Book of Common Prayer
1 Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,
2 por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.
3 Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.
4 Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.
5 Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.
6 Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.
2 Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?
2 Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,
3 duke thënë: "Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre".
4 Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.
5 Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe,
6 dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.
7 Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.
8 Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.
9 Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".
10 Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.
11 Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.
12 Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.
3 O Zot, sa të shumtë janë armiqtë e mi! Shumë ngrihen kundër meje.
2 Shumë thonë për mua: "Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë". (Sela)
3 Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje; ti je lavdia ime dhe ai më larton kokën.
4 Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj nga mali i tij i shenjtë. (Sela)
5 Unë rashë e fjeta; pastaj u zgjova, sepse Zoti më përkrah.
6 Unë do të kem frikë nga mizëri njerëzish që kanë fushuar rreth e qark kundër meje.
7 Çohu, o Zot, më shpëto, o Perëndia im; sepse ti i ke goditur tërë armiqtë e mi në nofull; u ke thyer dhëmbët të pabesëve.
8 Shpëtimi i përket Zotit, bekimi yt qoftë mbi popullin tënd. (Sela)
4 Kur thërras, përgjigjmu, o Perëndi i drejtësisë sime; kur isha në fatkeqësi, ti më ke ndihmuar; ki mëshirë për mua dhe plotësoje lutjen time.
2 Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet rëndë lavdia ime? Deri kur do të jepeni pas kotësisë dhe do të shkoni pas gënjeshtrës? (Sela)
3 Por dijeni se Zoti ka zgjedhur një që është i shenjtë; Zoti do të më plotësojë dëshirën kur do t’i thërras atij.
4 Zemërohuni dhe mos mëkatoni; në shtratin tuaj mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje. (Sela)
5 Ofroni flijime drejtësie dhe kini besim te Zoti.
6 Shumë thonë: "Kush do të na tregojë të mirën?". O Zot, bëj që të shkëlqejë drita e fytyrës sate mbi ne.
7 Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë.
8 Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.
7 O Zot, Perëndia im, po kërkoj strehim te ti; shpëtomë nga tërë ata që më përndjekin dhe çliromë,
2 që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.
3 O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,
4 në rast se së mirës i jam përgjigjur me të keqen atij që jetonte në paqe me mua, ose në rast se e kam zhveshur armikun tim pa arësye,
5 le të më përndjekë armiku dhe të më arrijë, le ta marrë nëpër këmbë jetën time dhe ta zvarritë në pluhur lavdinë time. (Sela)
6 Çohu, o Zot, në zemërimin tënd; çohu kundër tërbimit të armiqve të mi dhe në favorin tim; ti ke vendosur gjykimin.
7 Kuvendi i popujve do të të rrethojë; kthehu mbi të në një vend të ngritur.
8 Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime.
9 Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.
10 Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.
11 Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.
12 Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.
13 Ai ka përgatitur kundër tij armë vdekjeprurëse, i mban gati shigjetat e tij të zjarrta.
14 Ja, keqbërësi lind padrejtësinë; ai ka konceptuar ligësinë dhe ka për të pjellë mashtrimin.
15 Ai gërmon një gropë dhe e bën të thellë, por bie vetë në gropën që ka bërë.
16 Ligësia e tij do të kthehet mbi kryet e vet dhe dhuna e tij do të bjerë mbi çafkën e kokës.
17 Unë do ta falenderoj Zotin për drejtësinë e tij, dhe do të këndoj lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.
6 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Izraelit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse e shesin me pare të drejtin dhe të varfrin për një palë sandale,
7 ata që dëshirojnë fort të shohin pluhurin e tokës mbi kryet e të varfërve dhe shkelin të drejtën e të përulurve. Një njeri dhe ati i tij shkojnë bashkë te po ajo vajzë, për të përdhosur emrin tim të shenjtë.
8 Shtrihen rreth çdo altari me rroba që kanë marrë hua dhe në shtëpinë e perëndive të tyre pinë verën e atyre që janë dënuar me gjobë.
9 Unë, pra, e shkatërrova para tyre Amoreon, që ishte i gjatë sa është i gjatë kedri dhe ishte fortë si lisi; unë shkatërrova frytin e tij lart dhe rrënjët e tij poshtë.
10 Unë ju nxora gjithashtu nga vendi i Egjiptit dhe ju çova për dyzet vjet në shkretëtirë, për t’ju dhënë në trashëgimi vendin e Amoreut.
11 Nxora disa profetë midis bijve tuaj dhe Nazirej midis të rinjve tuaj. Vallë, nuk është kështu, o bij të Izraelit?," thotë Zoti.
12 "Por i keni detyruar Nazirejtë të pinë verë dhe i keni urdhëruar profetët duke thënë: "Mos profetizoni".
13 Unë jam i shtypur poshtë jush, ashtu siç është e shtypur qerrja e mbushur me duaj.
14 Prandaj i shpejti nuk do të ketë mundësi të ikë, i forti nuk do të konsolidojë forcën e tij dhe njeriu trim nuk do ta shpëtojë jetën e tij.
15 Kush përdor harkun nuk do të mund të rezistojë, kush ka këmbë të shpejta nuk do t’ia dalë të ikë, as ka për të shpëtuar jetën e vet kalorësi mbi kalë.
16 Atë ditë më trimi ndër trimat do të ikë lakuriq," thotë Zoti.
1 Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht:
2 hiri dhe paqja u shumoftë për ju në njohjen e Perëndisë dhe të Jezusit, Zotit tonë.
3 Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet,
4 me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë.
5 Edhe ju, për të njëjtën arsye, duke bërë çdo përpjekje, t’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë,
6 diturisë vetkontroll, vetkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmerinë,
7 mëshirës dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë.
8 Sepse nëse këto gjëra gjendën në ju me shumicë, nuk do t’ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
9 Sepse ai që nuk i ka këto gjëra është i verbër dhe dritëshkurtër, sepse harroi pastrimin nga mëkatet e tij të vjetër.
10 Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë.
11 Sepse kështu begatisht do t’ju hapet hyrja në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.
21 Kur iu afruan Jeruzalemit dhe arritën në Betfage, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy dishepuj,
2 duke u thënë atyre: “Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m’i sillni!
3 Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t’i kthejë shpejt.”
4 Tani kjo ndodhi për të përmbushur ç’ishtë thënë nga profeti, që thotë:
5 “I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulishtë, pjellë e një kafshe barrë.”
6 Dishepujt shkuan dhe vepruan ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi.
7 Sollën gomaren dhe pulishtin, shtruan mbi to mantelet e tyre, dhe ai u hipi.
8 Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë.
9 Turmat që vinin përpara dhe ato që e ndiqnin brohoritnin, duke thënë: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!.”
10 Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: “Kush është ky?.”
11 Dhe turmat thonin: “Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë.