Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 70-71

70 O Perëndi, nxito të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

U turpërofshin dhe u hutofshin ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe u mbulofshin me turp ata që kërkojnë të keqen time.

Kthefshin kurrizin për shkak të turpit të tyre ata që thonë: "Ah, ah!".

U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, dhe ata që duan shpëtimin tënd thënçin vazhdimisht: "U përlëvdoftë Perëndia!".

Por unë jam i varfër dhe nevojtar; o Perëndi, nxito të më vish në ndihmë; ti je ndihma ime dhe çlirimtari im; o Zot, mos vono.

71 Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë.

Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto.

Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime.

Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën.

Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.

Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.

Jam bërë për shumë njerëz si një mrekulli, por ti je streha e fortë.

Goja ime është plot me lëvdimet e tua dhe shpall lavdinë tënde tërë ditën.

Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.

10 Sepse armiqtë e mi flasin kundër meje, dhe ata që kanë ngritur pusi kundër jetës sime thurrin komplote bashkë,

11 duke thënë: "Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, sepse nuk ka njeri që ta çlirojë".

12 O Perëndi, mos u largo nga unë; Perëndia im, nxito të më ndihmosh.

13 U ngatërrofshin dhe u asgjesofshin kundërshtarët e jetës sime; u mbulofshin me poshtërsi dhe me turp ata që dëshërojnë të më bëjnë të keqen.

14 Por unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër.

15 Goja ime do të tregojë tërë ditën drejtësinë tënde dhe çlirimet e tua, sepse nuk njoh numrin e tyre.

16 Do të thellohem në veprat e fuqishme të Zotit, të Zotit, dhe do të kujtoj drejtësinë tënde, vetëm tënden.

17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri; dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua.

18 Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis deri sa t’i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë.

19 Edhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësitë e qiejve; ti ke bërë gjëra të mëdha. O Perëndi, kush të përngjan ty?

20 Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësira, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës.

21 Ti do të rritesh madhështinë time dhe do të kthehesh të më ngushëllosh.

22 Dhe unë do të lëvdoj me harpe për besnikërinë tënde, o Perëndia im, dhe do të këndoj lavdet e tua me qeste, o i Shenjti i Izraelit.

23 Buzët e mia do të ngazëllojnë kur do të këndoj lavdet e tua bashkë me shpirtin tim, që ti ke shpenguar.

24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde, sepse janë turpëruar dhe janë hutuar ata që kërkonin të më bënin të keqen.

Psalmet 74

74 O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate?

Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar.

Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore.

Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj.

Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli.

Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij.

I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë.

Kanë thënë në zemër të tyre: "T’i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.

Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur.

10 Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë?

11 Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji.

12 Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë.

13 Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat.

14 Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës.

15 Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm.

16 Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin.

17 Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin.

18 Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd.

19 Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu.

20 Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune.

21 Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd.

22 Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën.

23 Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.

Zanafilla 42:29-38

29 Kështu arritën te Jakobi, ati i tyre, në vendin e Kanaanit dhe i treguan të gjitha ato që kishin ndodhur, duke thënë:

30 "Njeriu, që është zot i vendit, na foli ashpër dhe na trajtoi si spiunë të vendit.

31 Dhe ne i thamë: "Jemi njerëz të ndershëm, nuk jemi spiunë;

32 jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të atit tonë; njëri nuk është më dhe më i riu ndodhet sot me atin tonë në vendin e Kanaanit".

33 Por ai njeri, zoti i vendit, na tha: "Nga kjo do të provoj nëse jeni njerëz të ndershëm: lini pranë meje një prej vëllezërve tuaj, merrni me vete ushqime për familjen tuaj që po vdes nga uria dhe shkoni;

34 pastaj më sillni vëllanë tuaj më të vogël. Kështu do të provoj që nuk jeni spiunë, por njerëz të ndershëm; unë do t’ju kthej vëllanë tuaj dhe ju do të keni mundësi të bëni tregëti këtu"".

35 Ndërsa ata po zbraznin trastat e tyre, ja që pakot e parave të secilit ishin në trastën e secilit; kështu ata dhe ati i tyre i panë pakot e parave të tyre dhe i zuri frika.

36 Atëherë Jakobi, ati i tyre, tha: "Ju më keni lënë pa bijtë e mi! Jozefi nuk është më, Simeoni nuk është më, dhe doni të më hiqni edhe Beniaminin! E tërë kjo rëndon mbi mua!".

37 Rubeni i tha të atit: "Po nuk ta ktheva, urdhëro të vriten dy bijtë e mi. Besoma mua, unë do të ta kthej".

38 Por Jakobi u përgjigj: "Biri im nuk ka për të zbritur me ju, sepse vëllai i tij vdiq dhe mbeti vetëm ky: po t’i ndodhte ndonjë fatkeqësi gjatë udhëtimit, do të kallnit në varr pleqërinë time të dhembshme".

1 e Korintasve 6:12-20

12 Çdo gjë më lejohet, por jo gjithçka është e dobishme; çdo gjë më lejohet, por unë nuk do të nënshtrohem asnjërës.

13 Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia do të shkatërrojë edhe këtë edhe atë; por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin.

14 Tani Perëndia siç e ringjalli Zotin kështu do të na ringjallë edhe ne me fuqinë e tij.

15 A nuk e dini ju se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr, pra, unë gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bëj gjymtyrë të një kurve? mos qoftë ashtu!

16 A nuk e dini ju se ai që bashkohet me një kurvë bëhet një trup me të? Sepse thuhet: “Do të jenë të dy, thotë Zoti, një mish i vetëm.”

17 Por ai që bashkohet me Zotin është një frymë me të.

18 Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet.

19 A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes?

20 Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.

Marku 4:21-34

21 Pastaj u tha atyre: “A merret vallë llamba për ta vënë nën babunë ose nën shtrat? A nuk vihet mbi dritëmbajtësen?

22 Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që të mos zbulohet, as kurrgjë sekrete që të mos dalin në dritë.

23 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”

24 Dhe u tha atyre: “Vini re atë që dëgjoni. Me atë masë që ju matni, do t’iu matet juve; edhe juve që dëgjoni do t’iu jepet edhe më.

25 Sepse atij që ka, do t’i jepet, por atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo që ka.

26 Tha akoma: “Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farën në dhe.

27 Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle dhe çohet, fara mbin dhe rritet, pa e ditur ai se si.

28 Sepse dheu prodhon vetvetiu më parë kërcellin, pastaj kallirin, dhe më në fund kallirin plot me kokrra.

29 Dhe kur fryti piqet, menjëherë korrësi i vë drapërin, sepse erdhi koha e korrjes.

30 Edhe tha: Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë shëmbëlltyre ta paraqesim?

31 Ajo i ngjan farës së sinapit, që, kur është mbjellë në dhe, është më e vogla nga të gjitha farërat që janë mbi dhe;

32 por, pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet; dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj.”

33 Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla, u shpallte atyre fjalën, ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë.

34 Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyra, ndërsa dishepujve të tij, veçmas, u shpjegonte çdo gjë.