Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 82

82 Perëndia rri në kuvendin e Perëndisë, ai gjykon në mes të perëndive.

Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela)

Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit.

Çlironi të mjerin dhe nevojtarin; shpëtojeni nga dora e të pabesit.

Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr; të gjitha themelet e tokës po luajnë.

Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.

Megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër".

Çohu, o Perëndi, gjyko tokën, sepse ti do të trashëgosh tërë kombet.

Psalmet 87

87 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.

Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit.

Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)

Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".

Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm".

Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka lindur atje". (Sela)

Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti".

Isaia 52:7-12

Sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit që sjell lajme të mira që njofton paqen, që sjell lajme të bukura mbi gjëra të mira, që shpall shpëtimin, që i thotë Sionit: "Perëndia yt mbretëron!".

Dëgjo! Rojet e tua ngrenë zërin dhe lëshojnë bashkë britma gëzimi, sepse shohin me sytë e tyre Zotin që kthehet në Sion.

Shpërtheni bashkë në britma gëzimi, o rrënoja të Jeruzalemit, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe çliron Jeruzalemin.

10 Zoti ka zhveshur krahun e tij të shenjtë para syve të të gjitha kombeve; të gjitha skajet e tokës do të shohin shpëtimin e Perëndisë tonë.

11 Ikni, ikni, dilni andej, mos prekni asgjë të papastër! Dilni nga ambienti i saj, pastrohuni, ju që mbani vazot e Zotit!

12 Sepse ju nuk do të niseni me nxitim dhe nuk do të shkoni me turr, sepse Zoti do të ecë para jush, Perëndia i Izraelit do të jetë praparoja juaj.

Hebrenjve 2:5-10

Sepse Perëndia nuk e vuri nën pushtet të engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilin po flasim,

por dikush dëshmoi diku duke thënë: “Ç’është njeriu, që të bie ndërmend për të? Ose i biri i njeriut që të kujdesesh për të?

Ti e bëre për pak kohë më të vogël nga engjëjt, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder dhe e vure përmbi veprat e duarve të tua;

Ti i vure të gjitha nën këmbët e tij.” Sepse, mbasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa iu nënshtruar. Por tani nuk shohim ende që të gjitha janë nën pushtetin e tij,

por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit.

10 Sepse i duhej atij, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve realizuesin e shpëtimit të tyre.

Psalmet 110

110 Zoti i thotë Zotërisë time: "Ulu në të djathtën time deri sa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".

Zoti do ta shtrijë nga Sioni skeptrin e fuqisë sate. Ai sundon në mes të armiqve të tu.

Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë, nga gjiri i agimit, ti do të kesh vesën e rinisë sate.

Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: "Ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut".

Zoti është në të djathtën tënde. Ai ka për të zhdukur disa mbretër ditën e zemërimit të tij.

Ai do të gjykojë kombet, do t’i mbushë me kufoma dhe do të zhdukë qeveritarët e pjesës më të madhe të tokës.

Rrugës do të pijë ujë nga përroi dhe si pasojë do të ngrerë kokën.

Psalmet 132

132 Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij,

ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë:

"Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim;

nuk do t’i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia,

deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit".

Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.

Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij.

Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate.

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu.

10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd.

11 Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua.

12 Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t’u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd".

13 Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij:

14 "Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur.

15 Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t’i ngop me bukë të varfërit e tij;

16 do t’i vedh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi.

17 Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t’i jap një llambë të vajosurit tim.

18 Do t’i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".

Gjoni 1:9-14

Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.

10 Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.

11 Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,

12 por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,

13 të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.

14 Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.