Book of Common Prayer
95 Ejani, t’i këndojmë me gëzim Zotit; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë.
2 Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.
3 Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë.
4 Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve.
5 I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.
6 Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.
7 Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij,
8 "mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë,
9 ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia.
10 Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia.
11 Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time".
40 Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.
2 Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.
3 Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit.
4 Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.
5 O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.
6 Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.
7 Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.
8 Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".
9 E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.
10 Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.
11 Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.
12 Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.
13 Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.
14 U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.
15 U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah…!".
16 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".
17 Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.
54 O Perëndia im, më shpëto me emrin tënd dhe siguromë drejtësi me fuqinë tënde.
2 O Perëndia im, dëgjo lutjen time dhe vëru veshin fjalëve të gojës sime.
3 Sepse disa të huaj janë ngritur kundër meje dhe njerëz të furishëm kërkojnë jetën time, njerëz që nuk e kanë Perëndinë para syve të tyre. (Sela)
4 Ja, Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time.
5 Ai do t’i ndëshkojë armiqtë e mi për të keqen që më kanë bërë; në besnikërinë tënde shkatërroji.
6 Me gjithë zemër do të ofroj flijime; do të kremtoj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë;
7 sepse më ke çliruar nga çdo ankth, sytë e mi kanë parë mbi armiqtë e mi atë që unë dëshiroja.
51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.
12 Dhe tani, o Izrael, çfarë kërkon nga ti Zoti, Perëndia yt? Të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të ecësh në tërë rrugët e tij, ta duash dhe t’i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt,
13 dhe të respektosh për të mirën tënde të gjitha urdhërimet dhe statutet e Zotit që sot të urdhëroj.
14 Ja, Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qiejtë, qiejtë e qiejve, toka dhe gjithçka ajo përmban;
15 por Zoti u fali dashurinë e tij vetëm etërve të tu dhe i deshi ata; dhe mbas tyre midis tërë popujve zgjodhi pasardhësit e tyre, domethënë ju, ashtu siç po ndodh sot.
16 Prandaj do të rrethpritni prepucin e zemrës suaj dhe nuk do ta fortësoni më qafën tuaj;
17 sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndia i perëndive, Zotëria i zotërive, Perëndia i madh, i fortë dhe i tmerrshëm që nuk është fare i anshëm dhe nuk pranon dhurata,
18 që u siguron drejtësi jetimëve dhe të vejave, që e do të huajin dhe i jep bukë dhe veshje.
19 Duajeni, pra, të huajin, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit.
20 Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t’i shërbesh atij, do të jesh lidhur ngushtë me të dhe do të betohesh me emrin e tij.
21 Ai është lavdia jote, ai është Perëndia yt, që ka bërë për ty ato gjëra të mëdha dhe të tmershme që sytë e tua i kanë parë.
22 Etërit e tu zbritën në Egjipt në një numër që nuk i kapërxente të shtatëdhjetë personat; dhe tani Zoti, Perëndia yt, të ka shumëzuar si yjet e qiellit".
11 Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në atë prehje, që askush të mos bjerë në atë shëmbull të mosbindjes.
12 Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.
13 Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari.
14 Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit.
15 Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.
16 Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.
22 Pas këtyre gjërave, Jezusi erdhi me dishepujt e vet në tokën e Judesë dhe qëndroi aty bashkë me ta dhe pagëzonte.
23 Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte shumë ujë; dhe njerëzit vinin dhe pagëzoheshin,
24 sepse Gjoni s’ishte hedhur akoma në burg.
25 Atëherë lindi një diskutim ndërmjet dishepujve të Gjonit me Judenjtë rreth pastrimit.
26 Kështu erdhën te Gjoni dhe i thanë: “Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti bëre dëshmi, ja, ai pagëzon dhe të gjithë shkojnë tek ai.”
27 Gjoni u përgjigj dhe tha: “Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli.
28 Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë: "Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij".
29 Ai që e ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që është i pranishëm dhe e dëgjon, gëzohet shumë për zërin e dhëndrit; prandaj ky gëzimi im është i plotësuar!
30 Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem.
31 Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë; ai që vjen nga dheu është nga dheu dhe flet për dheun; ai që vjen nga qielli është përmbi të gjithë.
32 Dhe ai dëshmon çfarë ka parë dhe dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij.
33 Ai që e pranoi dëshminë e tij e vulosi se Perëndia është i vërtetë.
34 Sepse ai që Perëndia ka dërguar flet fjalët e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e jep Frymën e tij me masë.
35 Ati e do Birin dhe i ka dhënë në dorë çdo gjë.
36 Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.”