Book of Common Prayer
70 O Perëndi, nxito të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.
2 U turpërofshin dhe u hutofshin ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe u mbulofshin me turp ata që kërkojnë të keqen time.
3 Kthefshin kurrizin për shkak të turpit të tyre ata që thonë: "Ah, ah!".
4 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, dhe ata që duan shpëtimin tënd thënçin vazhdimisht: "U përlëvdoftë Perëndia!".
5 Por unë jam i varfër dhe nevojtar; o Perëndi, nxito të më vish në ndihmë; ti je ndihma ime dhe çlirimtari im; o Zot, mos vono.
71 Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë.
2 Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto.
3 Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime.
4 Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën.
5 Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.
6 Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.
7 Jam bërë për shumë njerëz si një mrekulli, por ti je streha e fortë.
8 Goja ime është plot me lëvdimet e tua dhe shpall lavdinë tënde tërë ditën.
9 Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.
10 Sepse armiqtë e mi flasin kundër meje, dhe ata që kanë ngritur pusi kundër jetës sime thurrin komplote bashkë,
11 duke thënë: "Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, sepse nuk ka njeri që ta çlirojë".
12 O Perëndi, mos u largo nga unë; Perëndia im, nxito të më ndihmosh.
13 U ngatërrofshin dhe u asgjesofshin kundërshtarët e jetës sime; u mbulofshin me poshtërsi dhe me turp ata që dëshërojnë të më bëjnë të keqen.
14 Por unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër.
15 Goja ime do të tregojë tërë ditën drejtësinë tënde dhe çlirimet e tua, sepse nuk njoh numrin e tyre.
16 Do të thellohem në veprat e fuqishme të Zotit, të Zotit, dhe do të kujtoj drejtësinë tënde, vetëm tënden.
17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri; dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua.
18 Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis deri sa t’i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë.
19 Edhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësitë e qiejve; ti ke bërë gjëra të mëdha. O Perëndi, kush të përngjan ty?
20 Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësira, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës.
21 Ti do të rritesh madhështinë time dhe do të kthehesh të më ngushëllosh.
22 Dhe unë do të lëvdoj me harpe për besnikërinë tënde, o Perëndia im, dhe do të këndoj lavdet e tua me qeste, o i Shenjti i Izraelit.
23 Buzët e mia do të ngazëllojnë kur do të këndoj lavdet e tua bashkë me shpirtin tim, që ti ke shpenguar.
24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde, sepse janë turpëruar dhe janë hutuar ata që kërkonin të më bënin të keqen.
74 O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate?
2 Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar.
3 Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore.
4 Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj.
5 Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli.
6 Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij.
7 I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë.
8 Kanë thënë në zemër të tyre: "T’i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.
9 Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur.
10 Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë?
11 Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji.
12 Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë.
13 Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat.
14 Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës.
15 Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm.
16 Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin.
17 Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin.
18 Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd.
19 Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu.
20 Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune.
21 Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd.
22 Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën.
23 Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.
23 Sara jetoi njëqind e njëzet e shtatë vjet. Këto qenë vitet e jetës së Sarës.
2 Dhe Sara vdiq në Kirjath-Arba (që është Hebroni), në vendin e Kanaanëve, dhe Abrahami hyri aty për të mbajtur zi për të dhe për ta vajtuar.
3 Pastaj Abrahami u ngrit më këmbë në prani të së vdekurës dhe u foli bijve të Hethit, duke u thënë:
4 "Unë jam një i huaj midis jush dhe i ardhur midis jush; më jepni pronësinë e një varri midis jush, që të mund të varros të vdekurën time dhe ta heq nga sytë e mi".
5 Dhe bijtë e Hethit iu përgjigjën Abrahamit duke i thënë:
6 "Dëgjona, o zoti im! Ti je midis nesh një princ i Perëndisë, varrose të vdekurën tënde në më të mirën nga varrezat tona, asnjeri prej nesh s’do të refuzojë varrin e tij, me qëllim që ti të varrosësh aty të vdekurën tënde".
7 Atëherë Abrahami u ngrit, u përul para popullit të vendit, para bijve të Hethit,
8 dhe u foli atyre duke thënë: "Në rast se ju pëlqen që unë ta varros të vdekurën time duke e hequr nga sytë e mi, dëgjomëni. Ndërhyni për mua tek Efroni, bir i Zoharit,
9 që të më japë shpellën e Makpelahut, që i përket dhe që ndodhet në skajin e arës së tij; por që të më japë në pronësi me çmimin e tij të plotë si vend varrimi midis jush".
10 Tani Efroni ndodhej në mes të bijve të Hethit; dhe Efroni, Hiteu, iu përgjegj Abrahamit në prani të bijve të Hethit, të të gjithë atyreve që hynin nëpër portën e qytetit të tij, duke thënë:
11 "Jo, zoti im, dëgjomë! Unë të fal arën dhe shpellën që ndodhet aty; po ta dhuroj në prani të bijve të popullit tim; po ta bëj dhuratë. Varrose të vdekurën tënde".
12 Atëherë Abrahami u përkul para popullit të vendit,
13 dhe i foli Efronit në prani të popullit të vendit duke thënë: "Dëgjomë, të lutem! Unë do të jap çmimin e arës, pranoje nga unë, kështu unë do të mund të varros aty të vdekurën time".
14 Efroni iu përgjegj Abrahamit, duke i thënë:
15 "Zoti im, dëgjomë! Toka vlen katërqind monedha argjendi. Ç’është kjo midis meje dhe teje? Varrose, pra, të vdekurën tënde".
16 Atëherë Abrahami zbatoi fjalën e Efronit; dhe Abrahami i peshoi Efronit çmimin që i kishte thënë në prani të bijve të Hethit: katërqind monedha argjendi, monedha që tregtarët përdornin midis tyre zakonisht.
17 Kështu ara e Efronit që gjendej në Malkpelah përballë Mamres, ara me shpellën që ishte aty dhe tërë drurët që ishin në arë dhe në të gjithë kufijtë përqark,
18 kaluan në pronësi të Abrahamit, në prani të bijve të Hethit dhe të të gjithë atyre që hynin nga porta e qytetit të Efronit.
19 Pas kësaj, Abrahami varrosi Sarën, gruan e tij, në shpellën e arës së Makpelahut përballë Mamres (që është Hebroni) në vendin e Kanaanëve.
20 Kështu ara dhe shpella që gjendet aty u kaluan nga bijtë e Hethit në pronë të Abrahamit, si vend varrimi.
32 Dhe ç’të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Jedeonin, Barakun, Sansonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe për profetët,
33 të cilët, me anë të fesë nënshtruan mbretërira, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve,
34 fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja.
35 Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes; e të tjerët u torturuan, sepse nuk pranuan çlirimin, për të fituar një ringjallje më të mirë.
36 Dhe të tjerë hoqën përqeshje dhe goditje, madje edhe pranga dhe burgime.
37 U vranë me gurë, me sharrë, u prenë, u vranë nga shpata, u endën të mbuluar me lëkurë dhënsh e dhish, nevojtarë, të pikë-lluar, të keqtrajtuar
38 (bota nuk ishte e denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut.
39 E pra, të gjithë këta, ndonëse morën dëshmim të mirë me anë të besimit, nuk morën atë që u ishte premtuar,
40 sepse Perëndia kishte paraparë diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.
12 Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh,
2 duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.
60 Kur i dëgjuan këto, shumë nga dishepujt e tij thanë: “Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?.”
61 Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e vet po murmurisnin për këtë, u tha atyre: “Kjo ju skandalizon?
62 Ç’do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë?
63 Éshtë Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë.
64 Por janë disa midis jush që nuk besojnë”; në fakt Jezusi e dinte që në fillim kush ishin ata që nuk besonin, dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte;
65 dhe thoshte: “Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im.”
66 Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.
67 Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: “A doni edhe ju të largoheni?.”
68 Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.
69 Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”
70 Jezusi u përgjigj atyre: “A nuk ju kam zgjedhur unë ju të dymbëdhjetët? E një prej jush është një djall.”
71 Por ai fliste për Judë Iskariotin, birin e Simonit, sepse ky kishte për ta tradhtuar, ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët.