Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 103

103 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.

Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.

Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,

shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;

ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.

Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.

Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.

Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.

10 Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.

11 Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.

12 Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.

13 Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.

14 Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.

15 Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;

16 në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më.

17 Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,

18 për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t’i zbatuar në praktikë.

19 Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.

20 Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.

21 Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.

22 Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!

Psalmet 148

148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.

Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.

Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.

Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.

Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.

Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.

Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,

zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,

mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;

10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;

11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;

12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.

13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.

14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.

Isaia 62:1-5

62 Për hir të Sionit unë nuk do të hesht dhe për hir të Jeruzalemit nuk do të gjej prehje deri sa drejtësia e saj të mos dalë si agimi dhe shpëtimi i saj si një pishtar flakërues.

Atëherë kombet do të shohin drejtësinë tënde dhe tërë mbretërit lavdinë tënde; do të thirresh me një emër të ri, që do ta tregojë goja e Zotit.

Do të jesh një kurorë e shkëlqyer në dorën e Zotit, një diademë mbretërore në dorë të Perëndisë tënd.

Nuk do të quhesh më "E braktisur," as toka jote nuk do të quhet më "E shkretë," por do të të quajnë "Kënaqësia ime është tek ajo" dhe toka jote "E Martuar," sepse Zoti gjen kënaqësi te ti, dhe toka jote do të ketë një dhëndër.

Prandaj, ashtu si një i ri martohet me një të virgjër, bijtë e tu do të martohen me ty; dhe ashtu si i martuari gëzohet me nusen, kështu Perëndia do të gëzohet për ty.

Isaia 62:10-12

10 Kaloni, kaloni nëpër porta! Përgatitni rrugën për popullin! Shtroni, shtroni udhën, hiqni gurët, ngrini një flamur para popujve!

11 Ja, Zoti shpalli deri në skajin e tokës: "I thoni bijës së Sionit: Ja, shpëtimi yt po vjen; ja, ka me vete shpërblimin e saj dhe shpërblimi i saj e pararend.

12 Do t’i quajnë "Populli i shenjtë," "Të çliruarit e Zotit," dhe ti do të quhesh "E kërkuara," "Qyteti i pabraktisur"".

Zbulesa 19:11-16

11 Dhe pashë qiellin e hapur, dhe ja, një kalë i bardhë, dhe ai që e kalëronte quhet Besniku dhe i Vërteti; dhe ai gjykon dhe lufton me drejtësi.

12 Dhe sytë e tij ishin si flakë zjarri dhe mbi kryet e tij ishin shumë kurora; edhe kishte një emër të shkruar, që askush nuk e di përveç atij;

13 Dhe ishte i veshur me një rrobe të ngjyer në gjak; dhe emri i tij quhet: "Fjala e Perëndisë".

14 Dhe ushtritë që janë në qiell e ndiqnin mbi kuaj të bardhë, të veshur me rroba liri të hollë, të bardhë dhe të pastër.

15 Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe ai vet do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm.

16 Dhe mbi rroben e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETÉRVE dhe ZOTI I ZOTÉRVE.

Mateu 1:18-25

18 Tani lindja e Jezu Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të fillonin të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Frymën e Shenjtë.

19 Atëherë Jozefi, i fejuari i saj, i cili ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas.

20 Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjell i Zotit dhe i tha: “Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë.

21 Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.”

22 E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë:

23 “Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t’i venë emrin Emanuel, që do të thotë: "Zoti me ne".”

24 Dhe Jozefi, si u zgjua nga gjumi, veproi ashtu siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori pranë vetës gruan e tij;

25 por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus.