Book of Common Prayer
55 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.
2 Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,
3 për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.
4 Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.
5 Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.
6 Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.
7 Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)
8 Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna".
9 Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.
10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.
11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.
12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.
13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.
14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.
15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.
16 Sa për mua, do t’i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.
17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim.
18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje.
19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t’i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela)
20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij.
21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.
22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.
23 Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.
138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.
2 Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.
3 Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.
4 Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,
5 dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.
6 Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.
7 Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.
8 Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.
139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.
2 Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.
3 Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.
4 Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.
5 Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.
6 Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.
7 Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?
8 Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.
9 Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,
10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.
11 Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë," madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:
12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.
13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.
14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.
15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.
16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.
17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!
18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.
19 Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë.
20 Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.
21 A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje?
22 Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.
23 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.
18 Do t’i shtini këto fjalë në zemrën dhe në mëndjen tuaj, do t’i lidhni si një shenjë në dorë dhe do të jenë si ballore midis syve;
19 do t’ua mësosh bijve tuaj, duke u folur për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecnën rrugës, kur rri shtrirë dhe kur çohesh;
20 do t’i shkruash në shtalkat e shtëpi tënde dhe mbi portat e tua,
21 me qëllim që ditët tuaja dhe ditët e bijve tuaj, në vendin që Zoti është betuar t’u japë etërve tuaj, të jenë të shumta si ditët e qiellit mbi tokë.
22 Sepse, duke respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet që unë ju urdhëroj të zbatoni në praktikë, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha udhët e tij dhe duke qenë të lidhur ngushtë me të,
23 Zoti do të dëbojë para jush të gjitha kombet dhe ju do të shtini në dorë kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ju.
24 Çdo vend që do të shkelë këmba juaj, do të jetë juaji; kufijtë tuaj do të shtrihen nga shkretëtira deri në Liban, dhe nga lumi, lumi Eufrat, deri në detin perëndimor.
25 Askush nuk do të jetë në gjendje t’ju bëj ballë; Zoti, Perëndia juaj, ashtu siç ju tha, do të përhapë frikën dhe tmerrin për ju në të gjithë vendin që ju do të shkelni.
26 Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin;
27 bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj;
28 mallkimin, në rast se nuk u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj sot, për të ndjekur perëndi të tjerë që nuk i keni njohur kurrë.
5 Sepse çdo kryeprift, që merret prej njerëzve, vihet kryeprift mbi njerëzit për gjërat që kanë të bëjnë me Perëndinë, për të ofruar dhurata dhe flijime për mëkatet;
2 kështu ai mund të ketë dhembshuri për ata që janë të paditur dhe të gënjyer, sepse edhe ai është i veshur me dobësi,
3 dhe për këtë arsye është i detyruar të ofrojë flijime për fajet, si për popullin ashtu edhe për veten e tij.
4 Dhe askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, po ai që thirret nga Perëndia, sikurse Aaroni.
5 Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë lavdinë që të bëhet kryeprift, por ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, sot ti më linde,”
6 dhe ashtu si thuhet diku gjetiu: “Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut.”
7 I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.
8 Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi,
9 dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden,
10 duke qenë i shpallur kryeprift nga Perëndiaa sipas rendit të Melkisedekut,
4 Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni
2 (ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),
3 e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.
4 Por duhej të kalonte nëpër Samari.
5 Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.
6 Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.
7 Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: “Më jep të pi,”
8 sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.
9 Por gruaja samaritane i tha: “Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?” (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).
10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!," ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë.”
11 Gruaja i tha: “Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?
12 Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?.”
13 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,
14 por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.”
15 Gruaja i tha: “Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!.”
16 Jezusi i tha: “Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu.”
17 Gruaja u përgjigj dhe i tha: “Unë nuk kam burrë.” Jezusi i tha: “Mirë the: "Nuk kam burrë,"
18 sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!.”
19 Gruaja i tha: “Zot, po shoh se ti je një profet.
20 Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë.”
21 Jezusi i tha: “O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.
22 Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.
23 Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.
24 Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.”
25 Gruaja i tha: “Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë.”
26 Jezusi i tha: “Unë jam, ai që po të flet!.”