Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 37

37 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,

sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.

Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.

Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.

Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.

Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.

Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.

Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.

Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.

10 Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.

11 Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.

12 I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.

13 Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.

14 Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.

15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.

16 Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.

17 Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.

18 Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.

19 Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen.

20 Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave.

21 I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron.

22 Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.

23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.

24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.

25 Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.

26 Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.

27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.

28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.

29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.

30 Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.

31 Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.

32 I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.

33 Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.

34 Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.

35 E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,

36 por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.

37 Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.

38 Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.

39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.

40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.

Danieli 5:13-30

13 Atëherë Danielin e sollën në prani të mbretit; mbreti i foli Danielit dhe i tha: "A je ti Danieli, një nga të mërguarit e Judës, që mbreti, ati im, solli nga Juda?

14 Kam dëgjuar të thonë për ty që fryma e perëndive është te ti, dhe se te ti gjenden dritë, mënçuri dhe një dituri e jashtëzakonshme.

15 Tani kanë sjellë pranë meje njerëz të ditur dhe astrologë me qëllim që të lexojnë këtë shkrim dhe të më bëjnë të njohur interpretimin e tij; por ata nuk kanë qenë të zotë të më jepnin interpretimin e çështjes.

16 Kam dëgjuar ndërkaq të thuhet se ti je në gjendje të japësh interpretimin dhe të zgjidhësh çështje të ndërlikuara. Tani në rast se je i zoti të lexosh këtë shkrim dhe të më bësh të njohur interpretimin e tij, ti do të vishesh me rroba të purpurta, do të mbash një gjerdan ari në qafë dhe do të jesh i treti në qeverisjen e mbretërisë".

17 Atëherë Danieli u përgjigj dhe tha para mbretit: "Mbaji, pra, dhuratat e tua dhe jepi një tjetri shpërblimet e tua; megjithatë unë do t’ia lexoj shkrimin mbretit dhe do t’i bëj të njohur interpretimin.

18 O mbret, Perëndia Shumë i Lartë i kishte dhënë Nebukadnetsarit, atit tënd, mbretëri, madhështi, lavdi dhe madhëri.

19 Për madhështinë që i kishte dhënë, tërë popujt, tërë kombet dhe gjuhët dridheshin dhe kishin frikë para atij; ai vriste kë të donte dhe linte të gjallë kë të donte, ngrinte kë të donte dhe ulte kë të donte.

20 Po, kur zemra e tij u ngrit dhe fryma e tij u ngurtësua deri në arrogancë, ai u rrëzua nga froni mbretëror dhe iu hoq lavdia e tij.

21 Pastaj u dëbua nga bijtë e njerëzve, zemra e tij u bë e ngjashme me atë të kafshëve të tij dhe banesa e tij me atë të gomarëve të egër; i dhanë bar për të ngrënë si qetë dhe trupi i tij u lag nga vesa e qiellit, deri sa pranoi që Perëndia Shumë i Lartë sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe mbi të vendos atë që do.

22 Por ti Belshatsar, biri i tij, megjithëse e dije gjithë këtë, nuk e ke përulur zemrën tënde;

23 përkundrazi je ngritur kundër Zotit të qiellit, urdhërove të të sjellin përpara vazot e tempullit të tij, dhe me to keni pirë verë ti dhe të mëdhenjtë e tu, bashkëshortet e tua dhe konkubinat e tua. Përveç kësaj ke lëvduar perënditë prej argjendi, prej ari, prej bronzi, prej druri e guri, që nuk shohin, nuk dëgjojnë dhe nuk kuptojnë, dhe nuk ke përlëvduar Perëndinë, në dorën e të cilit është fryma jote jetësore dhe të cilës i përkasin tërë rrugët e tua.

24 Prandaj nga prania e tij u dërgua pjesa e asaj dore, që ka shkruar shkrimin.

25 Ky është shkrimi që u vizatua: MENE, MENE, TEKEL UFARSIN.

26 Ky është interpretimi i çdo fjale: MENE: Zoti ka bërë llogarinë e mbretërisë sate dhe i ka dhënë fund.

27 TEKEL: ti u peshove në peshoret dhe u gjet që të mungonte diçka.

28 PERES: mbretëria jote u nda dhe iu dha Medasve dhe Persianëve".

29 Atëherë, me urdhër të Belshatsarit, Danieli u vesh me të purpurta, i vunë në qafë një gjerdan ari dhe shpallën që ai do të ishte i treti në qeverimin e mbretërisë.

30 Po atë natë Belshatsari, mbreti i Kaldeasve, u vra;

1 Gjonit 5:13-21

13 Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme dhe që të besoni në emrin e Birit të Perëndisë.

14 Kjo është siguria që kemi përpara tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson:

15 Dhe nëse dimë se ai na i plotëson të gjitha ato që i kërkojmë, ne dimë se i kemi ato që i kërkuam atij.

16 Në se dikush sheh vëllanë e vet se kryen një mëkat që nuk çon në vdekje, le t’i lutet Perëndisë, dhe ai do t’i japë jetën, atyre që bëjnë mëkat që nuk çon në vdekje. Ka mëkat që çon në vdekje nuk them që ai të lutet për këtë.

17 Çdo paudhësi është mëkat; por ka mëkat që nuk çon në vdekje.

18 Ne dimë se kushdo që ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton; ai që ka lindur nga Perëndia e ruan veten e tij, dhe i ligu nuk e prek atë.

19 Ne dimë se jemi nga Perëndia dhe se gjithë bota dergjet në ligësi.

20 Por ne dimë se Biri i Perëndisë erdhi dhe na dha të kuptuarit, që ne të njohim atë që është i Vërteti; dhe ne jemi në të Vërtetin, në Birin e tij Jezu Krisht; ky është i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme.

21 Djema, ruani veten nga idhujt.

Luka 5:1-11

Dhe ndodhi që Jezusi, kur po ndodhej në bregun e liqenit të Gjenezaretit e ndërsa turma po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë,

pa dy barka të lidhura në breg të liqenit, nga të cilat kishin dalë peshkatarët dhe po lanin rrjetat.

Atëherë hyri në një nga ato barka, në atë që ishte e Simonit, dhe iu lut që të largohej pak nga bregu. U ul dhe mësonte turmat nga barka.

Dhe kur mbaroi së foluri i tha Simonit: “Shko në të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”

Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: “Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën.

Dhe, si bënë kështu, zunë një sasi aq të madhe peshku, sa po shqyhej rrjeta.

Atëherë u bënë shenjë shokëve të tyre që ishin në barkën tjetër, që të vinin e t’i ndihmonin. Dhe ata erdhën dhe i mbushën të dy barkat aq sa gati po fundoseshin.

Simon Pjetri, kur pa këtë, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar.”

Në të vërtetë Pjetri dhe të gjithë ata që ishin me të, habiteshin për shkak të sasisë së peshkut që kishin zënë.

10 E njëjta gjë u ngjau edhe Jakobit dhe Gjonit, bijve të Zebedeut, që ishin shokë të Simonit. Atëherë Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë; tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë.”

11 Pastaj ata, si i nxorën në breg barkat, lanë çdo gjë dhe ndiqnin.