Book of Common Prayer
45 Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë.
2 Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi.
3 Ngjeshe shpatën në brezin tënd, o trim, i rrethuar nga shkëlqimi yt dhe nga madhështia jote,
4 dhe në madhështinë tënde shko përpara mbi qerren fitimtare për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të tregojë vepra të tmerrshme.
5 Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt do të bien poshtë teje; ato do të hyjnë në zemërën e armiqve të mbretit.
6 Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie.
7 Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.
8 Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë.
9 Midis zonjave të nderit që të rrethojnë ka bija mbretërish; në të djathtën tënde është mbretëresha, e zbukuruar me ar Ofiri.
10 Dëgjo, vashë, shiko dhe vër veshin; harro populin tënd dhe shtëpinë e atit tënd,
11 dhe mbreti do të dëshirojë me të madhe bukurinë tënde; bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt.
12 Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua.
13 Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar.
14 Atë do ta çojnë te mbreti me rroba të qëndisura, të shoqëruar nga virgjëresha shoqe të saj, që do të të paraqiten ty.
15 Ato do t’i çojnë me gëzim dhe hare dhe do të hyjnë në pallatin e mbretit.
16 Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t’i bësh princa për tërë tokën.
17 Unë do të shpall kujtimin e emrit tënd për të gjitha brezat; prandaj popujt do të të kremtojnë në përjetësim, përjetë.
47 Duartrokisni, o popuj; kremtojeni Perëndinë me britma triumfi.
2 Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.
3 Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t’i vërë nën këmbët tona.
4 Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela)
5 Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive.
6 Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!
7 Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.
8 Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.
9 Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.
48 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.
2 I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh.
3 Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme.
4 Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht,
5 por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar.
6 Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes,
7 në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit.
8 Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë.
9 Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde.
10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi.
11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua.
12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij,
13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t’ia tregoni brezave që do të vijnë.
14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.
2 I ngrita mandej sytë dhe shikova dhe ja, një burrë që mbante në dorë një litar për matje.
2 E pyeta: "Ku po shkon?". Ai m’u përgjigj: "Po shkoj të mas Jeruzalemin, për të parë sa është gjerësia e tij dhe sa është gjatësia e tij".
3 Dhe ja, engjëlli që fliste me mua doli përpara dhe një engjëll tjetër i doli përballë,
4 dhe i tha: "Rend, foli atij të riu dhe i thuaj: Jeruzalemi do të jetë i banuar si një qytet pa mure, për shkak të morisë së njerëzve dhe të kafshëve që do të jenë në të.
5 Sepse unë," thotë Zoti, "do të jem për të një mur zjarri rreth e qark dhe do të jem lavdia e tij në mes të tij".
6 Oh, oh! "Ikni nga vendi i veriut," thotë Zoti, "sepse ju kam shpërndarë si katër erërat e qiellit," thotë Zoti.
7 Oh, Sion, siguro shpëtimin, ti që banon bashkë me bijën e Babilonisë!
8 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Lavdia e tij më ka dërguar te kombet që ju kanë plaçkitur, sepse ai që ju prek prek beben e syrit të tij.
9 Ja, unë do ta tund dorën time kundër tyre dhe ata do të bëhen pre e atyre që u ishin nënshtruar atyre; atëherë do të pranoni që më ka dërguar Zoti i ushtrive.
10 Lësho klithma gëzimi, gëzohu, o bijë e Sionit, sepse ja, unë do të vij, të banoj midis teje," thotë Zoti.
11 "Atë ditë shumë kombe do të bashkohen me Zotin dhe do të bëhen populli im, dhe unë do të banoj midis teje; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ti.
12 Dhe Zoti do të marrë në zotërim Judën si trashëgimi të tij në tokën e shenjtë dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin.
13 Çdo mish le të heshtë përpara Zotit, sepse ai është zgjuar nga selia e tij e shenjtë".
14 “Dhe engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: këtë thotë Ameni, Dëshmitari besnik dhe i vërtetë, Fillimi i krijesës së Perëndisë.
15 Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë!
16 Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.
17 Sepse ti thua: "Unë jam i pasur, u pasurova dhe s’kam nevojë për asgjë"; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur.
18 Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të bëhesh i pasur; edhe petka të bardhë që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh.
19 Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu.
20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.
21 Kujt fiton do t’i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij.
22 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave.”
32 Tani mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur tashmë degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethet, ta dini se vera është afër.
33 Kështu edhe ju, kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.
34 Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto.
35 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.
36 Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qieive, por vetëm Ati im.
37 Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut.
38 Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë;
39 dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut.
40 Atëherë dy do të jenë në arë, një do të merret dhe tjetri do të lihet.
41 dy gra do të bluajnë në mulli, një do të merret dhe tjetra do të lihet.
42 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj.
43 Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i shpërthehej shtëpia.
44 Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni.”