Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 105

105 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.

Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.

Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.

Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.

Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,

ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.

Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.

Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,

besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,

10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,

11 duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj,"

12 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend,

13 dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër.

14 Ai nuk lejoi që t’i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,

15 dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi".

16 Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.

17 Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.

18 I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.

19 Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.

20 Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,

21 dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,

22 për t’i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t’u mësuar pleqve të tij diturinë.

23 Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.

24 Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.

25 Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.

26 Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.

27 Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.

28 Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.

29 I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.

30 Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.

31 Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.

32 U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre;

33 goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre.

34 Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh,

35 që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre.

36 Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre;

37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.

38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.

39 Ai shpalosi një re për t’i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t’i ndriçuar natën.

40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.

41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.

42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;

43 pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,

44 dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,

45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t’u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.

Danieli 6:1-15

I pëlqeu Darit të vendosë mbi mbretërinë njëqindenjëzet satrapë, të cilët, të ishin në krye të gjithë mbretërisë.

dhe mbi ta kishte tre prefektë, nga të cilët njëri ishte Danieli, të cilëve këta satrapë duhet t’u jepnin llogari, më qëllim që mbreti të mos pësonte asnjë dëm.

Danieli shkëlqente mbi prefektët dhe satrapët e tjerë, sepse ai kishte një frymë më të lartë, dhe mbreti mendonte ta vendoste mbi tërë mbretërinë.

Atëherë prefektët dhe satrapët kërkuan të gjenin një pretekst kundër Danielit lidhur me administrimin e mbretërisë, por nuk mundën të gjejnë asnjë pretekst apo korruptim, sepse ai ishte besnik dhe nuk mundën të gjejnë tek ai asnjë gabim apo korruptim.

Atëherë këta njerëz thanë: "Nuk do të gjejmë kurrë ndonjë pretekst kundër Danielit, veç se po ta gjejmë kundër tij në vet ligjin e Perëndisë të tij."

Atëherë ata prefektë dhe satrapë u mblodhën me zhurmë para mbretit dhe i thanë: "O mbreti Dar, jetofsh për jetë!

Tërë prefektët e mbretërisë, qeveritarët dhe satrapët, këshilltarët dhe komandantët u konsultuan bashkë për të nxjerrë një vendim mbretëror dhe për të bërë një dekret të prerë, në bazë të të cilëve kushdo që gjatë tridhjetë ditëve do t’i drejtojë një kërkesë cilësdo perëndie a njeriu përveç teje, o mbret, të hidhet në gropën e luanëve.

Tani, o mbret, nxirr dekretin dhe firmos dokumentin, në mënyrë që të mos ndryshohet dot në pajtim me ligjin e Medasve dhe të Persianëve, që është i parevokueshëm".

Pastaj mbreti Dari nënshkroi dokumentin dhe dekretin.

10 Kur Danieli mësoi që dokumenti ishte nënshkruar, hyri në shtëpinë e vet. Pastaj në dhomën e tij të sipërme, me dritaret e saj të hapura në drejtim të Jeruzalemit, tri herë në ditë gjunjëzohej, lutej dhe falenderonte Perëndinë e tij, siç e bënte zakonisht më parë.

11 Atëherë ata njerëz erdhën duke bërë zhurmë dhe e gjetën Danielin që po i lutej dhe i përlutej Perëndisë të tij.

12 Kështu iu afruan mbretit dhe folën para tij për dekretin mbretëror: "A nuk ke nënshkruar një dekret në bazë të të cilit gjatë tridhjetë ditëve kushdo që do të bëjë një kërkesë drejtuar çfarëdo perëndie ose njeriu me përjashtimin tënd, o mbret, do të hidhet në gropën e luanëve?". Mbreti u përgjigj dhe tha: "Kjo gjë është vendosur në pajtim me ligjin e Mediasve dhe të Persianëve, që nuk mund të ndryshohet".

13 Atëherë ata nisën përsëri të flasin përpara mbretit: "Danieli, që është një ndër të mërguarit e Judës, nuk tregon asnjë konsideratë për ty, o mbret, ose për dekretin që ke nënshkruar, por i drejton lutje tri herë në ditë Perëndisë të tij".

14 Me të dëgjuar këtë, mbreti u hidhërua me të madhe dhe duke dashur në zemër të vet ta çlirojë Danielin, u përpoq deri sa perëndoi dielli ta shkëputë nga duart e tyre.

15 Por ata njerëz erdhën te mbreti duke bërë zhurmë dhe i thanë: "Dije, o mbret, që është ligj i Medasve dhe i Persianëve që asnjë dekret ose edikt i shpallur nga mbreti nuk mund të ndryshohet".

2 Gjonit

Plaku; zonjës së zgjedhur dhe bijve të saj që i dua në të vërtetë, dhe jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që e kanë njohur të vërtetën,

për shkak të së vërtetës që qëndron në ne dhe do të jetë me ne përjetë:

hiri, mëshira dhe paqja qofshin me ju nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht, Biri i të Atit, në të vërtetë dhe në dashuri.

U gëzova fort që gjeta disa nga bijtë e tu duke ecur në të vërtetën, sipas urdhërimit që morëm nga Ati.

Dhe tani të lutem ty, zonjë, jo sikur po të shkruaj një urdhërim të ri, por atë që kishim pasur nga fillimi, që ta duam njëri-tjetrin.

Dhe kjo është dashuria, të ecim sipas urdhërimeve të tij. Sikurse e dëgjuat nga fillimi, ky është urdhërimi që morëm, që të ecni në të.

Sepse në botë kanë dalë shumë mashtrues, të cilët nuk rrëfejnë se Jezu Krishti ka ardhur në mish; ky është mashtruesi dhe antikrishti.

Bëni kujdes se mos humbni fryti i gjërave të kryera, por bëni në menyrë të merrni një shpërblim të plotë.

Kushdo që shkon tej dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi; kush qëndron në doktrinën e Krishtit, ka Atin dhe Birin.

10 Në qoftë se dikush vjen tek ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni,

11 sepse ai që e përshëndet bëhet pjestar në veprat e tij të liga.

12 Megjithse kisha shumë gjëra për t’ju shkruar, nuk desha ta bëjë me letër dhe bojë, por shpresoj të vij te ju dhe t’ju flas me gojë, që gëzimi juaj të jetë i plotë.

13 Bijtë e motrës sate të zgjedhur të përshëndesin. Amen.

Luka 5:12-26

12 Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: “Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh.”

13 Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: “Po, e dua, qofsh i pastruar.” Dhe menjëherë lebra iu zhduk.

14 Dhe Jezusi e urdhëroi: “Mos ia trego kurrkujt; por shko, paraqitu te prifti dhe bëj një ofertë për pastrimin tënd, sikurse e ka përshkruar Moisiu, që kjo t’u shërbejë si dëshmi.”

15 Dhe fama e tij po përhapej gjithnjë e më shumë; dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar dhe për t’u shëruar prej tij nga sëmundjet e veta.

16 Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej.

17 Një ditë ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte, ishin të pranishëm, ulur, disa farisenj dhe mësues të ligjit, që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe nga Jeruzalemi; dhe fuqia e Zotit ishte me të, që të kryente shërime.

18 Dhe ja, disa njerëz po sillnin mbi një vig një njeri të paralizuar dhe kërkonin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara tij.

19 Por, duke mos gjetur se si ta fusnin brenda për shkak të turmës, hipën mbi çatinë e shtëpisë dhe e lëshuan përmjet tjegullave me gjithë vig midis njerëzve, përpara Jezusit.

20 Dhe ai, duke parë besimin e tyre, i tha atij: “Njeri, mëkatet e tua të janë falur.”

21 Atëherë skribët dhe farisenjtë filluan të arsyetojnë duke thënë: “Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t’i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndi?.”

22 Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: “Ç’po arsyetoni në zemrat tuaja?

23 Çfarë është më e lehtë, të thuhet: "Mëkatet e tua të janë falur," apo të thuhet: "Çohu dhe ec"?

24 Tani, pra, me qëllim që ju ta dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet, unë të them (i tha të paralizuarit), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!.”

25 Dhe menjëherë ai njeri u ngrit përpara tyre, mori vigun mbi të cilin qe shtrirë dhe shkoi në shtëpinë e vet, duke përlëvduar Perëndinë.

26 Dhe të gjithë u habitën dhe përlëvdonin Perëndinë, dhe, plot frikë, thoshnin: “Sot pamë gjëra të mahnitshme.”