Book of Common Prayer
95 Ejani, t’i këndojmë me gëzim Zotit; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë.
2 Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.
3 Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë.
4 Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve.
5 I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.
6 Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.
7 Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij,
8 "mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë,
9 ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia.
10 Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia.
11 Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time".
31 Gjeta strehë te ti, o Zot; bëj që unë të mos ngatërrohem kurrë; çliromë për drejtësinë tënde.
2 Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh.
3 Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.
4 Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je kështjella ime.
5 Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.
6 Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t’u dukur, por kam besim te Zoti.
7 Unë do të ngazëlloj dhe do të kënaqem me mirësinë tënde, sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim,
8 dhe nuk më dorëzove në duart e armikut, por m’i vure këmbët në një vend të gjerë.
9 Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse jam me ankth; syri im, shpirti im dhe të përbrendshmet e mia po treten nga dhembja,
10 sepse jeta ime po mpaket nga pikëllimi dhe vitet e mia nga të qarat; forca ime po mpaket për shkak të mëkatit tim dhe kockat e mia po treten.
11 Jam bërë një turp për tërë armiqtë e mi, veçanërisht për të afërmit e mi dhe një tmer për të njohurit e mi; ata që më shohin rrugës, ikin larg meje.
12 Zemra e tyre më ka harruar si të isha një njeri i vdekur; i përngjaj një vazoje të thyer.
13 Sepse dëgjoi shpifjet e shumë njerëzve; rreth e qark sundon tmerri, ndërsa ata këshillohen midis tyre kundër meje dhe kurdisin komplote për të më zhdukur.
14 Por unë kam besim te ti, o Zot; kam thënë: "Ti je Perëndia im".
15 Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.
16 Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.
17 O Zot, bëj që unë të mos jem i pështjelluar, pse të kam kërkuar; u pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol.
18 Mbeçin pa fjalë buzët gënjeshtare, që flasin pa turp kundër të drejtit, me mëndjemadhësi dhe përçmim.
19 Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti, dhe që ti përdor në prani të bijve të njerëzve ndaj atyre që gjejnë strehë te ti!
20 Ti i fsheh në strehën e fshehtë të pranisë sate nga grackat e njerëzve, ti i ruan në një çadër të mbrojtur nga grindjet me fjalë.
21 Qoftë i bekuar Zoti, sepse më është treguar shumë dashamirës, duke më vendosur si në një vend të fortifikuar.
22 Kurse unë, në hutimin tim, thoja: "Më kanë larguar nga prania jote"; por ti dëgjove zërin e lutjeve të mia kur të klitha ty.
23 Duajeni Zotin, ju, gjithë shenjtorë të tij! Zoti i mbron besnikët dhe i shpaguan gjerësisht ata që veprojnë me kryelartësi.
24 Qofshi të fortë, mbarë ju që shpresoni tek Zoti, dhe ai do ta bëjë të patundur zemrën tuaj.
35 O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje.
2 Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh.
3 Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: "Unë jam shpëtimi yt".
4 Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje.
5 U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë.
6 Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë.
7 Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën.
8 Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërimin tim.
9 Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.
10 Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".
11 Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.
12 Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.
13 Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.
14 Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.
15 Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.
16 Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.
17 O Zot, deri kur do të vazhdosh të shikosh? Shpëto jetën time nga shkatërrimet e kurdisura prej tyre, të vetmen pasuri që kam nga dhëmbët e luanëve.
18 Unë do të të kremtoj në kuvendin e madh, do të lavdëroj në mes të një populli të shumtë.
19 Mos u gëzofshin me mua ata që pa hak më janë bërë armiq, mos e shkelshin syrin ata që më urrejnë pa arsye,
20 sepse nuk flasin kurrë për paqe, por kurdisin mashtrime kundër njerëzve paqësorë të vendit.
21 Po, e hapin gojën e tyre kundër meje dhe thonë: "Ah, ah! E kemi parë me sytë tanë".
22 O Zot, ti i ke parë këto gjëra, mos hesht; o Zot, mos u largo nga unë.
23 Zgjohu dhe çohu, për të më siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur çështjen time, o Perëndi dhe Zoti im.
24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, dhe bëj ata të mos kënaqen me mua,
25 dhe të mos thonë në zemër të tyre: "Ah, pikërisht ashtu siç e donim"; dhe të mos thonë: "E gëlltitëm".
26 U turpërofshin dhe u pështjellofshin gjihë ata që gezohen nga e keqja ime; u mbulofshin me turp dhe me fyerje ata që ekzaltohen kundër meje.
27 Këndofshin dhe gëzofshin ata që kanë në zemër çështjen time të drejtë dhe thënçin vazhdimisht: "Lëvduar qoftë Zoti, që e do paqen e shërbëtorit të tij".
28 Gjuha ime do të kremojë drejtësinë tënde dhe do të këndojë lëvdimin tënd tërë ditën.
18 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
2 "Çfarë keni ndër mend kur përdorni këtë proverb lidhur me vendin e Izraelit duke thënë: "Etërit kanë ngrënë rrushin e papjekur dhe dhëmbët e bijve të tyre janë mpirë"?
3 Ashtu si është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "nuk do ta përdorni më këtë proverb në Izrael.
4 Ja, të gjithë shpirtërat janë të mitë; si shpirti i atit ashtu dhe shpirti i birit janë të mitë. Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.
25 Megjithatë ju thoni: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". Dëgjoni tani, o shtëpi e Izraelit: është pikërisht rruga ime që nuk është e drejtë ose janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta?
26 Në rast se i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësi dhe për këtë shkak vdes, ai vdes nga paudhësia që ka kryer.
27 Përkundrazi, në se i pabesi largohet nga pabesia që ndiqte dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai do ta shpëtojë shpirtin e tij.
28 Duke qenë se ka marrë parasysh të largohet nga të gjitha shkeljet që kryente, ai ka për të jetuar me siguri; nuk ka për të vdekur.
29 Megjithatë shtëpia e Izraelit thotë: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". A janë pikërisht rrugët e mia që nuk janë të drejta, o shtëpi e Izraelit, janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta?
30 Prandaj do ta gjykoj secilin prej jush sipas rrugëve të tij, o shtëpi e Izraelit," thotë Zoti, Zoti. "Pendohuni dhe braktisni tërë shkeljet tuaja, kështu paudhësia nuk do të jetë më për ju shkak shkatërrimi.
31 Flakni larg jush tërë shkeljet tuaja që keni kryer dhe bëjini vetes një zemër të re dhe një shpirt të ri. Pse vallë doni të vdisni, o shtëpi e Izraelit?
32 Unë në fakt nuk ndjej asnjë kënaqësi me vdekjen e atij që vdes" thotë Zoti, Zoti. "Ndërroni rrugë, pra, dhe do të jetoni".
4 Prandaj, o vëllezër të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o shumë të dashur.
2 Bëj thirrje Evodisë, bëj thirrje gjithashtu Sintikës, të jenë të një mendje në Zotin.
3 Të lutem edhe ty, shok i vërtetë, ndihmoji ato, që kanë luftuar me mua në ungjill, edhe me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.
4 Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!
5 Zemërbutësia juaj le të njihet nga të gjithë njerëzit; Zoti është afër.
6 Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.
7 Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.
8 Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.
9 Ato gjëra që keni mësuar, marrë dhe dëgjuar nga mua dhe patë në mua, i bëni, dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.
9 Unë lutem për ta, nuk lutem për botën, po për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë.
10 Dhe të gjitha gjërat e mia janë të tuat, dhe gjërat e tua janë të miat; dhe unë jam përlëvduar në to.
11 Tani unë nuk jam më në botë, por ata janë në botë, dhe unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, i ruaj ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne!
12 Kur isha me ata në botë, unë i kam ruajtur në emrin tënd; unë i kam ruajtur ata që ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur, përveç birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi.
13 Por tani unë po vij te ti dhe i them këto gjëra në botë, që gëzimi im të bëhet i plotë në ta.
14 Unë u kam dhënë atyre fjalën tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës.
15 Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu.
16 Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota.
17 Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.
18 Sikurse ti më ke dërguar mua në botë, po ashtu unë i kam dërguar ata në botë.
19 Dhe unë për ta po shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetë.