Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 26

26 Siguromë drejtësi, o Zot, sepse kam ecur në ndershmërinë time dhe kam pasur besim te Zoti pa u lëkundur.

Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.

Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.

Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë.

Unë urrej tubimin e njerëzve të këqij dhe nuk bashkohem me të pabesët.

Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoi rrotull altarit tënd, o Zot,

për të shpallur me zë të lartë lavdinë tënde dhe për të treguar tërë mrekullitë e tua.

O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë sate dhe vendin ku qëndron lavdia jote.

Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,

10 sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.

11 Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.

12 Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.

Psalmet 28

28 Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.

Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.

Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.

Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.

Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t’i mposhtë dhe nuk do t’i lërë të begatohen.

I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.

Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.

Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.

Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.

Psalmet 36

36 Mëkati i të pabesit i thotë zemrës sime: "Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij.

Sepse ai gënjen veten e tij në kërkimin e fajit që ka kryer në urrejtjen ndaj tij.

Fjalët e gojës së tij janë paudhësi dhe mashtrim; ai ka pushuar së qeni i urtë dhe nuk bën më të mira.

Ai thur paudhësi në shtratin e tij; vihet në një rrugë që nuk është e mirë dhe që nuk e dënon të keqen".

O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë.

Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.

O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu;

ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua.

Sepse pranë teje është burimi i jetës, dhe me anë të dritës sate ne shohim dritën.

10 Zgjate mirësinë tënde ndaj atyre që të njohin dhe drejtësinë tënde ndaj atyre që janë të drejtë nga zemra.

11 Mos më vëntë këmbën kryelarti dhe dora e të pabesit mos më marrtë me vete.

12 Ja, ata që kryejnë paudhësi kanë rënë; i kanë rrëzuar për tokë dhe nuk mund të ringjallen përsëri.

Psalmet 39

39 Unë thoja: "Do të kujdesem për sjelljen time që të mos kryej mëkate me gjuhën time; do t’i vë një fre gojës sime, sa kohë që i pabesi rri para meje".

Kam qëndruar i heshtur dhe i qetë, i jam përmbajtur pikërisht së mirës, dhe dhembja ime është ashpërsuar.

Zemra më digjte përbrenda; ndërsa mendohesha, një zjarr u ndez; atëherë fola me gjuhën time:

"O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam.

Ja, ti i ke pakësuar ditët e mia aq sa është e gjatë një pëllëmbë, dhe zgjatja e jetës sime është si asgjë para teje; po, çdo njeri në gjendjen e tij më të mirë nuk është veçse avull. (Sela)

Po, njeriu sillet rreth e qark si një hije; po më kot lodhen të gjithë dhe grumbullojnë pasuri pa ditur kush do t’i mbledhë!

Por tani, o Zot, çfarë pres? Shpresa ime është te ti.

Çliromë nga të gjitha fajet e mia; bëj që të mos jem objekt i talljes nga njeriu pa mend.

Do të qëndroj në heshtje, nuk kam për të hapur gojën, sepse ti je ai që vepron.

10 Largo nga unë fshikullin tënd; unë po marr fund nën goditjet e dorës sate.

11 Ti e korrigjon njeriun duke dënuar mëkatin e tij dhe konsumon si një krimb atë që për të është e çmuar. Po, çdo njeri nuk është veçse kotësi. (Sela)

12 O Zot, dëgjo lutjen time dhe vëri veshin britmës sime; mos u trego i shurdhër ndaj lotëve të mi, sepse para teje unë jam një i huaj dhe një shtegtar si të gjithë etërit e mi.

13 Hiqe shikimin tënd nga unë, me qëllim që unë të marr përsëri fuqi para se të iki dhe të mos jem më".

Fjalët e urta 30:1-4

30 Fjalët e Agurit, birit të Jahehut; mesazhi profetik që ky njeri shpalli në Ithiel, në Ithiel dhe në Ukal.

Po, unë jam më budalla se gjithë të tjerët dhe nuk kam mendje njeriu.

Nuk kam mësuar diturinë dhe nuk kam dijen e Shenjtorit.

Kush u ngjit në qiell dhe zbriti prej tij? Kush e ka mbledhur erën në duart e tij? Kush i ka mbyllur ujërat në rroben e tij? Kush i ka vendosur të gjithë kufijtë e tokës? Cili është emri i tij dhe emri i të birit, po qe se ti e di?

Fjalët e urta 30:24-33

24 Ka katër kafshë të vogla mbi tokë, por janë jashtëzakonisht të urta:

25 mizat e dheut, që janë një popull pa forcë, por që e mbledhin ushqimin e tyre në verë;

26 lepujt, që janë një popull i dobët, por që e vendosin banesën e tyre në shkëmbinjtë;

27 karkalecat, që nuk kanë mbret, por që shkojnë mbarë në grupe;

28 hardhuca që mund ta zësh me duart, por që gjendet në pallatet e mbretërve.

29 Tri qënie kanë një paraqitje të bukur, madje katër kanë një ecje madhështore;

30 luani, kafsha më e fortë, që nuk zmprapset para askujt,

31 kali i luftës që ecën i ngrefosur, cjapi dhe mbreti kur është me ushtrinë e tij.

32 Në rast se ke vepruar si budalla duke lartësuar veten tënde ose të ka shkuar mendja, vëre dorën mbi gojë,

33 sepse, duke rrahur qumështin prodhohet gjalpi, duke përdredhur hundën del gjak prej saj dhe duke shtrydhur mërinë prej saj del grindja.

Filipianëve 3:1-11

Së fundi, o vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin; për mua nuk është e rëndë t’ju shkruaj të njëjtat gjëra, po për ju është siguri.

Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e këqij, ruhuni nga të prerët.

Sepse rrethprerja e vërtetë jemi ne, që i shërbejmë Perëndisë në Frymë dhe që mburremi në Krishtin Jezus pa besuar në mish,

megjithëse unë kam përse të besoj edhe në mishin; nëse ndonjë mendon se ka përse të besojë, unë kam akoma më shumë:

u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise,

sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm.

Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje.

Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin,

dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit,

10 që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij,

11 që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekurish.

Gjoni 18:28-38

28 Pastaj nga Kajafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën.

29 Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: “Ç’padi sillni kundër këtij njeriu?.”

30 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar.”

31 Atëherë Pilati u tha atyre: “Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj” Por Judenjtë i thanë: “Neve nuk na lejohet të vrasim njeri.”

32 Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç’vdekje duhej të vdiste.

33 Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: “A je ti mbreti i Judenjve?.”

34 Jezusi iu përgjigj: “E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?.”

35 Pilati iu përgjigj: “Jam unë vallë Jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?.”

36 Jezusi u përgjigj: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej.”

37 Atëherë Pilati i tha: “Ti, pra, qenke mbret?.” Jezusi u përgjigj: “Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim.”

38 Pilati e pyeti: “Ç’është e vërteta?.” Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: “Unë nuk po gjej në të asnjë faj!