Book of Common Prayer
18 "Të dua, o Zot, forca ime.
2 Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.
3 Unë i kërkoj ndihmë Zotit, që është i denjë për t’u lëvduar, dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi.
4 Dhembje vdekjeje më kishin pushtuar dhe përrenj njerëzish të kobshëm më kishin tmerruar.
5 Ankthet e Sheolit më kishin rrethuar dhe leqet e vdekjes më rrinin përpara.
6 Në ankthin tim kërkova Zotin dhe i klitha Perëndisë tim; ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli i tij dhe zëri im arriti para tij, në veshët e tij.
7 Atëherë dheu u trondit dhe u drodh; edhe themelet e maleve luajtën dhe ranë, sepse ai ishte zemëruar shumë.
8 Një tym i dilte nga flegrat e tij dhe një zjarr shkatërrimtar dilte nga goja e tij; nga ai shpërthenin thëngjij.
9 Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij;
10 i kishte hipur një kerubini dhe fluturonte; fluturonte shpejt mbi krahët e erës.
11 Me terrin ai kishte bërë velin e tij dhe si shatorre rreth vetes kishte vënë errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.
12 Nga shkëlqimi që e paraprinte dilnin re të dendura, brësher dhe thëngjij.
13 Zoti gjëmoi në qiejtë dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij.
14 Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap.
15 Në qortimin tënd, o Zot, në shfryrjen e erës nga flegrat e tua, shtretërit e lumenjve u dukën dhe themelet e botës u zbuluan.
16 Ai nga lart shtriu dorën, më mori dhe më nxori jashtë ujërave të shumta.
17 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë.
18 Ata u vërsulën kundër meje ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti mbajti anën time,
19 dhe më nxori jashtë, larg; më çliroi sepse më do.
20 Zoti më ka shpërblyer sipas drejtësisë sime dhe më ka dhënë sipas pastërtisë së duarve të mia,
21 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im,
22 sepse kam mbajtur para meje tërë ligjet e tij dhe nuk u jam shmangur statuteve të tij.
23 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.
24 Sepse Zoti më ka dhënë sipas drejtësisë sime, sipas pastërtisë së duarve të mia përpara syve të tij.
25 Ti tregohesh i dhimbshëm ndaj njeriut besimtar dhe i drejtë me njeriun e drejtë.
26 Ti tregohesh i pastër me atë që është i pastër dhe i dinak me të ligun,
27 sepse ti je ai që shpëton njerëzit e pikëlluar dhe ul sytë që janë krenarë;
28 ti je në fakt je ai që bën të shkëlqejë llambën time; o Zot, Perëndia im, ti ndriçon errësirën time,
29 sepse me ty mund të sulmoj një aradhe dhe me Perëndinë tim mund të kërcej mbi një mur.
30 Rruga e Perëndisë është e përsosur; fjala e Zotit është pastruar me anë të zjarrit; ai është mburoja e të gjithë atyre që gjejnë strehë tek ai.
31 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Kush është kështjellë përveç Perëndisë tim?
32 Perëndia është ai që më rrethon me forcë dhe që e bën jetën time të përsosur.
33 Ai i bën këmbët e mia të ngjashme me ato të sutave dhe më bën të fortë në vendet e mia të larta;
34 ai i mëson duart e mia për betejë, dhe me krahët e mi mund të nderë një hark prej bakri.
35 Ti më ke dhënë gjithashtu mburojën e shpëtimit tënd; dora jote e djathtë më ka mbajtur dhe mirësia jote më ka bërë të madh.
36 Ti ke zgjeruar hapat e mi nën veten time dhe këmbët e mia nuk janë penguar.
37 I kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam arritur, nuk jam kthyer prapa para se t’i shkatërroj.
38 I kam goditur vazhdimisht dhe ata nuk kanë mundur të ngrihen përsëri; ata kanë rënë nën këmbët e mia.
39 Ti më ke dhënë forcë për betejën dhe ke bërë të përulen ata që ngriheshin kundër meje;
40 ti ke bërë të kthejnë kurrizin armiqtë e mi, dhe unë kam shkatërruar ata që më urrenin.
41 Ata klithën, por nuk pati njeri që t’i shpëtonte; ata i klithën Zotit, por ai nuk u dha përgjigje.
42 I kam shkelur deri sa i bëra si pluhuri para erës; i kam fshirë si balta e rrugëve.
43 Ti më ke çliruar nga grindjet e popullit; ti më ke bërë udhëheqës të kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.
44 Me të dëgjuar emrin tim, ata më dëgjuan dhe m’u bindën; të huajt m’u nënshtruan.
45 Të huajt u ligështuan dhe dolën duke u dridhur nga fortesat e tyre.
46 Rroftë Zoti, qoftë e bekuar Kështjella ime dhe lëvduar qoftë Perëndia i shpëtimit tim!
47 Ai është Perëndia që hakmerret për mua dhe që më nënshtron popujt;
48 ai më çliron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu që përdor dhunën.
49 Prandaj, o Zot, unë do ta kremtoj midis kombeve emrin tënd me këngë.
50 Çlirime të mëdha ai i jep mbretit të tij dhe tregohet dashamirës me Davidin, të vajosurin e tij, dhe me fisin e tij përjetë".
13 Tre nga tridhjetë krerët zbritën në kohën e korrjes dhe erdhën te Davidi në shpellën e Adullamit, ndërsa një grup Filistejsh kishte ngritur kampin e tij në luginën e gjigantëve.
14 Davidi ndodhej atëherë në kala dhe kishte një garnizon Filistejsh në Betlem.
15 Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: "Ah, sikur dikush të më jepte të pija ujë nga pusi i Betlemit, që është afër portës".
16 Të tre trimat çanë në mes të kampit të Filistejve dhe morën ujë nga pusi i Betlemit, pranë portës; pastaj e morën me vete dhe ia çuan Davidit. Por ai nuk desh ta pinte, por e derdhi përpara Zotit,
17 duke thënë: "Larg qoftë për mua, o Zot, një veprim i tillë! A nuk u vu, vallë gjaku i njerëzve, jeta e tyre në rrezik?". Dhe nuk deshi ta pinte. Kështu vepruan ata tre trima.
1 Plaku; zonjës së zgjedhur dhe bijve të saj që i dua në të vërtetë, dhe jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që e kanë njohur të vërtetën,
2 për shkak të së vërtetës që qëndron në ne dhe do të jetë me ne përjetë:
3 hiri, mëshira dhe paqja qofshin me ju nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht, Biri i të Atit, në të vërtetë dhe në dashuri.
4 U gëzova fort që gjeta disa nga bijtë e tu duke ecur në të vërtetën, sipas urdhërimit që morëm nga Ati.
5 Dhe tani të lutem ty, zonjë, jo sikur po të shkruaj një urdhërim të ri, por atë që kishim pasur nga fillimi, që ta duam njëri-tjetrin.
6 Dhe kjo është dashuria, të ecim sipas urdhërimeve të tij. Sikurse e dëgjuat nga fillimi, ky është urdhërimi që morëm, që të ecni në të.
7 Sepse në botë kanë dalë shumë mashtrues, të cilët nuk rrëfejnë se Jezu Krishti ka ardhur në mish; ky është mashtruesi dhe antikrishti.
8 Bëni kujdes se mos humbni fryti i gjërave të kryera, por bëni në menyrë të merrni një shpërblim të plotë.
9 Kushdo që shkon tej dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi; kush qëndron në doktrinën e Krishtit, ka Atin dhe Birin.
10 Në qoftë se dikush vjen tek ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni,
11 sepse ai që e përshëndet bëhet pjestar në veprat e tij të liga.
12 Megjithse kisha shumë gjëra për t’ju shkruar, nuk desha ta bëjë me letër dhe bojë, por shpresoj të vij te ju dhe t’ju flas me gojë, që gëzimi juaj të jetë i plotë.
13 Bijtë e motrës sate të zgjedhur të përshëndesin. Amen.
2 Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.
2 Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.
3 Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!.”
4 Jezusi i tha: “Ç’ke me mua, o grua? Ora ime s’ka ardhur akoma!.”
5 Nëna e tij u tha shërbëtorëve: “Bëni gjithçka që ai t’ju thotë!.”
6 Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.
7 Jezusi u tha: “Mbushni enët me ujë!.” Dhe ata i mbushën deri në grykë.
8 Pastaj u tha: “Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës.” Dhe ata ia çuan.
9 Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,
10 dhe i tha: “Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!.”
11 Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.