Book of Common Prayer
38 O Zot, mos më shaj në indinjatën tënde dhe mos më dëno në zemërimin tënd.
2 Sepse shigjtat e tua më kanë shpuar dhe dora jote më shtyp.
3 Nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim për shkak të zemërimit tënd; nuk ka qetësi në kockat e mia për shkak të mëkatit tim.
4 Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kohën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua.
5 Plagët e mia janë të fëlliqura dhe të qelbëzuara nga marrëzia ime.
6 Jam krejt i kërrusur dhe i dëshpëruar; sillem tërë ditën rreth e qark duke mbajtur zi,
7 sepse ijet e mia janë të pezmatuara dhe nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim.
8 Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga drithma e zemrës sime.
9 O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur.
10 Zemra ime rreh, fuqia po më lë; vetë drita e syve të mi ka ikur.
11 Miqtë e mi dhe shokët e mi rrinë larg plagës sime, dhe fqinjët e mi ndalojnë larg meje.
12 Ata që kërkojnë jetën time më ngrejnë kurthe dhe ata që duan të më bëjnë të keqen flasin për shkatërrimin dhe mendojnë mashtrime tërë ditën.
13 Por unë jam si një i shurdhër që nuk dëgjon dhe një memec që nuk e hap gojën.
14 Po, jam si një njeri që nuk dëgjon dhe që nuk mund të përgjigjet me gojën e tij.
15 Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.
16 Sepse kam thënë: "U gëzofshin me mua, dhe kur këmba ime pengohet, mos u çofshin kundër meje".
17 Ndërsa jam duke rënë dhe dhembja ime është vazhdimisht para meje,
18 ndërsa rrëfej mëkatin tim dhe jam tepër i shqetësuar për mëkatin,
19 armiqtë e mi janë tërë gjallëri dhe janë të fortë, dhe ata që më urrejnë pa shkak shumohen.
20 Edhe ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqen më përndjekin, sepse unë ndjek rrugën e së mirës.
21 O Zot, mos më braktis; Perëndia im, mos u largo nga unë.
22 Nxito të më ndihmosh, o Zot, o shpëtimi im.
25 Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.
26 Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua.
27 Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua.
28 Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate.
29 Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.
30 Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.
31 Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem.
32 Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.
33 Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.
34 Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.
35 Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.
36 Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.
37 Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.
38 Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.
39 Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.
40 Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.
41 Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.
42 Kështu do të mund t’i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.
43 Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.
44 Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.
45 Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.
46 Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.
47 Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.
48 Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.
5 Mbreti Belshatsar dha një banket të madh për njëmijë nga të mëdhenjtë e tij dhe në prani të të njëmijëve piu verë.
2 Ndërsa shijonte verën, Belshatsari dha urdhër të sillnin vazot prej ari dhe prej argjendi që i ati Nebukadnetsari kishte marrë nga tempulli që ishte në Jeruzalem, me qëllim që me to të pinin mbreti dhe të mëdhenjtë që ishin me të, bashkëshortet e tij dhe konkubinat e tij.
3 Kështu prunë vazot prej ari që i kishin marrë nga shenjtërorja e tempullit të Perëndisë, që ishte në Jeruzalem, dhe me to pinë mbreti dhe të mëdhenjtë e tij, bashkëshortet e tij dhe konkubinat e tij.
4 Pinë verë dhe lëvduan perënditë prej ari, argjendi, bronzi, hekuri, druri e guri.
5 Në atë çast u dukën gishtërinjtë e dorës së një njeriu, që filluan të shkruajnë përballë shandanit mbi suvanë e murit të pallatit mbretëror; dhe mbreti pa pjesën e asaj dore që shkruante.
6 Atëherë pamja e mbretit ndryshoi dhe mendimet e tij e shqetësuan; nyjet e eshtrave iu liruan dhe gjunjët e tij filluan të përpiqen midis tyre.
7 Mbreti bërtiti me forcë që të hynin astrologët, Kaldeasit dhe shortarët; pastaj mbreti filloi t’u thotë njerëzve të ditur të Babilonisë: "Kushdo që do ta lexojë këtë shkrim dhe do të më japë interpretimin e tij do të vishet me rroba të purpurta, do të ketë një gjerdan ari në qafë dhe do të jetë i treti në qeverisjen e mbretërisë".
8 Atëherë hynë tërë të diturit e mbretit, por nuk mundën të lexojnë shkrimin as t’i bëjnë të njohur mbretit interpretimin e tij.
9 Atëherë mbreti Belshatsar u turbullua shumë, pamja e tij ndryshoi dhe të mëdhenjtë e tij e humbën fare.
10 Mbretëresha, për shkak të fjalëve të mbretit dhe të të mëdhenjve të tij, hyri në sallën e banketit. Mbretëresha filloi të thotë: "O mbret, jetofsh përjetë! Mendimet e tua të mos të shqetësojnë dhe pamja jotë të mos ndryshojë.
11 Éshtë një njeri në mbretërinë tënde, tek i cili është fryma e perëndive të shenjtë, dhe në kohën e atit tënd u gjet tek ai dritë, mendje dhe dituri të ngjashme me diturinë e perëndive; mbreti Nebukadnetsar, ati yt, ati yt mbreti, e caktoi në krye të magjistarëve, të astrologëve, të Kaldeasve dhe të shortarëve,
12 sepse te ky Daniel, të cilit mbreti i kishte vënë emrin Beltshatsar, u gjetë një frymë e jashtëzakonshme, njohuri, zgjuarsi, zotësi për të interpretuar ëndrrat, për të shpjeguar enigmat dhe për të zgjidhur çështje të ngatërruara. Të thirret, pra, Danieli dhe ai do të japë interpretimin".
5 Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur nga Perëndia; dhe kushdo që do atë që e ka ngjizur, do edhe atë që ka qenë ngjizur nga ai.
2 Nga kjo ne dimë ti duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij.
3 Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda.
4 Sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia e mund botën; dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë
5 Cili është ai që e mund botën, veç se ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndis?
6 Ky është ai që erdhi me anë të ujit e gjakut, Jezu Krishti; jo vetëm me anë të ujit, por me anë të ujit e me anë të gjakut. Dhe Fryma është ai që dëshmon, sepse Fryma është e vërteta.
7 Sepse tre janë ata që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një.
8 Edhe tre janë ata që dëshmojnë mbi dhe: Fryma, uji dhe gjaku; dhe këta të tre janë të një mendimi.
9 Në qoftë se ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Perëndisë është më e madhe, sepse kjo është dëshmia e Perëndisë që ai dha për Birin e tij.
10 Ai që beson në Birin e Perëndisë ka këtë dëshmi në vetvete; ai që nuk beson te Perëndia, e ka bërë atë gënjeshtar, sepse nuk i besoi dëshmisë që Perëndia dha për Birin e tij.
11 Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij.
12 Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën.
38 Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.
39 Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t’u shërbejë.
40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre.
41 Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë.” Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.
42 Kur zbardhi drita ai doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Por turmat e kërkonin dhe e arritën; dhe e mbanin që të mos largohej prej tyre.
43 Por ai u tha atyre: “Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar.”
44 Dhe ai predikonte nëpër sinagoga të Galilesë.