Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:1-24

119 Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.

Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër

dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij.

Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes.

Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua.

Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.

Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta.

Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht.

Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.

10 Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.

11 E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.

12 Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua.

13 Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate.

14 Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë.

15 Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua.

16 Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde.

17 Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde.

18 Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.

19 Unë jam i huaji mbi dhe; mos m’i fshih urdhërimet e tua.

20 Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë.

21 Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua.

22 Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua.

23 Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua.

24 Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi.

Psalmet 12-14

12 Na shpëto, o Zot, sepse njerëz të devotshëm ka më pak, dhe ata që thonë të vërtetën janë zhdukur në mes të bijve të njerëzve.

Secili gënjen të afërmin e tij dhe flet me buzë lajkatare dhe me zemër të zhdyzuar.

Zoti i preftë të gjitha buzët lajkatare dhe gjuhën që flet me krenari,

të atyre që thonë: "Me gjuhën tonë do të sundojmë; buzët tona na përkasin neve; kush është zot mbi ne?".

"Për shkak të shtypjes së të mjerëve dhe të britmës së nevojtarëve, tani do të çohem," thotë Zoti, "dhe do t’i shpëtoj nga ata që u zënë pusi".

Fjalët e Zotit janë fjalë të pastra, si argjend i rafinuar në një furrë prej dheu, i pastruar shtatë herë.

Ti, o Zot, do t’i mbrosh dhe do t’i ruash, duke filluar nga ky brez përjetë.

Të pabesët sillen pa u ndëshkuar kudo, kur midis bijve të njerëzve lavdërohet e keqja.

13 Deri kur do të më harrosh, o Zot? Vallë kështu do të jetë përjetë? Deri kur do të më fshehësh fytyrën tënde?

Deri kur do të marr vendime në shpirtin tim dhe do të kem pikëllim në zemrën time tërë ditën? Deri kur do të ngrihet armiku im mbi mua?

Shiko me vëmendje dhe përgjigjmu, o Zot, Perëndia im, ndriço sytë e mi, që të mos më zërë gjumi në gjumin e vdekjes,

dhe armiku im të mos thotë: "E munda," dhe armiqtë e mi të mos gëzohen kur unë lëkundem.

Por unë kam besim në mirësinë tënde dhe zemra ime do të ngazëllojë në çlirimin tënd;

unë do t’i këndoj Zotit, sepse ai më ka trajtuar me shumë shpirtmadhësi.

14 I pamendi ka thënë në zemër të tij: "Nuk ka Perëndi". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.

Zoti shikon nga qielli bijtë e njerëzve për të parë në se ndonjeri prej tyre ka arsye dhe kërkon Perëndinë.

Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një.

Nuk kanë fare arsye të gjithë ata që kryejnë paudhësi, që hanë popullin tim si të hanin bukë dhe nuk kërkojnë ndihmën e Zotit?

Atje do t’i zërë një frikë e madhe, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë.

Ju kërkoni të prishni planet e të mjerit, sepse Zoti është streha e tij.

Oh! Le të vijë, pra, nga Sioni shpëtimi i Izraelit! Kur Zoti do ta kthejë popullin e tij nga robëria, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.

Danieli 2:17-30

17 Atëherë Danieli shkoi në shtëpinë e vet dhe ua bëri të ditur këtë gjë shokëve të tij Hananiah, Mishael dhe Azaria,

18 me qëllim që t’i kërkonin mëshirë Perëndisë të qiellit lidhur me këtë sekret, me qëllim që Danieli dhe shokët e tij të mos vriteshin bashkë me kusurin e njerëzve të ditur të Babilonisë.

19 Atëherë sekreti iu zbulua Danielit në një vegim nate. Kështu Danieli bekoi Perëndinë e qiellit.

20 Danieli filloi të thotë: "Qoftë i bekuar emri i Perëndisë përjetë, sepse atij i përkasin dituria dhe forca.

21 Ai ndryshon kohërat dhe stinët, i ul mbretërit dhe i larton, u jep dituri të urtëve dhe dije atyre që kanë mend.

22 Ai tregon gjërat e thella dhe të fshehta, njeh atë që është në terr dhe drita qëndron me të.

23 O Perëndi i etërve të mi, të falënderoj dhe të lëvdoj, sepse më ke dhënë dituri dhe forcë dhe më ke bërë të njoh atë që të kemi kërkuar, duke na bërë të njohim gjënë e kërkuar nga mbreti".

24 Prandaj Danieli shkoi te Arioku, të cilit mbreti i kishte besuar detyrën të vriste njerëzit e ditur të Babilonisë; shkoi dhe i tha kështu: "Mos i vrit njerëzit e ditur të Babilonisë! Më ço përpara mbretit dhe do t’i jap mbretit interpretimin tim".

25 Atëherë Arioku e çoi me nxitim Danielin përpara mbretit dhe i foli kështu: "Gjeta midis Judejve robër një njeri që do t’i njohë mbretit interpretimin".

26 Mbreti filloi t’i thotë Danielit, që quhej Beltshatsar: "A je i zoti të më bësh të njohur ëndrrën që pashë dhe interpretimin e saj?".

27 Danieli u përgjigj në prani të mbretit dhe tha: "Sekreti për të cilin mbreti kërkoi interpretimin tim, nuk mund t’i shpjegohet mbretit as nga njerëzit e urtë, as nga astrologët, as nga magjistarët, as nga shortarët.

28 Por ka një Perëndi në qiell që zbulon sekretet, dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nebukadnetsarit atë që do të ndodhë ditët e fundit. Kjo ka qenë ëndrra jote dhe vegimet e mendjes sate në shtratin tënd.

29 O mbret, mendimet që të kanë ardhur në shtratin tënd kanë të bëjnë me atë që ka për të ndodhur tani e tutje; dhe ai që zbulon sekretet të ka bërë të njohur atë që ka për të ndodhur.

30 Sa për mua, ky sekret m’u zbulua jo sepse kam më tepër dituri nga tërë të gjallët e tjerë, por me qëllim që interpretimi im t’i njoftohet mbretit, dhe ti të njihesh me mendimet e zemrës sate.

1 Gjonit 2:12-17

12 Djema, ju shkruaj sepse mëkatet ju janë falur nëpërmjet emrit të tij.

13 Etër, ju shkruaj sepse ju e keni njohur atë që është që nga fillimi. Të rinj, ju shkruaj sepse e mundët të ligun. Djema, po ju shkruaj sepse e keni njohur Atin.

14 Etër, ju kam shkruar sepse e keni njohur atë që është nga fillimi. Të rinj, ju kam shkruar sepse jeni të fortë dhe fjala e Perëndisë qëndron në ju dhe sepse e mundët të ligun.

15 Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të,

16 sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota.

17 Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.

Gjoni 17:20-26

20 Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre,

21 që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar.

22 Dhe unë u kam dhënë lavdinë që më ke dhënë, që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një.

23 Unë jam në ta dhe ti në mua, që të jenë të përsosur në unitet dhe që bota të njohë që ti më ke dërguar dhe që i ke dashur, ashtu si më ke dashur mua.

24 O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time që ti më ke dhënë, sepse ti më ke dashur para themelimit të botës.

25 O atë i drejtë, bota nuk të ka njohur, por unë të kam njohur; dhe këta e kanë njohur se ti më ke dërguar.

26 Dhe unë i kam bërë të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin akoma, që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta.”