Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 118

118 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".

Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".

Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".

Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m’u përgjigj dhe më çoi larg.

Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?

Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t’i shikoj triumfues armiqtë e mi.

Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut.

Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’u kesh besim princave.

10 Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i zhduk ato.

11 Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.

12 Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.

13 Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi.

14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.

15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.

16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.

17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.

18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.

19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.

20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.

21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.

22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.

23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.

24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.

25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.

26 I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.

28 Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.

29 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Psalmet 145

145 Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.

Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.

Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.

Një brez do t’i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t’i njoftojë mrekullitë e tua.

Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.

Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.

Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.

Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.

10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.

11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,

12 për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.

13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.

14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.

15 Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.

16 Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.

17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.

18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.

19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.

20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.

21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.

Zakaria 9:9-16

Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jeruzalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri.

10 Unë do t’i zhduk qerret nga Efraimi dhe kuajt nga Jeruzalemi; harqet e luftës do të asgjësohen. Ai do t’u flasë për paqe kombeve; sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det, dhe nga Lumi deri në skaj të dheut.

11 Sa për ty, për shkak të gjakut të besëlidhjes sime me ty, i çlirova robërit e tu nga gropa pa ujë.

12 Kthehuni në fortesë, o ju robër të shpresës! Pikërisht sot unë deklaroj se do të të jap dyfishin.

13 Do ta përkul Judën për mua si harkun tim dhe me Efraimin do ta mbush me shigjeta, dhe do t’i ngre në këmbë bijtë e tu, o Sion, kundër bijve të tu, o Javan, dhe do të të bëj si shpata e një njeriu të fuqishëm.

14 Atëherë mbi ta do të duket Zoti dhe shigjeta e tij do të niset si një rrufe. Zoti, Zoti, do t’i bjerë borisë dhe do të përparojë bashkë me shakullimat e jugut.

15 Zoti i ushtrive do t’i mbrojë; kështu ata do të gllabërojnë dhe do të shkelin gurët e hobeve të armiqve të tyre, do të pijnë dhe do të bëjnë zhurmë si të nxitur nga vera dhe do të jenë plot me gjak si legenat e vegjël që përdoren për flijime, si brirët e altarit.

16 Zoti, Perëndia i tyre, do t’i shpëtojë atë ditë, si kopeja e popullit të tij, sepse do të jenë si gurët e çmuar të një kurore, që do të ngrihen lart si një flamur mbi tokën e tij.

1 Pjetrit 3:13-22

13 Dhe kush do t’ju bëjë keq, në qoftë se ju ndiqni të mirën?

14 Por, edhe sikur të vuani për drejtësinë, lum ju! “Pra, mos kini asnjë druajtje prej tyre dhe mos u shqetësoni,”

15 madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje,

16 duke pasur ndërgjegje të mirë, që, kur t’ju padisin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin.

17 Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, se sa duke bërë keq,

18 sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma,

19 me anë të së cilës ai shkoi t’u predikojë frymërave që ishin në burg,

20 që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën, pak vetë, gjithsejt tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit,

21 i cili është shëmbëllesa e pagëzimit (jo heqja e ndyrësisë së mishit, po kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë te Perëndia), që tani na shpëton edhe ne me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit,

22 i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtën e Perëndisë ku i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqie.

Mateu 21:1-13

21 Kur iu afruan Jeruzalemit dhe arritën në Betfage, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy dishepuj,

duke u thënë atyre: “Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m’i sillni!

Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t’i kthejë shpejt.”

Tani kjo ndodhi për të përmbushur ç’ishtë thënë nga profeti, që thotë:

“I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulishtë, pjellë e një kafshe barrë.”

Dishepujt shkuan dhe vepruan ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi.

Sollën gomaren dhe pulishtin, shtruan mbi to mantelet e tyre, dhe ai u hipi.

Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë.

Turmat që vinin përpara dhe ato që e ndiqnin brohoritnin, duke thënë: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!.”

10 Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: “Kush është ky?.”

11 Dhe turmat thonin: “Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë.

12 Pastaj Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave.

13 Dhe u tha atyre: “Éshtë shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje," por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh.”