Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 41

41 Lum ai që kujdeset për të varfërin; Zoti do ta çlirojë ditën e fatkeqësisë.

Zoti do ta ruajë dhe do ta mbajë të gjallë; ai do të jetë i lumtur mbi tokë dhe ti nuk do ta lësh në duart e armiqve të tij.

Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.

Unë kam thënë: "O Zot, ki mëshirë për mua, ma shëro shpirtin, sepse kam mëkatuar kundër teje".

Armiqtë e mi ndjellin të keqen, duke thënë: "Kur do të vdesë dhe kur do të zhduket emri i tij?".

Në rast se dikush prej tyre vjen të më shikojë, gënjen, ndërsa zemra e tij mbledh paudhësi; pastaj del jashtë dhe e përhap rreth e rrotull.

Të gjithë ata që më urrejnë, pëshpëritin bashkë kundër meje; kundër meje kurdisin të keqen,

duke thënë: "Një e keqe e tmerrshme e ka zënë dhe ai nuk do të ngrihet kurrë më nga vendi ku dergjet".

Madje edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim dhe që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij.

10 Por ti, o Zot, ki mëshirë për mua dhe më ço në këmbë që të mund t’ua shpaguaj.

11 Nga kjo e di që ti më pëlqen, në rast se armiku im nuk triumfon mbi mua.

12 Sa për mua, më ke përkrahur në ndershmërinë time dhe më ke vendosur në praninë tënde për gjithnjë.

13 Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, përjetë. Amen, amen.

Psalmet 52

52 Pse mburresh me të keqen, o njeri i fuqishëm? Mirësia e Perëndisë është e përjetshme.

Gjuha jote shkakton rrënim; ajo është si një brisk i mprehur, o veprues mashtrimesh.

Ty të pëlqen e keqja ndaj së mirës, gënjeshtra më tepër se e folura drejt. (Sela)

Ty të pëlqen çdo fjalë shkatërrimi, o gjuhë hileqare.

Prandaj Perëndia do të të shkatërrojë për gjithnjë; ai do të të kapë, do të të heqë nga çadra jote dhe do të të shkulë nga toka e të gjallëve. (Sela)

Të drejtët do ta shohin, do të kenë frikë dhe do ta përqeshin atë, duke thënë:

"Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij".

Por unë jam si një dru ulliri që gjelbëron në shtëpinë e Perëndisë; kam besim gjithnjë në mirësinë e Perëndisë.

Do të të kremtoj gjithnjë për sa ke bërë, dhe në prani të shenjtorëve të tu do të kem shpresë të patundur në emrin tënd, sepse ai është i mirë.

Psalmet 44

44 O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta.

Për t’i vendosur me dorën tënde ti ke shpronësuar kombet, ke çrrënjosur popuj për t’u bërë vend atyre. Në fakt nuk e pushtuan vendin me shpatën e tyre dhe nuk qe krahu i tyre që i shpëtoi, por ishte dora jote e djathtë, krahu yt dhe drita e fytyr

ës sate, sepse të pëlqenin.

Ti je mbreti im, o Perëndi, që vendos fitoret për Jakobin.

Me anën tënde do të përmbysim armiqtë tanë; në emër tënd do të shkelim ata që ngrihen kundër nesh.

Sepse nuk kam besim tek harku im dhe nuk do të jetë shpata ime ajo që do të më shpëtojë.

Por je ti ai që na shpëton nga armiqtë tanë dhe që i mbulon me turp ata që na urrejnë.

Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë. (Sela)

Por ti na dëbove dhe na mbulove me turp, dhe nuk del më me ushtritë tona.

10 Ti ke bërë të kthejmë kurrizin përpara armikut, dhe ata që na urrejnë na kanë grabitur.

11 Ti na ke dhënë si dele për therje dhe na ke shpërndarë midis kombeve.

12 Ti e ke shitur popullin tënd për asgjë dhe nuk ke nxjerrë asnjë fitim nga shitja e tij.

13 Ti na bëre për turp me fqinjët tanë, u bëmë gazi dhe tallja e atyre që rrijnë rreth nesh.

14 Ti na ke bërë të jemi gazi i kombëve; përsa na përket neve, popujt tundin kokën.

15 Turpi im më rri gjithmonë përpara, dhe fytyra ime është e mbuluar nga turpi,

16 për shkak të atij që më fyen dhe më poshtëron, për shkak të armikut dhe atij që kërkon hakmarrje.

17 Të tëra këto na kanë rënë mbi kurriz, por ne nuk kemi harruar dhe nuk kemi tradhëtuar besëlidhjen tënde.

18 Zemra jonë nuk është kthyer prapa dhe hapat tona nuk janë larguar nga rruga jote,

19 por ti na ke copëtuar, duke na futur në vende çakejsh dhe duke na mbuluar me hijen e vdekjes.

20 Po të kishim harruar emrin e Perëndisë tonë dhe po t’i kishim shtrirë duart tona drejt një perëndie të huaj,

21 a nuk do ta kishte zbuluar Perëndia këtë gjë? Në fakt ai i njeh sekretet e zemrës.

22 Po, për shkakun tënd ne vritemi çdo ditë dhe konsiderohemi si dele.

23 Zgjohu! Pse fle, o Zot? Çohu, mos na kthe për gjithnjë.

24 Pse e fsheh fytyrën tënde, dhe harron pikëllimin tonë dhe shtypjen tonë?

25 Sepse shpirtërat tona janë ulur deri te pluhuri dhe trupi ynë i është ngjitur tokës.

26 Çohu të na ndihmosh dhe na shpëto për hir të mirësisë sate.

Zanafilla 37:1-11

37 Por Jakobi banoi në vendin ku i ati kishte qëndruar, në vendin e Kanaanëve.

Këta janë pasardhësit e Jakobit. Jozefi, në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, kulloste kopenë bashkë me vëllezërit e tij; i riu rrinte me bijën e Bilhahës dhe me bijtë e Zilpahës, që ishin gratë e babait të tij. Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq që përhapej mbi sjelljen e tyre.

Por Izraeli e donte Jozefin më tepër se tërë bijtë e tij, sepse ishte biri i pleqërisë së tij; dhe i bëri një rrobe të gjatë deri te këmbët.

Por vëllezërit e tij, duke parë që i ati i tyre e donte më tepër nga të gjithë vëllezërit e tjerë, filluan ta urrejnë dhe nuk mund t’i flisnin në mënyrë miqësore.

Por Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve të tij; dhe këta e urryen edhe më tepër.

Ai u tha atyre: "Dëgjoni, ju lutem, ëndrrën që pashë.

Ne ishim duke lidhur duaj në mes të arës, kur papritmas duajt e mi u drejtuan dhe qëndruan drejt, kurse duajt tuaja u mblodhën dhe u përkulën përpara duajve të mi".

Atëherë vëllezërit e tij i thanë: "A duhet të mbretërosh ti mbi ne, ose do të na sundosh me të vërtetë?". Dhe e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave të tij dhe të fjalëve të tij.

Ai pa një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve të tij, duke thënë: Pashë një ëndërr tjetër! Dhe ja, dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yjee përkuleshin para meje".

10 Dhe ai ia tregoi këtë ëndërr atit të tij dhe vëllezërve të tij; i ati e qortoi dhe i tha: "Ç’kuptim ka ëndrra që ke parë? A do të duhet që pikërisht unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu të vijnë e të përkulemi deri në tokë para teje?".

11 Dhe vëllezërit e tij e kishin zili, por i ati e mbante përbrenda këtë gjë.

1 e Korintasve 1:1-19

Pali, i thirrur apostull i Jezu Krishtit, me anë të vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Sosten,

kishës së Perëndisë që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të thirrur shenjtorë, bashkë me të gjithë ata që në çdo vend e thërrasin emrin e Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe tonit:

hir dhe paqe për ju nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.

Përherë i falem nderit Perëndisë tim për ju, për hirin e Perëndisë, i cili ju është dhënë me anë të Jezu Krishtit,

sepse në atë ju u bëtë të pasur në të gjitha, në çdo fjalë dhe në çdo njohuri,

sikurse dëshmimi i Krishtit që u vërtetua ndër ju,

kaq sa nuk ju mungon asnjë dhunti, ndërsa prisni zbulesën e Zotit tonë Jezu Krishtit,

i cili edhe do t’ju vërtetojë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Besnik është Perëndia, nga i cili jeni thirrur në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë.

10 Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet.

11 Sepse më është treguar për ju, o vë-llezër, nga ata të shtëpisë së Kloes, se në mes jush ka grindje.

12 Dhe dua të them këtë, që secili nga ju thotë: “Unë jam i Palit,” “unë i Apolit,” “unë i Kefës” dhe “unë i Krishtit.”

13 Vallë i ndarë qenka Krishti? Mos Pali u kryqëzua për ju? Apo ju u pagëzuat në emër të Palit?

14 E falënderoj Perëndinë që nuk kam pagëzuar asnjë nga ju, me përjashtim të Krispit dhe të Gait,

15 që askush të mos thotë se e pagëzova në emrin tim.

16 Unë pagëzova edhe familjen e Stefanës; përveç tyre nuk di të kem pagëzuar ndonjë tjetër.

17 Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj ungjillin, jo me dituri fjale, që kryqi i Krishtit të mos dalë i kotë.

18 Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë.

19 Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve.”

Marku 1:1-13

Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.

Ashtu si është shkruar tek profetët: “Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje.

Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij".”

Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve.

Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre.

Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër.

Ai predikonte duke thënë: “Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’i zgjidhur lidhësat e sandaleve të tij.

Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë.”

Dhe ndodhi në ato ditë që Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Gjoni në Jordan.

10 Dhe menjëherë, kur po dilte nga uji, pa se qiejtë po hapeshin dhe Fryma po zbriste mbi të si një pëllumb.

11 Dhe një zë erdhi nga qielli: “Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur.

12 Fill pas kësaj, Fryma e Shenjtë e çoi në shkretëtirë;

13 dhe qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satanai. Ishte bashkë me bishat dhe engjëjt i shërbenin.