 Do ta kremtojnë ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë në të ngrysur; do të hanë bukë të ndorme dhe barishte të hidhura;

12 nuk do të lënë asnjë tepricë deri në mëngjes dhe nuk do të thyejnë asnjë kockë. Do ta kremtojnë simbas të gjitha statuteve të Pashkës.

13 Por ai që është i pastër dhe nuk është në udhëtim, në rast se nuk e kremton Pashkën, do të shfaroset në mes të popullit të tij, sepse nuk i paraqiti ofertën në kohën e duhur Zotit; ky njeri do të mbajë dënimin e mëkatit të tij.

14 Në rast se një i huaj që banon në mes jush kremton Pashkën e Zotit, ai duhet ta bëjë mbas statuteve dhe dekreteve të Pashkës. Ju do të keni një statut të vetëm për të huajin dhe për atë që ka lindur në vend".

15 Por ditën në të cilën tabernakulli u ngrit, reja mbuloi tabernakullin, perden e dëshmisë; dhe që nga mbrëmja deri në mëngjes reja mbi tabernakullin kishte marrë një pamje zjarri.

16 Kështu ndodhte gjithnjë: reja e mbulonte tabernakullin gjatë ditës dhe natën kishte pamjen e një zjarri.

17 Sa herë që reja ngrihej mbi çadrën, bijtë e Izraelit niseshin për rrugë pas kësaj; dhe aty ku ndalej reja, aty bijtë e Izraelit vendosnin kampin e tyre.

18 Me urdhër të Zotit bijtë e Izraelit nisnin ecjen e tyre dhe me urdhër të tij fushonin; rrinin në kampin e tyre aq kohë sa qëndronte reja mbi tabernakull.

19 Kur reja qëndronte për shumë ditë mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit respektonin urdhrin e Zotit dhe nuk lëviznin.

20 Por në rast se reja ndalej vetëm pak ditë mbi tabernakullin, me urdhër të Zotit ata qëndronin në kampin e tyre dhe me urdhër të Zotit niseshin për rrugë.

21 Në rast se reja ndalej vetëm nga mbrëmja deri në mëngjes, kur ajo ngrihej në mëngjes, ata niseshin për rrugë; si ditën ashtu dhe natën, kur reja ngrihej, ata viheshin në lëvizje.

22 Në qoftë se reja qëndronte e palëvizshme mbi tabernakullin dy ditë, një muaj apo një vit, bijtë e Izraelit qëndronin në kampin e tyre dhe nuk lëviznin; por kur ajo ngrihej, ata nisnin udhëtimin.

23 Me urdhër të Zotit fushonin dhe me urdhër të tij viheshin në lëvizje; respektonin urdhrin e Zotit, simbas asaj që ai kishte urdhëruar me anë të Moisiut.

Psalmet 45

45 Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë.

Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi.

Ngjeshe shpatën në brezin tënd, o trim, i rrethuar nga shkëlqimi yt dhe nga madhështia jote,

dhe në madhështinë tënde shko përpara mbi qerren fitimtare për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të tregojë vepra të tmerrshme.

Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt do të bien poshtë teje; ato do të hyjnë në zemërën e armiqve të mbretit.

Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie.

Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.

Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë.

Midis zonjave të nderit që të rrethojnë ka bija mbretërish; në të djathtën tënde është mbretëresha, e zbukuruar me ar Ofiri.

10 Dëgjo, vashë, shiko dhe vër veshin; harro populin tënd dhe shtëpinë e atit tënd,

11 dhe mbreti do të dëshirojë me të madhe bukurinë tënde; bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt.

12 Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua.

13 Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar.

14 Atë do ta çojnë te mbreti me rroba të qëndisura, të shoqëruar nga virgjëresha shoqe të saj, që do të të paraqiten ty.

15 Ato do t’i çojnë me gëzim dhe hare dhe do të hyjnë në pallatin e mbretit.

16 Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t’i bësh princa për tërë tokën.

17 Unë do të shpall kujtimin e emrit tënd për të gjitha brezat; prandaj popujt do të të kremtojnë në përjetësim, përjetë.

Kantiku i Kantikëve 7

Sa të bukura janë këmbët e tua në këpucë, o bija e princit! Pjesët e rrumbullakta të ijëve të tua janë si stolira, vepër e dorës së një artisti.

Kërthiza jote është një kupë e rrumbullakët, ku nuk mungon kurrë vera aromatike. Barku yt është një tog gruri, i rrethuar nga zambakë.

Dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjel, binjake të gazelave.

Qafa jote është si një kullë fildishi, sytë e tu janë si ato të pellgjeve të Heshbonit pranë portës së Bath-Rabimit. Hunda jote është si kulla e Libanit, që shikon në drejtim të Damaskut.

Koka jote lartohet mbi ty si Karmeli dhe flokët e kokës sate janë purpur; një mbret u zu rob i gërshetave të tua.

Sa e bukur je dhe sa e hijshme je, o e dashura ime, me të gjitha ëndjet që siguron!

Shtati yt është i njëllojtë me atë të palmës dhe sisët e tua janë si vile.

Kam thënë: "Do të ngjitem mbi palmë dhe do të kap degët e saj". Qofshin sisët e tua si vilet e rrushit, aroma e frymës sate si ajo e mollëve,

dhe të puthurat e gojës sate si një verë e zgjedhur, që zbret ëmbël për të kënaqur dëshirën time, duke çikur shumë lehtë buzët e atij që fle.

10 Unë jam e të dashurit tim dhe ai më dëshiron.

11 Eja, i dashuri im, le të dalim nëpër fusha, ta kalojmë natën nëpër fshatra!

12 Të çohemi shpejt në mëngjes për të shkuar në vreshtat dhe për të parë në qoftë se vreshti ka lëshuar llastarë, në se kanë çelur lulet e tij dhe në se shegët kanë lulëzuar. Aty do të jap dashurinë time.

13 Madërgonat përhapin aromën e tyre dhe mbi portat tona ka fryte të zgjedhura të çdo lloji, të freskëta dhe të thata, që i kam ruajtur për ty, i dashuri im.

Hebrenjve 7

Sepse ky Melkisedeku, mbret i Salemit dhe prift i Shumë të Lartit Perëndi, i doli përpara Abrahamit, kur po kthehej nga disfata e mbretërve dhe e bekoi;

dhe Abrahami i dha atij edhe të dhjetën e të gjithave. Emri i tij do të thotë më së pari "mbreti i drejtësisë," dhe pastaj edhe "mbreti i Salemit," domethënë "mbreti i paqes".

Pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh as fund jete, por i përngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim.

Merrni me mend, pra, sa i madh ishte ky, të cilit Abrahami i dha të dhjetën e plaçkës.

Edhe ata nga bijtë e Levit që marrin priftërinë kanë porosi sipas ligjit të marrin të dhjetën nga populli, pra, nga vëllezërit e tyre, megjithse edhe ata kanë dalë nga mesi i Abrahamit;

ndërsa ky, Melkisedeku, ndonëse nuk e kishte gjenealogjinë prej atyre, mori të dhjetën nga Abrahami dhe bekoi atë që kishte premtimet.

Dhe s’ka kundërshtim se më i vogli bekohet nga më i madhi.

Veç kësaj ata që i marrin të dhjetat janë njerëzit që vdesin, kurse atje i merr ai për të cilin dëshmohet se rron.

Dhe, që të them kështu, vetë Levi, që merr të dhjetat, dha të dhjeta te Abrahami,

10 sepse ishte ende në mesin e t’et, kur Melkisedeku i doli përpara.

11 Sepse, po të ishte përkryerja me anë të priftërisë levitike (sepse populli e mori ligji nën atë), ç’nevojë kishte të dilte një prift tjetër sipas rendit të Melkisedekut dhe të mos caktohet sipas rendit të Aaronit?

12 Sepse, po të ndërrohet priftëria, domosdo ndërrohet edhe ligji.

13 Sepse ai për të cilin bëhet fjalë i përket një fisi tjetër, prej të cilit askush nuk i ka shërbyer ndonjëherë altarit;

14 sepse dihet se Perëndia ynë lindi nga fisi i Judës, për të cilin Moisiu nuk tha asgjë lidhur me priftërinë.

15 Dhe kjo bëhet edhe më e qartë, në qoftë se del një prift tjetër pas shëmbëllimit të Melkisedekut,

16 që nuk u bë i tillë në bazë të ligjit të porosisë së mishit, po në bazë të fuqisë të jetës së pashkatërrueshme.

17 Sepse Shkrimi dëshmon: “Ti je prift për jetë të jetës, sipas rendit të Melkisedekut.”

18 Në këtë mënyrë bie poshtë urdhërimi i mëparshëm, për shkak të dobësisë dhe të padobisë së tij,

19 sepse ligji nuk mbaroi asnjë lloj pune, po futi një shpresë më të mirë, me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë.

20 Dhe kjo nuk u bë pa betim. Sepse ata bëheshin priftërinj pa bërë betim,

21 (ndërsa ky në bazë të betimit nga ana e atij që i tha: “Perëndia u betua dhe nuk do të pendohet: Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut”).

22 Kështu Jezusi u bë garant i një besëlidhjeje shumë më të mirë.

23 Për më tepër ata qenë bërë priftërinj në numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithnjë,

24 kurse ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme,

25 prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.

26 Sepse ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej,

27 i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten.

28 Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi, por fjala e betimit, që vjen pas ligjit, vë Birin që është i përkryer në jetë të jetës.