Book of Common Prayer
63 O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë.
2 Kështu të admirova në shenjtërore, duke soditur forcën tënde dhe lavdinë tënde.
3 Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë.
4 Kështu do të të bekoj deri sa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia.
5 Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara.
6 Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën.
7 Duke qenë se ti ke qenë ndihma ime, unë këndoj tërë gëzim në hijen e krahëve të tu.
8 Shpirti im mbahet ngushtë te ti; dora jote e djathtë më mban.
9 Por ata që kërkojnë jetën time për ta shkatërruar, do të zbresin në pjesët më të ulta të tokës.
10 Ata do t’i dorëzohen pushtetit të shpatës dhe do të bëhen pre e çakejve.
11 Por mbreti do të gëzohet te Perëndia; kushdo që betohet për të do të përlëvdohet, sepse goja e gënjeshtrave do të detyrohet të mbyllet.
98 Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.
2 Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.
3 Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.
4 Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.
5 Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës.
6 Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit.
7 Le të zhurmojë deti dhe gjithçka ndodhet në të, bota dhe banorët e saj.
8 Lumenjtë le të rrahin duart dhe malet le të ngazëllohen tok nga gëzimi përpara Zotit,
9 sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.
103 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.
2 Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.
3 Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,
4 shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;
5 ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.
6 Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.
7 Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.
8 Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
9 Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.
10 Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.
11 Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.
12 Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.
13 Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.
14 Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.
15 Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;
16 në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më.
17 Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,
18 për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t’i zbatuar në praktikë.
19 Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.
20 Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.
21 Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.
22 Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!
3 E ktheva, pra, fytyrën time drejt Zotit Perëndi, duke e kërkuar me lutje e stërlutje, me agjërim, me thesin dhe me hirin.
4 Kështu bëra lutjen time dhe rrëfimin tim Zotit, Perëndisë tim, duke thënë: "O Zot, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që e ruan besëlidhjen tënde dhe dhembshurinë tënde me ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua,
5 ne kemi mëkatuar dhe kemi vepruar në mënyrë të çoroditur, kemi qenë të këqij dhe u rebeluam, duke u larguar nga urdhërimet e tua dhe nga dekretet e tua.
6 Nuk kemi dëgjuar profetët, shërbëtorët e tu, që u kanë folur në emrin tënd mbretërve tanë, krerëve tanë, etërve tanë dhe tërë popullit të vendit.
7 O Zot, ty të përket drejtësia, por neve turpi i fytyrës ashtu si po ndodh pikërisht sot me burrat e Judës, me banorët e Jeruzalemit dhe me gjithë Izraelin, me ata që janë afër dhe me ata që janë larg, në të tëra vendet ku i ke shpërndarë, për shkak të pabesisë që kanë kryer kundër teje.
8 O Zot, turpi i fytyrës është për ne, për mbretërit tanë, për krerët tanë dhe për etërit tanë, sepse kemi mëkatuar kundër teje.
9 Zotit, Perëndisë tonë, i përkasin mëshira dhe ndjesa, sepse jemi rebeluar kundër tij,
10 dhe nuk kemi dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tonë, për të ecur sipas ligjeve të tij, që na kishte vënë përpara me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.
10 Sepse i duhej atij, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve realizuesin e shpëtimit të tyre.
11 Sepse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej një; prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër,
12 duke thënë: “Vëllezërve të mi do t’ua shpall emrin tënd, do të të lavdëroj në mes të kishës.”
13 Edhe më: “Do të shpresoj në të.” Dhe përsëri: “Ja unë, dhe fëmijët që m’i dha Perëndia.”
14 Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjestar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin,
15 edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.
16 Sepse ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit.
17 Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit.
18 sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.
44 Pastaj Jezusi thirri dhe tha: “Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më ka dërguar.
45 Dhe kush më sheh mua, sheh atë që më ka dërguar.
46 Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë.
47 Dhe nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia dhe nuk beson, unë nuk e gjykoj; sepse unë nuk kam ardhur ta gjykoj botën, por ta shpëtoj botën.
48 Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit.
49 Sepse unë nuk kam folur nga vetja ime, por Ati vetë më ka dërguar dhe më ka urdhëruar ç’duhet të them e të shpall.
50 Dhe unë e di se urdhërimi i tij është jetë e përjetshme; gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m’i ka thënë Ati.”