Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:97-120

97 Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.

98 Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.

99 Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.

100 Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.

101 Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.

102 Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.

103 Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.

104 Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.

105 Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.

106 Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta.

107 Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate.

108 O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua.

109 Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd.

110 Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga udhërimet e tua.

111 Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.

112 Jam zotuar me gjithë zemër për t’i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.

113 Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd.

114 Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde.

115 Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim.

116 Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time.

117 Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t’i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi.

118 Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër.

119 Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua.

120 Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua.

Psalmet 81-82

81 I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit.

Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën.

I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë.

Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit.

Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja;

"O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.

Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t’u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)

Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!

Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.

10 Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.

11 Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur.

12 Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre.

13 Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia!

14 Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij.

15 Ata që urrejnë Zotin do t’i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë.

16 Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi".

82 Perëndia rri në kuvendin e Perëndisë, ai gjykon në mes të perëndive.

Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela)

Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit.

Çlironi të mjerin dhe nevojtarin; shpëtojeni nga dora e të pabesit.

Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr; të gjitha themelet e tokës po luajnë.

Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.

Megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër".

Çohu, o Perëndi, gjyko tokën, sepse ti do të trashëgosh tërë kombet.

Zanafilla 45:16-28

16 Jehona e kësaj ngjarjeje u përhap në shtëpinë e Faraonit dhe njerëzit thanë: "Kanë ardhur vëllezërit e Jozefit". Kjo i pëlqeu Faraonit dhe shërbëtorëve të tij.

17 Atëherë Faraoni i tha Jozefit: "Thuaju vëllezërve të tu: "Bëni këtë: Ngarkoni kafshët tuaja dhe shkoni; kthehuni në vendin e Kanaanit.

18 Pastaj merrni atin tuaj dhe familjet tuaja, dhe ejani tek unë; unë do t’ju jap më të mirat e vendit të Egjiptit dhe do të hani prodhimet më të zgjedhura të vendit".

19 Ti ke urdhërin t’u thuash atyre: "Bëni këtë: Merrni me vete nga vendi i Egjiptit qerre për të vegjëlit tuaj dhe për gratë tuaja; merrni atin tuaj dha ejani.

20 Dhe mos u shqetësoni për orenditë shtëpiake, sepse sendet më të mira që ka Egjipti do të jenë tuajat"".

21 Bijtë e Izraelit vepruan kështu, dhe Jozefi u dha atyre qerre, simbas urdhërit të Faraonit, si edhe ushqime për udhëtimin.

22 Të gjithëve u dha një palë rroba për ndërresë për secilin, por Beniaminit i dha treqind sikla argjendi dhe pesë ndërresa veshmbathje;

23 atit të tij i dërgoi: dhjetë gomarë të ngarkuar me gjërat më të mira të Egjiptit, dhjetë gomarica të ngarkuara me grurë, bukë dhe ushqime për atin e tij gjatë udhëtimit.

24 Kështu i nisi vëllezërit e tij dhe, ndërsa ata po iknin, u tha: "Mos u grindni rrugës".

25 Atëherë ata u ngjitën përsëri nga Egjipti dhe arritën në vendin e Kanaanit te Jakobi, ati i tyre.

26 Dhe i kallëzuan gjithçka, duke thënë: "Jozefi është ende gjallë dhe është qeveritari i gjithë shtetit të Egjiptit". Por zemra e atij nuk iu ngroh, sepse nuk u besonte atyre.

27 Po kur ata i treguan tërë fjalët që u kishte thënë Jozefi dhe kur pa qerret që Jozefi kishte dërguar për ta marrë atë, atëherë shpirti i Jakobit atit të tyre, u ringjall

28 dhe Izraeli tha: "Mjaft; djali im Jozefi është ende gjallë; unë do të shkoj ta shoh para se të vdes".

1 e Korintasve 8

Për sa u përket flijimeve për idhujt, ne e dime se të gjithë kemi njohuri; njohuria krekos, kurse dashuria ndërton.

Në qoftë se dikush mendon se di diçka, ai nuk di ende asgjë sikundër duhet të dijë.

Por në qoftë se dikush e do Perëndinë, ai është i njohur prej tij.

Pra, për sa i përket të ngrënit të flive që u bëhen idhujve, ne e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka Perëndi tjetër, veç një.

Sepse, ndonëse ka të ashtuquajtura perëndi në qiell a në tokë (sikurse ka shumë perëndi dhe shumë zotër),

për ne s’ka veçse një Perëndi, Ati nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të; dhe një Zot, Jezu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha gjërat, dhe ne jetojmë me anë të tij.

Por njohuria nuk është në të gjithë; madje disa, të ndërgjegjshëm për idhullin, hanë gjëra posi të flijuara idhujve; dhe ndërgjegja e tyre, duke qenë e dobët, përlyhet.

Por të ngrënit nuk na çon te Perëndia; po të hamë, nuk fitojmë asgjë më tepër dhe, po të mos hamë, s’kemi gjë më pak.

Por kini mendjen se mos kjo liri që keni të bëhet pengesë për të dobëtit.

10 Sepse, në qoftë se dikush të sheh ty, që ke njohuri, të ulur në tryezë në një tempull idhujsh, ndërgjegja e tij, që është e dobët, a nuk do të marrë guxim që ai të hajë gjërat e flijiuara për idhujt?

11 Edhe kështu, për shkak të njohurisë sate, do të humbasë vëllai yt i dobët, për të cilin vdiq Krishti.

12 Dhe, kur mëkatoni kështu kundër vëllezërve, duke plagosur ndërgjegjen e tyre të dobët, ju mëkatoni kundër Krishtit.

13 Prandaj, në qoftë se një ushqim skandalizon vëllanë tim, unë nuk do të ha më kurrë mish, që të mos e skandalizoj vëllanë tim.

Marku 6:13-29

13 dhe dëbonin shumë demonë dhe vajosnin me vaj shumë të lëngatë dhe i shëronin.

14 Tani mbreti Herod dëgjoi të flitej për Jezusin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur, dhe ai tha: “Ky Gjoni që pagëzonte u ngjall së vdekuri; prandaj në të po veprojnë pushtete çudibërëse.”

15 Disa të tjerë thonin: “Éshtë Elia”; dhe disa të tjerë: “Éshtë një profet, ose si një nga profetët.”

16 Por kur i dëgjoi Herodi të gjitha këto, tha: “Ky Gjoni, të cilit ia pata prerë kokën, u ngjall së vdekuri!.”

17 Në fakt Herodi vet kishte dhënë urdhër të arrestohej Gjoni dhe të mbahej i lidhur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, sepse e kishte marrë për grua.

18 Gjoni, pra, i thoshte Herodit: “Nuk është e lejueshme të kesh gruan e vëllait tënd!”

19 Dhe Herodiada e urrente dhe dëshironte ta vriste, por nuk mundte.

20 Herodi, pra, i druhej Gjonit, të cilin e dinte si njeri të drejtë dhe të shenjtë, dhe e mbronte; dhe, mbasi e dëgjonte, kryente shumë gjëra dhe e dëgjonte me dëshirë.

21 Por erdhi dita e volitshme dhe Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një gosti për të mëdhenjtë e tij, për komandantët dhe për parinë e Galilesë.

22 Hyri vetë e bija e Herodiadës, kërceu dhe i pëlqeu Herodit e atyre që ishin bashkë me të në tryezë, atëherë mbreti i tha vajzës: “Më kërko ç’të duash dhe unë do të ta jap.”

23 Dhe iu betua: “Gjithçka që të më kërkosh, do të ta jap, deri gjysmën e mbretërisë sime!.”

24 Ajo doli dhe i tha s’ëmës: “Çfarë duhet t’i kërkoj?” Ajo u përgjigj: “Kokën e Gjon Pagëzorit!.”

25 Ajo u kthye menjëherë te mbreti dhe i kërkoi me nxitim: “Unë dëshiroj që ti të më japësh menjëherë, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit.”

26 Dhe mbreti, megjithëse u trishtua shumë nga kjo, nuk deshi të refuzojë për shkak të betimit dhe për respekt të të ftuarve.

27 Kështu mbreti dërgoi menjëherë një roje me urdhër që ti sillnin kokën e Gjonit.

28 Dhe ky shkoi, ia preu kokën në burg, dhe e solli kokën e tij mbi një pjatë, ia dha vajzës dhe vajza ia dha s’ëmës.

29 Kur dishepujt e Gjonit i dëgjuan këto, erdhën, morën trupin e tij dhe e vunë në varr.